Nga Coli e Sinanaj tek Dumani e Beqirajt/ Të penduarit që u rrëfyen para drejtësisë

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Nga Coli e Sinanaj tek Dumani e Beqirajt/ Të penduarit që u rrëfyen para drejtësisë

Prej dekadash krimi i organizuar ka përdorur gjithnjë e më shumë vrasës me pagesë, por pas ngjarjeve të tilla zbulohen edhe të penduarit që kthehen në bashkëpunëtorë të drejtësisë. Rastet gjatë viteve nuk mungojnë: nga rasti i parë i Adriatik Colit që zbërtheu Bandën e Durrësit, tek i fundit i vëllezërve Beqiraj. 

Dëshmitë e vrasësve me pagesë, të kthyer më pas në të penduar të drejtësisë, kanë hedhur dritë për lidhjet e ngushta mes krimit të organizuar në Shqipëri. Pas çdo grupi të vrasësve me pagesë, mund të ketë gjithnjë një të penduar të drejtësisë që “fshihet” nga pas. Edhe pse në vetvete grupe të tilla duken të fortifikuara dhe brenda një kodi “moral”, ngjarjet e ndodhura në vazhdimësi, që nga prishja e pazareve, lufta për pushtet apo kalimi në anën e kundërshtarit, kanë sjellë përçarje.

Sot në Shqipëri numërohen dhjetëra të penduar që kanë deklaruar krime nga më monstruozet, porosi për trafik droge dhe eliminime mes anëtarëve të grupeve. Rasti i fundit i zbulimit të një grupi të vrasësve me pagesë që funksiononte në Durrës prej më shumë se një viti, u zbulua nga dy vëllezër, ku njëri prej tyre kallzoi në polici pas përplasjes dhe dhunimit nga disa të dyshuar.

Një pjesë e vrasësve me pagesë, janë zbuluar krejt në mënyrë rastësore, siç ndodhi me Ndriçim Gjokonën dhe Julian Sinanajn, ku i pari kallëzoi në polici të dytin nga frika se mos ai e eliminonte. Gentian dhe Indrit Beqiraj, treguan skemën e grupit para prokurorëve, pasi dyshohet se u zbuluan dhe u konfliktuan me një prej objektivave të tyre për eliminimin e tij fizik.

Advertisement

LEXO EDHE: Si dështoi plani për të vrarë të penduarin Nuredin Dumani për 90 mijë euro

Deri më tani ata kanë pranuar se janë paguar për 4 atentate në Durrës dhe Tiranë. Porosia e parë sipas policisë, ka qenë ajo për ekzekutimin e një personi dhe dy nipërve të tij në zonën e Don Boskos në Tiranë. Vëllezërit Beqiraj kanë dëshmuar në polici se objektiv ishte Geron Hasanbelliu, ndërsa porosinë e kishte dhënë armiku i tij, Kasandër Noga, i cili pak muaj më parë tentoi t’i vrasë të vëllain, Erjonin në Belgjikë.

Beqirajt kanë treguar para grupit hetimor se e kanë ndjekur për rreth një muaj Geron Hasanbelliun, por në fund janë tërhequr. Në këto kushte, ka qenë Kevin Zeneli, ai që ka marrë përsipër të realizojë vrasjen, por ngatërroi objektiv dhe vrau gabimisht Erjon Çelën dhe la 4 të plagosur. Të gjendur përballë presionit të drejtësisë, ata kërkojnë statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorëve për të zbardhur të gjitha krimet ku janë të përfshirë.

Adriatik Coli dhe Banda e Durrësit

Adriatik Coli

Në fakt, historitë e vrasësve me pagesë dhe të penduarve në Shqipëri, nisin që nga vitit 2005. Zyrtarisht, mes rasteve të para në gjykatën e atëhershme të Krimeve të Rënda, përdorimi i vrasësve me pagesë u deklarua haptazi në gjyqin ndaj Bandës së Durrësit.

