Mesnata e 25-26 prillit të vitit 1986 mund të konsiderohet si një nga netët më katastrofike në historinë e shekullit të 20-të! Një prej reaktorëve të centralit bërthamor që prodhonte energji në veri të Ukrainës, atë të Çernobilit shpërtheu papritur duke shkaktuar viktima e duke ngritur lart një re të dendur radioaktive.
Ky aksident konsiderohet si një prej katastrofave më të rënda në histori si për pasojat, ashtu edhe për numrin e viktimave. Reja e dendur radioaktive nisi të shpërndahej në Rusi e Ukrainë për të vijuar më pas edhe Francë, Itali e deri në Shqipëri.
Ky aksident konsiderohet si një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë. Helmimi radioaktiv dhe rrezikshmëria që sillte energjia bërthamore bënë që shumë shtete t’i largoheshin kësaj teknologjie për prodhimin e energjisë.
Emisioni ‘DOSJA E’ në SCAN TV ka transmetuar raporte ekskluzive dhe dëshmi që vijnë për herë të parë në ekranin shqiptar lidhur me atë që ka ndodhur në javët e ankthit që mbërthyen Shqipërinë e vitit 1986…
“Ashtu si shumë vende të tjera, Shqipëria e mësoi me vonesë lajmin për katastrofën që kishte ndodhur në Cernobil natën e 25-26 prillit 1986. Aparaturat e matjeve rutinore të vendeve europiane kishin arritur të kapnin radioaktivitet të shtuar duke ngritur alarmin për atë që kishte ndodhur, një alarm që arriti përmes medias në Tiranë, shumë më herët sesa reja radioaktive” shprehet profesor doktor Edmond Panariti, asokohe pjesë e grupit të punës që u ngrit për përballimin e emergjencës.
Disa eksperimente bërthamore globale që ishin kryer në mesin e viteve ’70 kishin bërë që Shqipëria asokohe të ngrinte një rrjet të tërë monitorimi periodik të nivelit të radioaktivitetit.
Rrjeti i monitorimit periodik të radioaktivitetit, i cili ekzistonte prej vitit 1977, përfshinte 11 pika kontrolli të ngritura nga Instituti i Fizikës Bërthamore në Bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, përmes të cilave bëhej marrja e përditshme e mostrave të ujit nga lumenjtë, sidomos të atyre që komunikonin me territore të shteteve të huaja si dhe të ujit të detit.
Njëkohësisht bëhej mbledhja e depozitimeve atmosferike në dy pika në Tiranë dhe Korçë. Mostrat ujore dhe ato të depozitimeve atmosferike silleshin çdo dy javë në Institutitin e Fizikës Bërthamore ku përcaktohej niveli dhe përmbajtja e radioaktivitetit me një sistem matës të ndjeshëm.
Ky lloj kontrolli për kushte normale cilësohej si i mjaftueshëm dhe i ngjashëm me atë që bënin vende e tjera. Veç matjeve që bënte Instituti i Fizikës Bërthamore një sistem i tërë pajisjesh dozimetrike më pak të ndjeshme ishin të shpërndara në të gjithë vendin dhe ato përdoreshin nga ushtria.
Krahas sistemit të monitorimit, Shqipëria kishte miratuar në vitin 1985, vetëm 1 vit para aksidentit teknologjik të Cernobilit edhe një plan emergjence në raste sulmi bërthamor. E ky plan emergjence do të vihej në zbatim në fillimin e majit të vitit 1986, si rrjedhojë e ndryshimit të papritur.
“Lajmi e kishte marrë dhenë në një rrugë tjetër. Radiokativiteti kishte nisur të shfaqej në ato shtete rreth: Austri, Çeki, Poloni. Lajmi doli në media, që ka ndodhur, kjo etj . Një komunikim me agjencinë ndërkombëtare të energjisë atomaike dhe ata na informuan” tregon Prof.dr Përparim Fuga, ish drejtor i Institutit të Fizikës Bërthamore, asokohe pjesë e grupit të punës që ishte ngritur për përballimin e emergjencës.
