Kriza ekonomike botërore e njohur si “Depresioni i Madh” filloi në tetor të vitit 1929 me kolapsin e Wall Street në Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe shumë shpejt u përhap në mbarë botën.
Efektet që solli kjo krizë ishin papunësia e lartë, varfëri, përfitime të ulëta, deflacion, ulje të të ardhurave në bujqësi e rënie të theksuar ekonomike.
Por mbi të gjitha, kjo krizë solli një humbje të besimit për një rritje ekonomike në të ardhmen. Kriza e nisur në vitin 1929 do të zgjaste deri në vitin 1933.
Në fakt, Shqipëria do të përjetonte një krizë të thellë e më të zgjatur në kohë, deri në atë pikë sa mund të konsiderohet katastrofë si për ekonominë shtetërore, ashtu edhe për familjare.
E kësaj krize, që ndikoi negativisht te dërgesat e emigrantëve e te tregtia e jashtme, me pasoja zinxhir në ekonomi më pas, do t’i shtohej edhe një periudhë e keqe stinore e prodhimit të drithit për bukë e një periudhë e tensionuar e marrëdhënieve politike të Shqipërisë me Italinë.
Marrëdhëniet e tensionuara do të sillnin më pas edhe ndërprerjen e një burimi të rëndësishëm që kishte shërbyer si “oksigjen” për balancën që vinte nga këstet e kredisë të cilat përdoreshin edhe për financimin e deficitit buxhetor.
Lindja e krizës së borxheve në Shqipëri! “Zhdukja” e parasë dhe fuqizimi i fajdeve!
Pasojat e krizës ekonomike do të ndjeheshin edhe në zhvlerësimin e frangut shqiptar. Zhvlerësimi i tij në këtë periudhë arriti në 5-6 % çka shkaktoi panik te tregtarët e biznesmenët e tjerë të cilën shkëmbyen kartëmonedhat me monedha ari duke ndikuar negativisht te politika e bankës për kontrollin e parasë në qarkullim.
Mbushja e sporteleve të bankës qendrore për shkëmbimin e parave solli një pakësim të parasë në qarkullim me 4 milionë franga; nga 14 milion ra në rreth 10 milionë franga.
Nga ana tjetër, u rrit ndjeshëm edhe fenomeni i fajdeve ku kamata tejkaloi edhe nivelin 100 %.
Në këtë mënyrë, në Shqipëri u krijua në mesin e viteve ’30 një krizë brenda krizës. Kjo është analizuar nga dy studiuesit e ekonomisë Iljaz Fishta dhe Veniamin Toçi në botimin “Gjendja ekonomike e Shqipërisë në vitet 1912-1944, prapambetja e saj, shkaqet dhe pasojat”.
Sipas studiuesve, kriza ekonomike përkeqësoi ndjeshëm gjendjen e punonjësve shqiptarë duke i detyruar ata që të hynin në borxhe te pronarët e tokave dhe fajdexhinjtë.
“Huatë jepeshin me kushte tepër të rënda dhe nën pengun e së vetmes pasuri të paktë që mund të kishte fshatari. Në qytete huaja jepej me një kamatë 25-35 % e garantuar me banesën e huamarrësit. Në fshat, huaja jepet me kamatë shumë të lartë” evidentojnë studiuesit.
Kriza e borxheve ishte një problematikë që diskutohej gjerësisht edhe në shtypin e kohës, dhe studiuesit përmendin një autor, sipas të cilit, ‘shumica e bujqve e merrnin huanë e fajdexhiut kur ishin në pikë të hallit për të blerë drithë gjer në kohën e lëmit, për të blerë farën që u mungonte, për të zëvëndësuar kafshën e punës që i kishte ngordhur etj”.
Në këtë periudhë, huatë për nevoja të ngutshme dhe me afat të shkurtër jepeshin me një kamatë shumë të lartë që arrinte 100-130 %. Për huatë që jepeshin për pak ditë, kamata arrinte deri në 500 %.
Autorët përmendin një studim të bërë në këtë periudhë, sipas të cilit rezultonte se në fillim të vitit 1937, borxhet e deklaruara ishin afërsisht 35 milionë franga ari.
“Vetëm në Korçë në këtë kohë kishte 7 milionë franga ari borxhe dhe 70-80 % e bujqve kishin lënë peng për borxhe pasurinë e tyre.