Adriatik Coli, një nga dëshmitarët më të mirë të drejtësisë, i cili ka përfunduar me kohë dënimin për shkak të marrëveshjes me drejtësinë, tregoi se si bisedat mes anëtareve të grupit për të eliminuar Lulzim Berishën në atë kohë, shkuan në oferta deri në 100 mijë euro. Dëshmia e Colit, si ish-anëtar i bandës dhe pjesëmarrës në vrasje, shkaktoi një stuhi në mega-procesin e 17 viteve më parë.

Advertisement

Ai vendosi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke u dorëzuar në polici për shkak se kundërshtarët e tij e kishin ndjekur deri në Itali për ta eliminuar fizikisht. 16 anëtarët e ish-bandës famëkeqe në Durrës u dënuan në total me 245 vite burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, vendim i lënë në fuqi dhe nga Apeli.

Ndërsa pas rekursit në Gjykatën e Lartë, i vetmi që nuk kishte mundur t’i shpëtonte burgimit për jetë ishte Indrit Dokle, edhe ky i liruar para dy vitesh. Lul Berisha, Plaurent Dervishaj, Julian Meçe, Adriatik Coli dhe Indrit Dokle tashmë janë të lirë.

Julian Sinanaj dhe lufta e përgjkshme në Vlorë

Ndriçim Gjokona u kthye në bashkëpunëtor të drejtësisë që prej janarit të vitit 2014. Ai u pendua bashkë me shokun tjetër të bandës, Julian Sinanaj (u gjurmua nga policia pas dëshmisë së Gjokonës, ku ky i fundit e kallëzoi nga frika se mos e eliminonte) për vrasjet e kryera dhe të dy pranuan të rrëfejnë një seri krimesh të ndodhura në Tiranë, Vlorë dhe Durrës përgjatë viteve 2012-2014.

Julian Sinanaj
Julian Sinanaj

Dy të penduarit e drejtësisë, ishin krahu i armatosur i një grupi kriminal prej 7 anëtarësh, që u akuzuan nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për vrasje me pagesë, vepra për qëllime terroriste, prodhim dhe shitje të lëndësh plasëse dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Advertisement

Procesi gjyqësor kundër grupit kriminal të Sinanajt u zhvendos në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë. Shtatë të pandehurit u akuzuan për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet me tritol kundër zyrtarëve Ardian Kollozi dhe Besnik Dervishaj, si dhe planifikimin e eliminimeve për dy ndërtues nga Vlora dhe për biznesmenin e gazit në Tiranë, Pirro Bare.

LEXO EDHE: Vdes në burgun e Peqinit anëtari i bandës së Julian Sinanajt, roli që kishte në vrasjet me pagesë

Nëpërmjet dëshmive të tyre përpara prokurorëve, dy të penduarit, Sinanaj dhe Gjokona, i kanë servirur Prokurorisë të dhëna mbi nëntokën e krimit në qytetin e Vlorës dhe konvertimin në biznesmenë të disa njerëzve me të kaluar të errët në këtë qytet. Ata treguan gjithashtu luftën e përgjakshme të konkurrentëve në këto biznese dhe kërcënimet e tyre ndaj zyrtarëve lokalë, në rastet ku ata zvarrisnin apo nuk aprovojnë kërkesat për leje ndërtimi.

Për shkak të statusit si dëshmitar i drejtësisë, Sinanaj i shpëtoi burgimit të përjetshëm. I dënuar me 30 vjet burg, Gjykata e Apelit i uli vetëm 5 vjet “killerit” dhe për 25 vjet shteti shqiptar ka detyrën të sigurojë jetën, çka do të thotë se gjatë kësaj periudhe, ai nuk do të mbahet në të njëjtat kushte si të dënuarit e tjerë, por do të ruhet edhe në burg nga reparti i mbrojtjes së dëshmitarëve.