“Shërbimi suedez dhe norvegjez dha alarmin sepse bashkimi sovjetik i asaj kohe as nuk kishte ndërmend ta bënte publike dhe gjithçka ishte ruajtur në një sekret hermetik. Nuk donte që bota ta merrte vesh këtë incident të rëndë bërthamor. Por kjo ishte e pamundur, pasi pas matjeve në ajër nga shërbimet e Suedisë dhe Norvegjisë u lajmërua. Kështu, ky sekret nuk mbahej dot më i fshehur prandaj Bashkimi Sovjetik u detyrua të lajmëronte fillimisht Agjensinë e Energjisë Atomike në Vjenë dhe të shpallte një aksident të rëndë bërthamor në centralin e Çernobilit. Fatkeqësisht erërat ndryshuan drejtim. Pra në datën 27, 28, 29 Prill erërat lëvizën kryesisht drejt perëndimit dhe veriut dhe më pas reja radiokative nisi të lëvizë në Europën Juglindore” tregon Pr.dr Edmond Panariti.
“Instituti që më herët, me të marrë vesh për aksidentin, kishte filluar të merrte disa masa, pavarsisht se nuk kishte ndonje përvojë, apo eksperiencë. Kishte filluar të merrte kampione ajri. Të cilat me anë të një pompe ajri, të cilat futeshin në filtra dhe mateshin çdo ditë, që nga data e aksidentit nisi ky monitorim nga instituti. Në maj filtri shfaqi radioaktivitet” tregon prof.dr.Përparim Fuga
Ardhja e resë radioaktive nga Cernobili në Shqipëri
Lajmi se mbi Shqipëri mbërriti reja radioaktive e Cernobilit shkaktoi jo pak ankth në popullatë, por edhe te udhëheqja e kohës. Duke ndjekur planin e emergjencës, u ngrit menjëherë Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit.
“Institucioni kishte tre rrjete monitorimi, (që nuk ishin të ngritura për aksidentin, por për qëllime të tjera), rrjetin e emeregjencave që konsitonte në monitorimin e ajrin, (duke marrë kampione ajri dhe matje radioaktiviteti). Pas këtij aksidenti ky rrjet u zhvillua dhe u ndërtuan 5 stacione. Një Kukës, Shkodër, Korçë, Tiranë në Vlorë e Gjirokastër, të cilat masnin radioaktivitetin e ajrit dhe e transmetonin në kohë reale. Kishte rrjetin e matjeve ambjentale, ishin 11 pika të vendosura në reparte ushtarake buzë lumit ku merreshin kampionet dhe një herë në dy javë analizoheshin në Institutin e Fizikës Bërthamore.
Ky ishte një tregues shumë i mirë sepse në mënyrë të vazhdueshme matej radioaktiviteti. Pse në ujra? Sepse gjithçka shkonte në lumej ose në det. Dhe rrjeti i tretë ishte rrjeti i matjeve të dozimetrisë të punonjësve që ishin të angazhuar në veprimtari në fushën e fizikës bërthamore. Këto 3 rrjete u aktivizuan menjëherë” tregon pr.dr Përparim Fuga.
“Unë kam qenë në atë kohë punonjës kërkimor shkencor në Insitutin e Kërkimeve Veterinare në një sektor që kishte emërtimin e Radiobiologjisë së Rrezatimeve. Në atë kohë ne kemi pasur struktura të posaçme që merreshin me studimet e ndotjes radioaktive, rrezatimit jonizues në rastin e një lufte bërthamore. Kjo luftë nuk ndodhi ndonjëherë, por ndodhi ky shpërthim që mund të themi ishte një mini luftë bërthamore, pasi metodologjia e trajtimit është e njëjtë, prandaj ne ishim të parët në radhë të kësaj historie. Kemi bashkëpunuar ngushtë me Insitutin e Fizikës Bërthamore, për të cilët kam një konsideratë të veçantë për fizikantët që u morën me matjet dhe studimet e radioaktivitetit në tokë, ujë, ajër dhe ushqim pasi qartazi reja radioaktive na përfshiu” shprehet pr.dr. Edmond Panariti.
Këshilli i Ministrave kërkoi menjëherë një raport për situatën e radioaktivitetit në Shqipëri. Ja se si e përshkruan situatën Ministri i Shëndetësisë Ajli Alushani që drejtonte Komisionin e Mbrojtjes së Mjedisit në një raport që mban datën 3 maj 1986.
“Lidhur me avarinë e centralit bërthamor sovjetik, kontrolli i filluar menjëherë nga Instituti, ka treguar se deri në orën 14 të datës 30.4.1986 nuk u ndje ngritje aktiviteti radioaktiv. Në matjet e datave 1 dhe 2 maj të këtij muaji rezulton një nivel radioaktiviteti 2 deri 3 herë më i lartë se niveli bazë. Kjo është shumë më e ulët se niveli i rrezikshmërisë” shkruhej në dokument.