Në Tiranë sipas një ankete të gazetës “Arbënia” në 1936 nga 7876 shtëpi, dyqane e depo, 5500 prej tyre ishin të lëna peng te fajdexhinjtë për huatë që kishin dhënë këta të fundit” evidentohej në studimin e vitit 1937.
Dy studiuesit e njohur evidentojnë faktin se ‘boshllëkun’ në kreditim të lënë nga Banka, e kishin plotësuar fajdexhinjtë. Në fund të vitit 1935, banka kishte dhënë kredi në vlerë 3.8 milionë franga ari ndërsa ato të dhëna nga fajdexhinjtë rezultonin thuajse 10 herë më shumë në vlerë.
“Për të përballuar jetesën, fshatari hynte vazhdimish në borxh dhe borxhi nuk lahej kurrë derisa më në fund detyrohej të shiste kaun e vetëm, arën e mbjellë e pastaj dhe tokën e tij.
Kështu fshatarët e pasur zgjeronin sipërfaqet e tokave duke blerë tokat e bujqve të varfër dhe të mesëm të cilët duke mbetur pa tokë, për të siguruar kafshatën e gojës ktheheshin në punëtorë ose emigronin në vende të huaja.
Këto dukuri ishin përhapur aq shumë saqë shqetësuan edhe vetë autoritetet” evidentohet në tej në studimin e Fishtës dhe Toçit.
Moratoriumi i qeverisë së Ahmet Zogut
Përballë kësaj gjendje, Qeveria u detyrua të merrte në shqyrtim disa herë problemin e borxheve në Këshillin e Ministrave dhe në Parlament. E rruga që u zgjodh ishte ajo e miratimit të një Moratoriumi; një praktikë që ndiqet në rastet e ngjarjeve madhore që shkaktojnë pafuqi paguese, si p.sh luftërat.
Në shtator të vitit 1936, Zogu shpalli dekretligjin “Për rregullimin e pagimit të borxheve private”. Pa kaluar shumë kohë, në maj të vitit 1937 Zogu dekretoi ligjin “Mbi disa lehtësira në pagimin e obligimeve të periudhës para 12 marsit 1935” i cili shfuqizonte ligjin e shtatorit 1936 dhe çdo dispozitë tjetër që vinte në kundërshtim me ligjin e ri.
Ligji i ri i vitit 1937 synonte të krijonte disa lehtësi për borxhlinjtë për pagimin e detyrimeve të lindura para datës 12 mars 1935 dmth. të borxheve që ishin krijuar në vitet e krizës ekonomike. Në bazë të këtij ligji u ndalua shpronësimi i forcuar i pasurisë së luajtshme e të paluajtshme të borxhlinjve dhe burgosja e tyre për detyrimet e para marsit 1935, me përjashtim të rasteve kur ata kundërshtonin pagimin e borxheve. Ligji përcaktonte se borxhi do të shlyhej në 8 këste gjashtëmujore dhe masa e këstit caktohej sipas madhësisë së borxhit.
Analiza e avokatit Ali Erebara, botuar në “Java në vit 1937
Çështja e krizës së borxheve në Shqipërinë e mesit të viteve ’30 shkaktoi debate të shumta në publik, e nuk munguan as analizat e shumta për rrugëzgjidhjet që kishte vendi në atë kohë. Në listën e analizave, një ndër më interesantet është ajo e avokatit Ali Erebara, publikuar në revistën ekonomike “Java” në fillimin e vitit 1937.
Në analizën e tij, të përqendruar kryesisht në analizimin e aspektit juridik të trajtimit të krizës nga ana e autoriteteve shtetërore, Erebara shpjegon edhe mënyrën sesi vendi arriti në këtë ngërç borxhesh.
“Që prej viti 1932-1933 e këndej në vendin tonë u konstatua dhe u ndie efekti i investimeve të kapitaleve tona në ndërtime e industri që më parë nuk ishin dhe në gjëra të tjetra me qëllim përmirësimin e jetesës sonë individuale dhe shoqërore.
Fushata dhe vrapi i secilit prej nesh në këtë pikëpamje, qoftë nga dëshira e përmirësimit të jetesës personale dhe për qëllim tregtije, kanë shkaktuar investimin e një sasie të madhe kapitali në sende të luajtshme dhe të paluajtshme.
