Bosët e fuqishëm të mafias, u përhapën gjerësisht në SHBA-në e shekullit XX. Por ndikimi i tyre nuk mbeti i kufizuar vetëm në botën e nëndheshme të krimit. Disa mafiozë, besohet se patën lidhje me nivelet më të larta të qeverisë amerikane, nga Santo Trafikante Xhunior, që ishte pjesë e një komploti për të helmuar Fidel Kastron te Laki Luçiano, që ndihmoi zbarkimin e ushtrisë amerikane në Siçili gjatë Luftës së Dytë Botërore, duke përdorur lidhjet e tij me bosët mafiozë të vendlindjes.
Por pak bosë të krimit të organizuar, arritën të kishin lidhje aq shumë konspirative me qeverinë sa italo-amerikani Sem Xhankana. Bosi i Çikagos, kaloi nga vendosja e gjobave te bashkëpunimi me CIA-s. Por me interesant është fakti, që emri i tij është i lidhur pazgjidhshmërisht me ngritjen por edhe fundin tragjik të Xhon Kenedit.
Dihet se Xhankana e ndihmoi Kenedin të zgjidhet president i Amerikës. Ata kishin një lidhje aq të ngushtë së bashku, sa që ndanin deri edhe të njëjtat gra, si Xhudit Eksner, Filis Meguajër dhe madje edhe Merilin Monro. Pra, si përfundoi kjo miqësi me vrasjen e përgjakshme të të dyve?
Salvatore Xhankana, lindi me emrin Xhilormo Xhankana në Ilinois të Çikagos në vitin 1908. Djalë i dy emigrantëve sicilianë, u pagëzua si Momo Salvatore Xhankana, dhe u rrit në një shtëpi të vjetër në lagjen e italianëve. Sipas biografëve të tij, Sem dhunohej shpesh nga i ati, Antonio, që e lidhte në një pemë lisi në oborrin e shtëpisë dhe e rrihte me rripin e pantallonave.
E ëma nuk e mbronte dot pasi kishte vdekur qëkur ai ishte shumë i vogël. Prandaj, nuk është e habitshme pse Xhankana pati atë karakter të dhunshëm. Në shkollë ishte tejet problematik, ndaj u dërgua në një institucion riedukimi deri në moshën 10-vjeçare. Më pas i ati u martua me një grua tjetër, ndaj shumë shpejt Sem u largua nga shtëpia, për t’u bërë pjesë e “Bandës 42”.
Ajo përbëhej kryesisht nga djem adoleshentë, kryesisht italianë, që dominuan pjesën perëndimore të qytetit gjatë viteve 1920-1930. Banda grabiste gratë e pasura, kryente vrasje, vidhte makina që i shiste për pjesë këmbimi, dhe merrej me kontrabandën e alkoolit gjatë periudhës së Prohibicionit (ndalimit me ligj të konsumit të alkoolit në SHBA).
Xhankana u arrestua herën e parë në moshën 17-vjeçare, dhe derisa sa mbushi 20-vjeç hyri disa herë në burg, ndërsa dyshohej se kishte gisht në tre vrasje (megjithëse nuk u gjykua kurrë për to). Shumë shpejt, Sem u rrit në përgjegjësi në radhët e bandës.
Cilësitë e tij ranë në sy të Al Kapones, që e mori ne grupin e tij dhe e bëri drejtues të kontrabandës së alkoolit. Xhankaka i shpëtoi rekrutimit si ushtar në Luftën e Dytë Botërore, kur një psikolog e konsideroi atë një “psikopat”. Në mesin e viteve 1950, Xhankana u bë kreu i mafias së Çikagos.
Përveç martesës së parë, ai nuk do të rimartohej kurrë, por ndërkohë pati shumë të dashura. Përmes tyre, u njoh me figura të njohura publike si këngëtari Frenk Sinatra dhe politikani Xhon Kenedi. Mafia e Çikagos dhe grupet e tjera kriminale, dyshohet se punuan për të siguruar zgjedhjen president të Kenedit në vitin 1960.