Në mbasditen e datës 2 maj 1986 ky nivel arriti 10 fishin e nivelit bazë. Në këtë situatë, Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit duke u mbështetur në këto të dhëna pasi dhe në tërheqjen e mendimeve të specialistëve arriti në përfundimet e mëposhtme:
-Aktualisht ky nivel ndotës nuk paraqet probleme shqetësuese për mjedisin dhe gjendjen shëndetësore të popullatës.
-Ecuria e nivelit të ndotjes në ditët e ardhshme tani për tani mbetet i panjohur prandaj Instituti i Fizikës Bërthamore po vazhdon vrojtimet për të dhëna të sakta, ndërsa rrjeti i vëzhgimit radioaktiv në rrethe kryen matjet orientative të përditshme.
Duke u ndodhur përpara kësaj situate Komisioni i Mbrojtjes së Mjedisit vendosi të merren këto masa:
1-Të informohet popullata nëpërmjet organeve të shtypit, të radios dhe televizionit për të patur njohuri më të qarta mbi këtë problem.
2-T’i rekomandohet popullatës pastrimi me ujë të rrjedhshëm i zarzavateve të freskëta, mënjanimi i përdorimit për pirje të ujit nga burimet e hapura dhe rezervuaret. Kufizimi i qëndrimeve të gjata të grave shtatzëna dhe fëmijëve të vegjël në mjediset e hapura.
3-Për disa produkte ushqimore që do të importohen nga vendet që kanë deklaruar ndotje të rëndësishme, para se t’i jepen për konsum popullatës, Instituti i Fizikës Bërthamore do të bëjë analizën për prezencën dhe nivelin e lëndëve radioaktive.
4-Në formë sondazhi do të merren analiza të ujit, tokës e bimësisë në disa rrethe për t’u analizuar në Institutin e Fizikës Bërthamore.
Kryetari i Komisionit Qëndror të mbrojtjes Mjedisit
Ajli Alushani
Tiranë 3 maj 1986.
///
Krahas raportit nga Kreu i Komisionit të Mbrojtjes së Mjedisit, qeveria e kohës kërkon informacione edhe nga Instituti i Fizikës Bërthamore. Po me datën 3 maj 1986, Instituti i drejtuar asokohe nga fizikanti Skënder Koja informon Këshillin e Ministrave lidhur me lëndën radioaktive që ndodhej edhe në qiellin e Shqipërisë, duke evidentuar natyrën dhe rrezikshmërinë e tyre. Instituti në këtë raport kërkonte që të tregohej maturi me reagimin pasi situata nuk ishte alarmante sa e mendonte Komiteti i Mbrojtjes së Mjedisit dhe madje jepte edhe shembuj duke thënë se kjo nuk ishte hera e parë që Shqipëria përballej me një problematikë të tillë. Kërkesa e institutit ishte që që popullata të mos alarmohej.
“Këto rritje duhen konsideruar shumë të vogla po të kemi parasysh se normat ndërkombëtare vlerësojnë si preokupante për popullatën një rritje prej 100 herësh kundrejt nivelit bazë natyrore. Madje dhe rritja prej 100 herësh mund të shkaktojë problem serioze vetëm po të vazhdojë për një kohë të gjatë prej shumë javësh. Po të nisemi nga kjo logjikë, duhet qendruar në mendimin se nivelet e regjistruara sot nga ne nuk përfaqësojnë asnjë rrezik.
Problemi që mbetet i panjohur është ai i dinamikës që do të pësojë situata në ditët e ardhme. Për këtë mund të bëhet ky parashikim. Duke u nisur nga fakti se brumi i ndotjes radioaktive është mbyllur, situata e përgjithshme duhet të vijë duke u përmirësuar. Nëqoftëse ndonjë kombinim i disfavorshëm faktorësh meteorologjikë do të çojë në rritje, kjo e fundit duhet të jetë e vogël dhe afatshkurtër. Prandaj mendojmë se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Lidhur me informatat e huaja mbi disa udhëzime për popullatën të cilat janë dhënë edhe nga ne, ato duhen intepretuar si më poshtë:
Ekziston teorikisht një probabilitet që rrezatimi bërthamor të shkaktojë ndryshime gjenetike. Për nivelet e përmendura më sipër, këto mundësira janë tepër të papërfillshme, por normat morale të mjekësisë siç dihet kanë për detyrë të mënjanojnë çdo faktor dëmtues që mund të shmanget. Në të vërtetë faktorët e tjerë që provokojnë ndryshime gjenetike si substancat kimike etj. Janë shumë më të rëndësishme se sa ky faktor i ri që u shfaq këto ditë dhe që do të jetë krejt provizor” – shkruhej në raport.