Njëkohësisht për mungesë të industrive edhe produkteve të ndryshme ndër ne, është konstatuar një eksportim i madh të hollash të cilat pas viti 1932-1933 filluan të mungojnë në pazaret tona. Në punët e sipërpërmendura janë përdorur jo vetëm kapitalet mbi të cilat secili individ e shoqëri dispononte por janë marrë hua me kamata pak a shumë të larta.
Përveç kredive të rrjedhura prej huadhënies, një sasi e madhe kredish kanë rrjedhur prej dhënies së materialeve me kredi ose prej punimeve personale të pa shpërblyera. Në momentin e ngopjes së qyteteve tona me ndërtesa, kafene, hotele, kinema, centrale elektriku edhe mulli mielli, automobilë, aparate radio e krevate hekuri etj. etj. në ndërtime dhe në shitje u vertetue një ndalese; ndalesë kjo që shkaktoi zhdukjen e të hollave të mbetura në pazar, shkaktoi rënien e çmimeve të sendeve e të punës edhe pakësimin e tepërt të marrëdhënieve ekoomike mes personave.
Filloi të ngadalësohet qarkullimi i monedhës edhe të shterpojnë të ardhurat e qena deri atëhere. Pra duke u pakësuar të ardhurat, filluan personat mos më mujt me iu përgjigj detyrimeve të marruna përsipër në bazë të një parashikimi të ardhunash të majme, sikur kanë qenë para vitit 1932. Filloi të flitet për krizë me të vërtet e ndodhme brenda në krizë” shkruante avokati i njohur që pak vite më vonë do të bëhej kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Sëmundja duhet evidentuar, pastaj duhet shëruar”
Ndërsa diskutohej vështirësia ekonomike e vendit dhe kriza e borxheve, një ndër fjalët që u pëdor më së shumti ishte “moratorium”. Në këtë periudhë ishin të shumta kërkesat për vendosjen e një moratoriumi që frenonte ekzekutimin e kolateraleve të vendosura si garanci për kreditë apo huatë e marra në bankë dhe nte individë të ndryshëm që ushtroni veprimtarinë e fajdeve.
Ankesat që kishte për pamundësinë e pagimit të borxheve në mbarë vendin, detyruan qeverinë që të marrë masa ligjore për rregullimin e pagesave mes privatëve. Ligjet e miratuara përmenden në artikull nga Erebara, shoqëruar me një analizë mbi impaktin e tyre.
Ajo që evidenton avokati është së çështja e borxheve ishte një ‘sëmundje’, madhësia, rëndësia dhe lloji i së cilës fillimisht duhej analizuar e më pas përmes miratimit të ligjeve të përshtatshme, “duhej shëruar”.
“Në fakt, çështja e krizës si edhe efektet e saj për sa i përket pagesës së borxheve midis privatëve u paraqit si në opinion public, ashtu edhe tek autoritetet, me një mënyrë tepër subjective, edhe më tepër interesim dhe ngutësi nga ana e të interesuarve ose simpatizuesve. Kështu që filluan dispozitat për mosburgimin për borxhe private; ligja mbi disa ndryshime në ligjin e përmbarimit, Fletorja Zyrtare 2 viti 1934.
Më tutje, ligji e parë e moratoriumit i quajtur ‘Ligje mbi Shpronësimin e Forcuem, obligime midis privatëve edhe rregullimin e pagimit të tynë, Fletorja Zyrtare nr.13 datë 1935”. Ma tutje, ligji i dytë i Moratoriumit për qytete i quajtur “Dekretligj për Rregullimin e pagimin e borxheve private” që shkaktojnë ekzekutimin e forcuar mbi pasuritë e paluajtshme ndër qytete, Fletorja Zyrtare nr. 60 e vitit 1936. Më tutje, ligji i Moratoriumit provizor nëpër katunde, dekretligj mbi ndalimin e shitjes në ankand të pronave të debitorëve për mosekzekutim obligimesh të linduna para datës 13.03.1935, në Fletoren Zyrtare 82 të vitit 1936.
Sikurse e thamë më sipër, të gjitha këto dispozita ligjore nuk e zgjidhin as problemin e pagimit të borxheve dhe as krizën ekonomike ose më mirë të themi krizën e qarkullimit të monedhës.
