Fillimi i protestave në qendrat e cilësuara si antikomuniste, Shkodër e Kavajë dhe përpjekjet për bllokimin e tyre. Deklarata e Alisë: “Shteti, në prag të krizës”
Agjencia zyrtare e lajmeve (ATSH) raportoi se turma protestuesish sulmuan sot ndërtesat publike, në qytetin verior të Shkodrës, ku mbetën të plagosur disa policë. Po ashtu raportohet se ka patur dhunë në qytetin industrial të Kavajës, në vendin e demonstratave antikomuniste, të mbajtura në pranverë dhe në verë të këtij viti.
“Njësitë policore dhe ushtarake janë shpërndarë në Shkodër dhe Kavajë që të mbajnë nën kontroll protestuesit”, – thonë dëshmitarë dhe agjencia e lajmeve.
Por Tirana është e qetë, pas një apeli që bëri presidenti Ramiz Alia, në televizionin kombëtar, ditën e mërkurë në mbrëmje, tri ditë pas demonstratave në kryeqytet që fillimisht kishin shënuar përplasje me forcat e sigurisë policore dhe ushtarake.
Agjencia e lajmeve thotë se protestuesit në Shkodër, kanë qëlluar me gurë zyrat lokale të Partisë Komuniste, zyrat e qeverisjes vendore dhe ndërtesën e “Radio Shkodrës”. Ata i kanë cilësuar këto; “akte vandale”.
“Duke përdorur shufra hekuri, disa protestues janë përplasur me njësitë policore, ku mbetën të plagosur shefi i policisë së rajonit, një tjetër polic dhe një civil”, – thotë agjencia, duke shtuar se; “qytetarët e Shkodrës, punonjësit dhe komunistët”, kanë bërë përpjekje që të ndalojnë protestuesit, por kanë qenë të pasuksesshme”.
“Forcat e rendit publik dhe të ushtrisë, kanë ardhur për të hyrë në veprim që të ndalojnë protestuesit”, – thotë agjencia.
Njoftimi i agjencisë së lajmeve, është dhënë në mbrëmje në Radio Televizionin Shqiptar.
Shkodra, një qytet me 72 mijë banorë, që është konsideruar për një kohë të gjatë si kryeqyteti i intelektualëve në Shqipëri, ishte vend i ngjarjes së demonstratave të dhunshme në janar, ku qytetarët u përpoqën të heqin statujën e Stalinit.
Statuja, që ndodhej në pjesën e poshtme të parkut, ishte lëvizur në mesin e natës gjatë verës së kaluar.
Në Kavajë, një qytet industrial bregdetar me 20 mijë banorë, pati protesta shkatërruese në rrugët e saj, të mërkurën në mbrëmje, ku u prishën dritaret e dyqaneve. Ata ishin mbajtur nën kontroll, nga njësitë policore.
Demonstratat e dhunshme antikomuniste, pati edhe në mars, gjatë një ndeshjeje futbolli në Kavajë. Edhe një tjetër në korrik. Dëshmitarët thanë se; “një protestues është qëlluar dhe një polic është vrarë, gjatë konflikteve të korrikut”.
Një dëshmitar raporton se këtë mbrëmje në Kavajë, janë instaluar trupa ushtarake, njësi policore dhe makina për të ndaluar trafikun në rrugët kryesore të qytetit bregdetar. Ai tha se trupat janë të blinduara me makina dhe tanke dhe ndodhen të vendosura rreth 10 milje në veri të Durrësit, një qytet me 70 mijë banorë.
Vala e pakënaqësisë ka përfshirë qytetet shqiptare në mënyrë periodike, gjatë 11 muajve të fundit, e nxitur pjesërisht nga shembujt e kryengritjeve popullore, që rrëzuan qeveritë e tjera komuniste në Europën Lindore në vitin 1989.
Qytetarët shqiptarë i ndiqnin këto kryengritje përmes radiove dhe televizioneve të huaja dhe edicioneve të lajmeve të televizioneve nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia.
Shqipëria është vendi i fundit i qeverisur nga komunistë në Europë, përveç Bashkimit Sovjetik. Popullsia prej 3.3 milionë banorësh, nuk ka njohur sistem tjetër përgjatë 46 viteve të fundit.
Këtë vit, ekonomia po përkeqësohet drejt greminës, të cilën presidenti Alia, e përshkroi dy javë më parë me qenien “e një shteti në prag të emergjencës”, gjë që ka ndikuar në rritjen e pakënaqësisë popullore.
Në fillimin e majit, z. Alia nisi një program ndryshimesh nën flamurin e “demokratizimit”, me qëllimet e përfshirjes graduale të parimeve të tregut të lirë dhe të pranimit të Shqipërisë në institucione politike dhe ekonomike të Europës Perëndimore. Memorie.al
Artikulli është publikuar në “New York Times” më 14 dhjetor 1990
Përgatiti për botim, Albert Gjoka
The post “Qëlluan me gurë zyrat e Komitetit të Partisë”- Shkrimi i ‘New York Times’ në dhjetor 1990 appeared first on Lapsi.al.