Parashikimi i kreut të Fizikës Bërthamore, Skënder Koja në këtë raport do të rezultonte i saktë sepse faktori i ri rezultoi të ishte krejtësisht provizor. Por në shkresën e Kojës kuptohet një shqetësim tjetër, ai që kishte kaluar më herët Shqipëria, në vitet 1976-1977 kur Kina kishte bërë prova bërthamore.
“Sasia e lëndëve radioaktive që është lëshuar në atmosferë nëpërmjet provave bërthamore që vazhduan deri pak vite më parë është qindra herë më e madhe se sa sasia që është lëshuar nga ky aksident. Dhe megjithatë, anjëhere nuk janë bërë paralajmërime alarmante për popullatën. Vetë instituti jonë ka regjistruar një rritje shumë të madhe të sasisë së radioaktivitetit në vitet 1976-1977 pas provave kineze në atmosferë megjithë largësinë e madhe të vendit të eksplozionit” shkruhej në raportin e Kojës, ku duket qartë tendenca për të mos krijuar panik të mëtejshëm në Shqipërinë e mbërthyer nga frika, ashtu si pjesa tjetër e botës.
Cilat qytete dhe zona të Shqipërisë u prekën më shumë nga radioaktiviteti i Çernobilit
“Ka përshkruar kryesisht territoret e Shqipërisë veri-lindore dhe juglindore, ndërsa më pak e prekur ishte pjesa perëndimore e vendit. Por veri-lindja dhe jug-lindja kanë qenë të prekura mjaft. Nisur edhe nga relievi kryesisht i thyer malor, reja kishte tendencën të përplasej me pllajat e larta me terrenet malore. Në atë kohë për fat të keq ka pasur edhe rreshje lokale kështuqë u zhvillua ajo që quhet “Fenomeni i Njollës së Leopardit”.
Pra aty ku kishte rreshje kishte ndotje të madhe dhe aty ku nuk kishte rreshje nuk kishte ndotje në nivele të larta. Niveli më i lartë regjistruar dhe i raportuar i radioaktivitetit në atë kohë ishte në Rajs të Librazhdit. E gjithë Zona e Librazhdit le të themi në datat 6-7 maj 1986 pati reshje dhe pati depozitime të larta të jodit radioaktiv, që ishte dhe elementi kryesor i zbërthimit radioaktiv që mbërriti në Shqipëri, por në nivele të ulta pati edhe element si ceziumi 134, ceziumi 137, stroncium 189, por 90% të ndotjes kemi pasur jod radioaktiv” tregon pr.dr Panariti.
“Pozitiv ishte fakti që ne patëm një mbrojtje, qoftë për shkak të distancës nga vendi i aksidentit, por në mënyrë të veçantë nga alpet, terreni malor, bëri që reja radioaktive të orientohet kryesisht në zonën verilindore dhe e preku shumë pak pjesën e Shqipërisë qendrore dhe juperëndimore. Radioaktiviteti u shfaq në bimë, ujë, ajër në produkte të ndryshme dhe menjëherë u morën masat e mundshme që mund të merreshin në atë kohë” tregon pr.dr Përparim Fuga.
Fenomeni i ndotjes së qumështit.
Data 5 maj shënon një pikë kthese në impaktin që reja radioaktive pati në Shqipëri. Situata bëhet alarmante për faktin se për herë të parë në Librazhd reshjet e shiut kishin bërë që grimcat radioaktive të zbrisnin poshtë dhe përmes barit të kalonin te bagëtitë e më pas të qumështi që ato prodhonin, duke përbërë rrezik për popullatën. Ja si përshkruhet situata në informacionin numër 3 të Komisionit Qendror të Mbrojtjes së Mjedisit.