Përkundrazi, me ligjet e sipërpërmendura ndonëse i favorizuan vend e pa vend debitorët por më shumë vende u dëmtuan padrejtësisht kreditorë të ndershëm që nuk e meritonin këtë.
Dhe ajo që nga pikëpamja ekonomike objektive ka një rëndësi më të madhe është se me ligjet në fjalë u dëmtua ajo kredi e pakët që kishte mbetur në vend dhe ajo ndërshmëri ekonomike që e kërakterizonte vendin tonë dhe më në fund u shtërpua fare qarkullimi i monedhës sonë duke sjellë krizën në pikën e saj të fundit” vijon analiza e Erebarës.
Në këtë situatë, avokati evidenton se me 28 janar 1937 u miratua ligji “Mbi obligimin e deklarimit të kredive të lindura para datës 12 mars 1925”. Këtë ligj, avokati e cilëson si ligjin e parë ‘të arsyeshëm’.
Sepse, “në është se kriza ndër ne është një sëmundje dhe në është se me anë të një ligji kërkohet me e shëru sëmundjen në fjalë, duhet që legjislatori të formojë ide të qartë mbi madhësinë, rëndësinë, llojin etj.të kësaj sëmundje.
Kështu borxhet janë civile, tregtare, të mëdha, të vogla, direkte dhe indirekte, me kamata uzure ose ligjore ose dhe fare pa kamatë, të garantuara me shitje definitive, të stimuluar, me shitje me riblerje, me hipoteke, me apo pa privilegj, borxhe katundarësh ose ndër qytete, borxhe nevoje, favori ose mashtrimi”.
“Ka një shumicë debitorësh që meritojnë përkrahje e një shumicë tjetër duket detyruese me pagu pa konditë sikur pëkundrazi një shumicë e madhe kreditorësh nuk janë fajdexhi por viktima kategorish të ndryshme; besimi ose nevoje etj.
Pra për të bërë një ligj moratorium (pasi është zgjidhur kjo rrugë) edhe pra me shëru sëmundjen duhet me dijt në mënyrë konkrete si qendron sëmundja dhe lloji, madhësia dhe qendra e saj” shkruan më tej Erebara.
Në këtë periudhë, nuk mungojnë as analizat e propozimet e ndryshme nga autoritete të mendimit ekonomik të kohës, si Mehdi Frashëri që propozonte marrjen e një këshilltari profesionist nga jashtë për zgjidhjen e krizës apo Mark Kakarriqi që analizonte pro-të dhe kundra-t e moratoriumit.
Veçantitë e krizës shqiptare në krahasim me krizën globale
Kriza ekonomike që nisi në fundin e viteve ’20 dhe fillimin e viteve ’30 pati pasoja rrënuese për ekonominë e Shqipërisë. Ajo përfshiu të gjitha degët e ekonomisë, e në mënyrë të veçantë bujqësinë. Kriza arriti deri në atë pikë sa shkaktoi edhe vdekjen e njerëzve nga varfëria.
Mehdi Frashëri e ka analizuar këtë krizë në revistën “Ekonomisti Shqiptar” duke e cilësuar si një krizë të karakterit të veçantë dhe që ndryshonte nga kriza globale e njohur si “Depresioni i Madh”. Frashëri argumenton se kjo krizë nuk pati impakt në Shqipëri njësoj si në vendet e tjera për faktin se në vend mungonin bankat, portet, hekurudhat etj.
Po ashtu, ai evidenton se kriza agrare nuk ishte e ngjashme me atë të vendeve të tjera si Rumania, Bullgaria apo Jugosllavia. Në këto vende, pati mbiprodhim të drithërave ndërsa në Shqipëri pati zi buke. Ai analizonte se kriza ekonomike ishte shkaktuar më së shumti nga ndalimi i dërgesave të emigrantëve dhe nga frenimi i emigrimit të krahut të punës nga Shqipëria drejt vendeve të tjera.
Po ashtu, një faktor tjetër konsiderohet thatësira e madhe e viteve 1931-1932 që ndikuan në mungesë prodhimi, në një kohë kur kishte edhe mungesë parash për shkak të krizës globale. Ekonomia shqiptare nisi të rikuperojë në mesin e vitit 1935 por u deshën disa vite që pasojat e saj të kapërceheshin. /Kreshnik Kuçaj, SCAN