Historia e Kristi Pines dhe “shefit” të tij në burg Admir Tafilaj

Burgu është jo vetëm një vend i vuajtjes së dënimit, por edhe i rekrutimit të personave për t’u bërë vrasës. Kështu ka ndodhur me rastin e 31-vjeçarit Kristi Pine në vitin 2014. Në kohën kur është dënuar për vjedhje, ai ishte vetëm 18 vjeç dhe për ironi të fatit i qëlloi të ishte me një qeli me të dënuarin me burgim të përjetshëm Admir Tafili (i dënuar për disa vepra penale) në paraburgimin e Bradasheshit në Elbasan.

Advertisement
Kristi Pine
Kristi Pine

Kristi Pine ka fituar prej vitesh statusin e të penduarit dhe sipas dëshmive ka qenë Tafilaj ai që e ka mbrojtur dhe mbajtur afër në burg nga të dënuarit e tjerë, që jo rrallë herë kanë qenë të dhunshëm. Për këtë fakt, Pine ka deklaruar se i detyrohej Tafilaj, i cili i kishte kërkuar të bënte vrasjen e parë në jetën e tij për nder. Vrasje të cilën e ka kryer në Shkodër, ku është ekzekutuar në oborrin e shtëpisë së tij Ibrahim Mani.

Këtë vrasje, Pine e ka kryer më 25 qershor 2014 dhe në bazë të deklarimeve ia kishte kërkuar Tafilaj ta kryente për llogari të një familje me të cilët Mani kishte hasmëri. Sipas prokurorisë, në rastin e Ibrahim Manit, dyshohet se Admir Tafilaj ka përfituar një shumë të konsiderushme parash për të kryer ekzekutimin.

LEXO EDHE: Rrëfimi/ Vrau ish-vjehrrin 3 ditë më parë, por për kokën e tij u paguan 50 mijë euro (FOTO)

Pas vrasjes në Shkodër, që Pine pranon se ka qenë e para në jetën e tij, atij i është kërkuar nga bashkë i pandehuri tjetër Alfred Qefalia të vrasë shtetasin Edmond Çakmashin në Shkozë të Tiranës. Për këtë vrasje, Pine thotë se ishte në dijeni edhe Admir Tafili nga burgu, i cili ka insistuar të kryent vrasjen dhe do merrte shumën prej 15 mijë eurove.

Mbrëmjen e datës 3 shtator të 2014 Pine është afruar pranë makinës së parkuar brenda të cilës ndodhej Edmond Çakmashi dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të tij. Pine i ka thënë prokurorisë se nuk donte ta vriste por vetëm ta plagoste. Për këtë fakt, ai ka kërkuar shumën prej 7500 euro por që nuk i është dhënë.

Advertisement

Në shtator 2017, grupi i Tafilit mori dënime të rënda nga gjykata, ndërsa i penduari i drejtësisë, Kristi Pine i shpëtoi burgimit të përjetshëm dhe trupi gjykues vendosi të lërë atë pas hekurave për 10 vite.

Vrasjet e bujshme në Elbasan

Euglen Halili është një tjetër i penduar i drejtësisë. I riu nga Gjinari thotë se u pajtua nën ndërmjetësimin e të akuzuarit Xhuliano Hoxha me premtimin se do të fitonte shumë para, ndaj dhe ai nisi gjurmimin e viktimave. Për vrasjen e Emiljano Ramazanit, ai e ndoqi këmba-këmbës viktimën dhe e priti të mbaronte palestrën, kurse për Regis Runajn, ishte marrë porosia që ai të qëllohej brutalisht me thikë siç dhe u masakrua.

Halili, 25 vjeç, u arrestua nga policia së bashku me 31-vjeçarin Hoxha në 8 gusht 2020 nën dyshimin si vrasës me pagesë. Ai u ka thënë hetuesve se Erjon Alibej, kishte paguar 100 mijë euro për të ekzekutuar Emiljano Ramazanin dhe shokun e tij, Regis Runaj për hakmarrje për vrasjen e vëllait (Endrit Alibej), ngjarje të ndodhura në 20 dhe 30 korrik në qytetin e Elbasanit.