Informacion numër 3
Komisioni qendror i mbrojtjes së mjedisit u mblodh me datë 5 maj ora 18:00 për të shqyrtuar ecurinë dinamike të ndotjes së mjedisit deri në orën 16:00 të datës 5 maj dhe arriti në këto përfundime.
Matjet e kryerja nga Instituti i Fizikës Bërthamore në orë 16:00 të datës 5 maj, tregojnë një rritje të radioaktivitetit të depozituar në sipërfaqen e tokës. Matjet absolute në mostrat e qumështit të marra në tregun e Tiranës dhe në fermën e Selitës treguan vlera prej rreth 400 bekerel, të cilat kundrejt normës maksimale të lejuar 9 mijë bekerel, konsiderohet i ulët.
Mostrat e qumështit të marra nga ushtria në Rajcë të Librazhdit dhe e matur në Institutin e Fizikë Bërthamore pas orës 16:00 të datës 5 maj treguan një nivel të lartë radioaktivitetit prej 13 mijë bekerel që është rreth 45% mbi normën maksimale të lejuar për kushte të jashtzakosnhme. Këto dukuri të papritura mesa duket shpjegohen me shirat që kanë rënë në zonën e Rajcës gjatë dy ditëve të kaluara. Por duke patur parasysh parashikimin e motit, reja radioaktive që ka qendruar mbi vendin tonë këto ditë pritet të largohet dhe situata e përgjithshme e atmosferës duhet të vijë duke u përmirësuar. Megjithatë për rastin e jodit në qumësht, për shkak se efekti i tij lidhet jo me gjëndjen e atmosferës, por me atë të shkallës së kontaminimit të barit, mundet që niveli të vazhdojë rritjen përkohësisht. Duke pasyur parasysh këtë situatë komisioni arriti në këto përfundime:
Të shtrihet marrja e mostrave të qumështit dhe barit në rrethet Librazhd, Pogradec, Korçë, Shkodër, Kukës, Dibër, Bajram Curr, Gjirokastër dhe Tiranë. Rezultatet eanalizave do të jepen në 7 maj, pas orës 18:00.
Propozojmë që qumështi i prodhuar në ekonomitë e fshatit Rajcë të Librazhdit të mos përdoret për konsum nga popullata, por të përpunohet në djath e nënprodukte të tij dhe të vihet në ruajtje për t’u përdorur pas 2 muajsh.
Situata po ndiqet në vazhdimësi dhe për përfundimet do ju njoftojmë.
“Padyshim ishte njëherë ndotja e ajrit, por ishte diçka që kaloi shpejt sepse për fat nga data 4-5 pati reshje të dendura që në një mëyrë ose tjetë, aurezolet i ulën në tokë dhe ndoqën një rrugë tjetër jo nëpërmjet frymëmarrjes. Ndërkohë në produktet ushqimore u dhanë udhëzime të qarta si duhet të laheshin e pastroheshin çfarë të pihet e çfarë jo. Për qumështin që ishte sensitiv, të dhënat e asaj kohe tregonin se 90% e qumështit vinte nga pjesa jugore dhe perëndimore e Shqipërisë dhe të gjithë e dimë se kryesisht në atë kohë kemi konsumuar qumësht pluhur që s’kishte të bënte me Cernobilin, por në ato raste kur kishte nivele të larta ndaloheshin për t’u përdorur.Ky ishte një efekt dhe u përballua dhe unë do të thosha se u përballua me sukses kur nuk kishim përvojë, por edhe me kufizime aparaturash” tregon pr.dr Përparim Fuga
“Ne kemi pasur një problem shumë të madh për të përcaktuar nivelin më të madh të lejuar. Kush do ishte niveli që do quhej i rrezikshëm ose jo. Ne ishim totalisht në errësirë sepse në manualet e ushqimit të asaj kohe as që ishte menduar të vendoseshin kufij të lejuar për ndotjen radioaktive. Behej fjalë pë ndotjen bakteriale, insekticide, pestidcide, por për ndotjen radioaktive nuk ishte menduar ndonjëherë. Kështuqë ne duhet të përcaktonim me dakordësi brenda komitetit se kush do ishte niveli makismal i lejuar mbi të cilat do vendosnim pragun: ç’është mbi këtë nivel, duhet shkarkuar/ asgjesuar dhe çfarë ishe poshtë mund të përdorej për konsum publik. Ishte një debat i madh. Gjetëm një material referues provizor që e lëshoi Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila vetë ishte e papërgatitur për të mbajtur një qëndrim në këtë situatë.
Aty përcaktohej për jodin 131 dhe jodin 125 niveli 2000 bekerel (njësi matëse për radioaktivitetin specifik për litër qumësht). Nëse do thuhej tani që niveli maksimal i lejuar është 2000 bekerel do përbënte një skandal në kohën që jetojmë sepse agjensia amerikane e ushqimit dhe barnave ka përcaktuar si nivel të lejuar aktualisht vlerën 150 bekerel, pra përtej këtij niveli duhen marrë masa të menjëhershme. Ndërsa ne në atë kohë i lejuam vetes luksin që të kishim këtë nivel të rekomanduar nga OBSH. Dhe këtë përdorëm si nivel për të vendosur nëse ushqimi duhet konsumuar ose jo. Por edhe pse ishte nivel i lartë, disa herë e kemi kapërcyer me matjet tona. Mesa më kujtohet në Rajs të Librazhdit, kemi pasur vlera të radioaktivitetit që kanë shkuar edhe në 6000 apo 7000 bekerel për litër qumësht. Ndërsa në mish, pjesa më e rrezikuar ishte ajo e muskujve të qafës të bakëtive, sepse aty përqëndrohej gjendra teroide, ku kishte nivele shumë të larta.
Kur çuam monstrat në spitalin e Tiranës, në laboratorin “Tetra 1” që merrej me realizimin e grafive të pacientëve me tiroide, shinografia ishte alarmante, pasi bëhej fjalë për solucione të holluara radioaktive në brendësi të mishit. Ndaj u dha urdhëresë që të hiqej dhe groposej menjëherë pjesa e qafës së të gjitha bakëtive që sakrifikoheshin për ushqim. Kjo u zbatua padyshim në thertoren e Tiranës kjo u zbatua, ndërsa në thertoret e Shqipërisë nuk jam i sigurt nëse është zbatuar, mbetet për t’u parë. Shpresoj të jetë zbatuar, pasi nëse është konsumuar mishi në pjesën e qafës është njësoj si të jetë pirë solucion radioaktiv sepse i tillë ka qenë përqëndrimi i jodit radioaktiv” tregon Prof. Dr Edmond Panariti
Situata e problematikës me konsumin e qumështit të bagëtive të imëta do të zgjaste deri më datën 19 maj 1986, kohë kur do të shënoheshin nivele të ulëta të jodit në qumësht, duke e bërë të panevojshëm ndalimin e konsumit të tij në Shqipëri. Në atë kohë nuk do të mungonin as përplasjet mes specialistëve për nivelin e matjeve, ku do të pranoheshin gabime me nivelin e rrezatimit në produkte, por që zyrtarisht në fund u arrit në konkluzionin se edhe pse matjet ishin bërë gabim për qumështin, sërish edhe me matjet e reja vendimi për të ndaluar konsumin e tij do të ishte i pashmangshëm.
“Në fillimet e veta vështirësia kryesore ishte paniku që u krijua, të gjitha këto ndikonin, mungesa etj, por mungesa më e madhe ishte mungesa e standardeve. Nuk kishte standard me të cilat të bëje matjet. Për qumështin ishte më lehtë se e ndërtojë standarin me ujë, por për bimët, mishin ishte e vështirë që të ndërtoje standarde dhe të bëje matje. Kjo mund të ketë sjellë devijime nga vlera e matur te e sakta, por me kalimin e kohës u eleminuan dhe matjet u konsoliduan. Fakt është që Në përfundim të gjithë kësaj që zgjati rreth 1 muaj me instentitet të lartë agjencia ndërkombëtare e energjisë atomike i dha matjet standarde dhe ato u konvertuan me ato që kishim bërë ne.Po ashtu ka botime të autorve shqiptar dhe të huaj që tregojnë një kovergjencë midis rezultateve të arritura nga punonjësit e institutit dhe matjeve të bëra në vende fqinje si Greqia ” tregon pr.dr. Përparim Fuga.
Por ndërsa në këtë periudhë emergjenca kishte kaluar dhe reja radioaktive nuk përbënte më rrezik për të dëmtuar përmes rrugëve ajrore, por vetëm përmes grimcave që ishin depozituar në tokë pas reshjeve të shiut, vendi gjendet përballë një sfide të re; asaj të tregtisë. Shumë vende lindore nuk po arrinin të eksportonin mallra në vendet e paprekura me argumentin se ato ishin të kontaminuara. Pjesë e ndalimeve u bë edhe Shqipëria, e për këtë qëllim organet e tregtisë kërkonin që të pajiseshin me dëshmi nga Instituti i Fizikës Bërthamore që produktet që po eksportoheshin nuk kishin lëndë radioaktive.