Po ashtu, Xhankana dyshohet se pati një lidhje intime me aktoren e famshme Merilin Monro, e cila vdiq në verën e vitit 1962. “Një natë para se të vdiste, herën e fundit që e pashë, ishte në Liqenin Tahoe me Sem Xhankanën, që ishte kreu i mafies”, i tha të birit parukierja personale e Monro, pak pas vdekjes misterioze të divës së Hollivudit.
Monro kishte paralajmëruar se do të zbulonte lidhjet e fshehta të familjes Kenedi me mafian. “Unë mendoj se ajo u vra nga FBI-ja”, deklaroi e bindur parukierja e saj. Në atë kohë, CIA po përpiqej të rrëzonte nga pushteti diktatorin kuban Fidel Kastro.
Xhankana ishte e interesuar për eleminimin e Kastros, pasi me ngjitjen e tij në pushtet, erdhi edhe shkatërrimi i kazinove në Kubë, shumica e të cilave zotëroheshin nga Xhankana dhe mafiozët e tjerë.
Dosjet e deklasifikuara kohët e fundit, që i përkasin periudhës gusht 1960- shkurt 1963, zbulojnë se CIA i ofroi Xhankanës qindra mijëra dollarë, në këmbim të “shërbimeve” të tij, por ai refuzoi me arsyetimin se po kryente thjesht detyrën e tij si patriot.
Por Xhankana shpresonte që në këmbim të vrasjes së Kastros, presidenti i sapozgjedhur Xhon Kenedi të bindte vëllanë e tij – Prokurorin e Përgjithshëm Robert Kenedi – të pushonte hetimet mbi mafian në SHBA. Dhe në fakt në vitin 1962, Robert Kenedi pranoi të ndalonte hetimin e vetë Xhankanës.
Xhankana dhe CIA u angazhuan në përpjekje të shumta për të eleminuar Kastron, por nuk ia dolën. Më pas, Xhankana u zemërua me përpjekjet e reja të Robert Kennedit për të zhdukur mafian. Dëshmitë ndryshojnë, por sugjerohet që ai dhe mafiozët e tjerë e organizuan vrasjen e Xhon Kenedit në vitin 1963, në shenjë hakmarrjeje për sulmet e të vëllait kryeprokuror kundër tyre.
Ndërkohë, nga mesi i viteve 1960, edhe Sem Xhankana do të merrte tatëpjetën. Në vitin 1965, ai u burgos për shkak se refuzoi të dëshmojë mbi një krim. Gjithsesi, mafiozët e tjerë vendosën ta dëbojnë nga grupi në vitin 1967.
Pa pushtetin e dikurshëm, dhe i frikësuar se FBI-ja mund ta zhdukte për shkak të pjesëmarrjes së tij në atentatet ndaj Kastros, Xhankana u arratis në Meksikë dhe më pas në Argjentinë në një lloj mërgimi të vetë-imponuar. U rikthye në SHBA vetëm në vitin 1974.
Vetëm një vit më pas, plasi në publik skandali, sipas të cilit CIA kishte përdorur mafian për të tentuar të vriste Kastron. Senati e thirri në një seancë dëgjimore, por Xhankana nuk do të dëshmonte kurrë. Më 19 qershor 1975, ai u qëllua për vdekje në kuzhinën e shtëpisë së tij në Ilinois teksa ishte duke gatuar.
Mbi autorin e vrasjes ka shumë teori. Historiani i mafias së Çikagos, Xhon Binder, pretendon se vrasësi ishte pikërisht shoferi i Xhankanas, Dominik Blazi. Por nipi i të ndjerit, pretendon se autori ishte në fakt mafiozi Toni Spilotro. Sidoqoftë e vërteta, nuk është për t’u habitur që një vit më vonë, 1976, pësoi të njëjtin fat tragjik edhe ish-partneri i Xhankanës në atentatet ndaj Kastros, Xhoni Roseli. /Marrë nga tesheshi.com
The post E bëri president dhe pastaj e vrau/ Historia e mafiozit që qëndon pas Kenedit appeared first on Lapsi.al.