Një tjetër rast pendimi, është edhe ai i Ervis Bardhit, i cili rrëfeu vrasjet e bujshme për grupin e Çapajve po në Elbasan. I penduari i drejtësisë ka dëshmuar në gjykatë se është paguar me 50 mijë euro nga Ardian Çapja për vrasjen e babë e bir Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan në vitin 2012. Dëshmitari dha detaje nga mënyra se si ishte njohur me Gentian Beqirin në burgun e Peqinit dhe marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij nga Ardian e Florenc Capja deri në ditën e ekzekutimit.

Advertisement

LEXO EDHE: Dosja/ Rrëfimi i të penduarit zbardh vrasjen e Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012

Në fillim të dëshmisë së tij, Ervis Bardhi i kërkoi ndjesë nënës së Gentian Beqirit. Bashkëpunëtori i drejtësisë ka rrëfyer edhe takimin e parë që ka bërë me Ardjan dhe Florenc Çapjan. Në atë takim, ai pretendon se kanë marrë 2500 euro dhe një pistoletë me silenciator. Ndërsa takimi i dytë ka ndodhur në Krrabë. Bardhi pretendon se fillimisht e ka qëlluar me plumb në faqe Gentian Beqirin, ndërsa më pas e ka shkrepur armën dhe 3 herë të tjera.

Ndërsa Nezir Beqirin e ka vrarë Olsi Leku, duke e mbytur me jastëk pasi e kishte goditur fillimisht në nofull. Vrasja e Behas Sofisë, ndërmjetësi dihet, porositësi jo! Personi që qëlloi ndaj Behar Sofisë, ishte një i ri i papunë që u josh se do të paguhej 20 mijë euro deri në 30 mijë për vrasjen, por që më pas nuk iu dha asnjë qindarkë. Nga frika se ishte zbuluar, atentatori Ernejt Shyti u largua menjëherë pas krimit drejt Malit të ZI , por kur kriminalistika konfirmoi se mbetjet biologjike i përkisnin atij, policia shqiptare i kërkoi Podgoricës dorëzimin.

LEXO EDHE: Dëshmia/ Roli i ish-presidentit të klubit të futbollit, Arben Laze në vrasjen e Emiljano Ramazanit

Shyti, i cili u arrestua së bashku me tre të tjerë, për akuzën e vrasjes me pagesë në bashkëpunim, rrëfeu vrasjen, por duke treguar vetëm bashkëpunëtorët. Por Skënder Vathi, i cili sipas dëshmisë se 24-vjeçarit është organizatori i vrasjes së Behar Sofisë, gjatë marrjes në pyetje nga hetuesit, ka pretenduar se nuk ka lidhje me vrasjen dhe se nuk e njeh Shytin. Përpara hetuesve të njëjtën gjë ka pretenduar edhe Xhuljano Visha, i cili sipas dëshmisë të autorit të dyshuar të vrasjes është pikërisht ky që ka kontakuar 24-vjeçarin. Në këtë çështje që është ende në gjykim dihen vetëm organizatorët e atentatit, por porositësi ende nuk është zbuluar.

Lista e të mbrojturve nga shteti pas fjalës së tyre është e gjatë, pasi aty përfshihen edhe të afërmit e tyre. Mes personazheve të penduar është edhe Luftar Reçi, i cili ka treguar emrat e bashkëpunëtorëve të tij për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lamajt para 17 vjetësh. Reçi, i cili po vuan dënimin në burg ka hapur “petët e lakrorit”, duke akuzuar disa persona për këto vrasje.