Emergjenca dhe ankthi në Shqipëri do të zgjaste deri në fund të muajit maj. Por sfida e re do të ishte ajo e radioaktivitetit që kishte zbritur në tokë. E një prej problemeve që pranohet në një raport përmbledhës të 22 shtatorit 1986, ku jepet përmbledhja e ecurisë së radioaktivitetit në periudhën qershor-shtator 1986 është ajo e bimëve mjekësore që rezultonin të vetmet që shfaqnin problem.
Problemi me eksportin e bimëve mjekësore
“Një nga llojet e eksporteve me vlerë për Shqipërinë e asaj kohe ishte eksporti i bimëve medicinale që territori ynë kam me shumicë. Konkurenca jonë kryesisht ishte me vëndet e Jugosllavisë, të cilat po ashtu kishin bimë medicinale dhe eksportonin. Rrethanat e prunë që territori i Jugosllavisë të kontaminohej më shumë se i joni dhe produktet e tyre u bllokuan.
Te ne siç e thashë zona veri-lindore Kukës, Peshkopi, Librazhd ishte ajo që u kontaminua më shumë. Eksportet tona, dy a tre anijet e para që nisën drejt Gjermanisë u kthyen dhe nuk arritën ta shkarkojnë mallin atje se ishin në nivel më të lartë se ai i lejuari i rrezatuar. Aty ju dha Institutit edhe detyra e dytë që ishte të matej radioaktiviteti i bimëve medicinale që do eksportoheshin.
Por kjo nuk ishte e lehtë sepse mungonte përvoja, ishte grumbulluar ca përvojë nga qumështi dhe produkte të tjera, por ishte gjë tjetër. Përgjegjësia ishte e madhe sepse bëhej fjalë për mijëra ton, që bënin rrugë dhe ishte keq të ktheheshin pas. E treta nuk kishim etalone, përdorej përvoja e teknikës montecarlo. Pra u bë një kalkulim që bëri të mundur llogaritjen mes kampionëve të bimëve medicinale me një kampion uji, kush ishte dallimi që mund të vinte prej përbërjes, dhe filluan matjet.
Filluan por ishin të kufizuara në numër, sepse ishte një aparat i vetëm, për një kohë të gjatë matjeje, kështuqë mund të bëje disa matje në ditë, ndërkohë anija kishte mijëra ton. Volum shumë i madh pune për t’u përballuar. Ishte shumë e vështirë. Këtu lindi ideja e krijimit të një grupi të dytë, të cilët, duke marrë një sasi materiali të matur saktë me këtë mënyrën e parë, me kampione të veçantë arritën që të bëjnë matje në volume të mëdha. Ndërtuan disa thasë me bimë medicinale të cilave ju njihej radioaktiviteti dhe u përdorën si entalone për të matur pastan në mëyrë rifugio.
Matje kamioni, matej në vapor, e gjithë sasia. Kjo e lehtësoi shumë punën e shpejtoi. Problemi megjithatë për ne mbetej, sa të sakta ishin matjet. Pasi e kishim marrë një “goditje” nga periudha e mëparshme që patën disa diferenca.
Në përfundim pas një muaji, erdhë rezultatet e para. Të gjithë vaporët u shkarkuan, dhe diferenca e matjeve tona me ato gjermane ishte shumë e vogël, rreth 6%. E mbaj mend shumë mirë, se ishte e vogël për matje të kësaj natyre. Nga kjo anë mund të themi që aksidenti ishte me përfitim ekonomik, sepse me sa mbaj mend ishte një shifër disa miliona dollarë që u përfitua për shkak se konkurentët humbën terren prej ndotjes së lartë që kishin, ndërsa ne përfituam nga kjo dhe matjet e sakta që kishim” shprehet pr.dr Përparim Fuga.
Eksperimenti pak i njohur shqiptar për radioaktivitetin në vitin 1987!
Krahas monitorimeve të vazhdueshme të nivelit të radioaktivitetit në vend, Shqipëria nuk u ndal në marrjen e masave parandaluese dhe menazhuese për rrezatimin që kishte pasur, por i zhvilloi edhe më tej studimet. Edmond Panariti, tregon se ka udhëhequr një studim eksperimental që ka nisur në fundin e vitit 1987 dhe përfundoi në vitin 1988.
“Instituti i sigurisë ushqimore u ngarkua nga qeveria e asaj kohe që të ndërmerrej një studim eksperimental për të parë se cili ishte fati i shpërndarjes së ndotjes radioaktive në qumësht dhe në mish në rastin e një ndotjeje radioaktive. Ishte eksperimentale dhe mu ngarkua mua. Isha në krye të një grupi pune ekspertësh dhe importuam me leje lëndë radioaktive nga Centrali i Budapestit dhe punuam kryesisht me jod. Centrali atje ishte eksperimental dhe ne porositëm jod radioaktiv dhe cezium. Por punuam kryesisht me Jod. Të punosh me Jod është shumë e rrëzikshme, ndaj ne kishim një sektor që kishte të gjitha masat për t’u mbrojtur dhe ne ishim të veshur si kozmonaut që shmangnim ndotjen nga rrezatimi.
Po kështu kafshët mbaheshin izoluar. Unë kërkova të punoja edhe në lop, por nuk më lejuan, sepse janë kafshë të mëdha, por më dhanë leje të punoja në dele dhe në dhi. Kemi krijuar eksperimente të ndotjes së simuluar duke dhënë kapsula jodi përmes gojës sikur ishin të ndotura nga një shpërthim bërthamor. Dhe më pas merrnim në mënyrë periodike monstra qumështi, urine dhe në sekuenca të caktuara edhe mostra gjaku. Si përfundim edhe i sakrifikuam delet për të marrë nivelet e jodit në gjendrën teroide dhe indet e ndryshme dhe krijuam një ide të qartë për mekanizmin i transmetimit, sa qëndronte lenda në mish dhe qumësht për masat që duheshin marrë dhe kufizimet në rast të një ekspozimi të mundshëm të blektorisë tonë.” …..
“Natyrisht pati studime të shumta në të gjithë botën, por ne e morëm më shpejtësi këtë histori sepse qeveria e asaj kohe ishte në alarm. Ju e dini si ka qenë ajo fobia e asaj kohe nga një sulm prej imperialistëve, reziovionistëve dhe donin që të ishin të përgatitur. Kjo ngjarje ishte një sinjal që kjo që ndodhi me centralin, mund të ndodhë me një sulm. Dhe ju e dini sa të përrgatitur ishim ne me bunkerë etj” – tregon pr.dr Edmond Panariti.
Ndryshimi i sistemit politik dhe rënia e komunizmit do të shoqërohej me harresën e shpejtë të asaj që kishte shkaktuar në Shqipëri, katastrofa më e madhe teknologjike në histori. Dhe në këtë kontekst, Shqipëria nuk ka monitoruar të dhëna se cilat kanë qenë pasojat reale që shkaktoi shpërthimi i Çernobilit në Shqipëri.
“Praktikisht, ai nxorri në pah domosdoshmërinë e institucioneve të kësaj natyre. Dhe në mënyrë të veçantë fuqizimin e rrjeteve të monitorimit. Këto rrjete erdhën duke u përmirësuar, deri në vitin ’96-’97, ndoshta diçka më vonë funksiononin, ndërsa aktualisht nuk e di a funksionojnë apo jo. Por për mendimin tim, duhet të jenë dhe duan kujdesin e tyre” shprehet pr.dr. Përparim Fuga
“Tani është vonë kanë kaluar aq vite, dhe nuk kemi të dhëna epidemiologjike për të përcaktuar, pasi nuk ka studime mbi popullatën që ishte e eskpozuar dhe çfarë ka ndodhur me të ndër vite. Sa ka qenë insidenca e keqformimeve, e patologjive, kancerëve, veçanërisht ai i tiroideve, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë që nuk ishte shumë e ekspozuar. Vetëm nëse do kishim këto statistika do mundeshim ta tregonim realisht efektin e këtij shpërthimi. Për sa kohë nuk i kemi, çdo hamëndje do ishte një spekulim Por ndotja ka qenë se ishte e matur!” – përfundon Prof.Dr. Edmond Panariti. /Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN
The post Katastrofa e Çernobilit në 1986/ Çfarë ndodhi në Shqipërinë komuniste appeared first on Lapsi.al.