Advertisement

Lul Berisha dhe Plarent Dervishaj (kunati i Berishës), aktualisht janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, ndërsa Indrit Taullai, Luftar Reçi (i penduar, ka përgatitur bombën që shpërtheu në ashensor, ku humbi jetën edhe Artan Arsi), Viktor Ymeri dhe Emiljano Shullazi janë arrestuar (edhe për vepra të tjera penale). SPAK ka marrë çështjen në dorë dhe e ka dërguar dosjen në gjyq, në pritje të vendimit për të gjithë të akuzuarit.

Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj

Mes dëshmive më të bujshme të bashkëpunëtorëve të drejtësisë është edhe ajo e Nuredin Dumanit dhe Henrik Hoxhajt. “Killeri” që u arrestua pak kohë më parë në Fier, është penduar dhe ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Ndaj Dumanit, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit në Elbasan, tashmë i penduar i drejtësisë, rëndojnë akuzat për katër vrasje, vrasje të mbetura në tentativë, grup të strukturuar kriminal. Pas dëshisë së tij, u arrestuan dhjetëra persona të dyshuar për vrasje dhe krime të ndryshme gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.

Dumani është arrestuar në maj të këtij viti, pasi shkoi që t’i bënte atentat Talo Çelës në fshatin Papër në Elbasan, por ai iu kundërpërgjigj duke e lënë të plagosur. 37-vjeçari ka zbërthyer çështje të krimit të organizuar nga jugu në veri të vendit dhe ka pranuar se është paguar për të eliminuar fizikisht anëtarë të grupeve të tjera kriminale.

Dumani, ishte një prej personave më të kërkuar në vend. Ai u arrestua në Fier më 29 mars (2022) kur po merrte ndihmë mjekësore, pasi ishte plagosur në aksin rrugor Elbasan-Cërrik ku ishte nisur për të kryer një atentat. Së bashku me të u arrestua edhe Henrik Hoxhaj, i cili gjithashtu ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë. Emri i Nuredin Dumanit del në pjesën më të madhe të dosjeve për vrasjet e kryera në Elbasan, Peqin e Durrës në 2 vitet e fundit.

Advertisement

Vrasësi i komisarit Artan Cuku

Mikel Shallari i ka shpëtuar dënimit me burgim të përjetshëm, pasi ka bashkëpunuar me Prokurorinë, duke pranuar autorësinë e krimit dhe duke treguar ndërmjetësin dhe porositësin e vrasjes së komisarit të policisë Artan Cuku. Sipas tij, vrasja në 8 prill 2017 u porosit nga Bledar Jambelli dhe Kristaq Leci, të cilët dyshohet se janë arrestuar në Greqi për llogari të drejtësisë helene.

Mikel Shallari
Mikel Shallari

Jambelli është arrestuar edhe më herët në Greqi në vitin 2019, por pala greke refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri. Të dy kanë paguar Mikel Shallarin për ekzekutimin e Cukut në shenjë hakmarrjeje. Ndërkohë, Shallari, edhe pse bashkëpunoi me drejtësinë, duke treguar emrat e porositësve, vuan dënimin me 10 vjet burg, duke u përfshirë në programin e mbrojtjes së dëshmitarëve.

Shallari u identifikua nga kamerat e sigurisë dhe rrobat e përdorura në atentat, të cilat i hodhi në një kosh mbeturinash në zonën e Tiranës së Re. Arsyeja e vrasjes? Në vitin 2012, Cuku drejtoi një operacion, ku arrestoi Bledar Jambellin, si person të dyshuar për një vrasje të ndodhur në qytetin e Vlorës. Në vitin 2014, Jambelli rifitoi lirinë nga Gjykata e Apelit të Vlorës me argumentin se ekspertiza e gjurmëve të gishtave në makinën e përdorur gjatë vrasjes në qytetin jugor ishte e parregullt./Marrë nga Gazeta Si

The post Nga Coli e Sinanaj tek Dumani e Beqirajt/ Të penduarit që u rrëfyen para drejtësisë appeared first on Lapsi.al.

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy