Nga Nemanja Rujevic DW/ Nxjerrja e trupit të Titos dhe largimi nga Beogradi? Këtë ide nuk e mbështet gati askush në Muzeun e Jugosllavisë, por në Beograd është hapur një debat i madh, pas kërkesës së kryetarit të bashkisë së Beogradit, Aleksandar Shapiq, që mbetjet mortore të Titos të largohen nga Serbia.
Muzeu ku bën pjesë edhe Shtëpia e Luleve me varrin e Mareshalit jugosllav dhe presidentit të përjetshëm të Jugosllavisë Josip Broz Tito, nuk dëshiron t’i përgjigjet zyrtarisht pyetjeve të gazetarëve për këtë temë. Por shitësi që ofron kapele partizane, flamuj dhe simbole të tjera jugosllave para muzeut në Dedinje mendon se ideja është një marrëzi. Të njëjtën gjë mendon edhe roja në këtë muze. Por edhe të gjithë vizitorët.
Të huajt që gazetari i Deutsche Welles i takoi në këtë muze gjatë vizitës së tyre atje – nga Gjermania, Filipinet, Japonia dhe Kroacia – as që kishin dëgjuar për të gjitha këto diskutime. Ndërsa vendasit kanë dëgjuar për këtë ide dhe kjo nuk u pëlqen. Miodrag Elezoviq (70), një piktor që vizitoi muzeun me vajzën e tij dhe dy mbesat, bëri kryq para varrit të Titos. Ai mbrojti të drejtën e Brozit për të vazhduar të pushojë aty ku është.
“Heqja e varrit do të ishte përdhosje. Në ortodoksi, varri është i shenjtë dhe nuk duhet prekur. Kërkesat e (kryetarit të bashkisë së Beogradit) Shapiqit janë politike, por ky komb duhet të respektojë varrin dhe traditën”, tha Elezoviq për DW.
“Ne nuk do t’i zhvendosim të gjitha varret tani, apo jo? Kushdo që dëshiron të vizitojë varrin e Brozit le të vijë. Nëse nuk do, nuk është e domosdoshme”, thotë ai duke shtuar se Tito dhe Jovanka Broz kanë shkruar historinë e Jugosllavisë dhe se trupat e tyre duhet të mbeten në Dedinje.
Qëndrimi i Vuçiqit
Zhvarrosja e Titos nuk do të sillte asgjë të mirë për Serbinë. Disa ditë më parë presidenti Aleksandar Vuçiçi tha Politikos se ai “kurrë nuk ishte tifoz i komunistëve dhe regjimit komunist”, por se “Tito është pjesë e historisë”. “Ai ka jetuar këtu, është varrosur këtu dhe do të mbetet pjesë e historisë jugosllave dhe serbe”, tha Vuçiq, duke hedhur poshtë idenë e Shapiqit.
Kryebashkiaku i Beogradit, Shapiq ndan neverinë e tij ndaj “regjimit komunist” me presidentin Vuçiq. Por ai me iniciativën e tij do të ngjallë vëmendjen e të gjitha mediave serbe, rajonale dhe evropiane – sepse të gjtiha ato e konsiderojnë Titon si një prej figurave më të rëndësishme të kohës së tij.
Shapiq thotë se zhvarrosja dhe zhvendosja do të paguhej nga Beogradi. Ndërsa njëkohësisht ai kërkon që ish-drejtuesit të çetnikëve Dragoljub (Drazha) Mihailoviq t’i ngrihet një monument në parkun afër Terazije, në qendër të Beogradit. E kjo temë ka shkaktuar edhe përçarje politike në Serbi. Kreu i Partisë Socialiste, Ivica Daçiq, tha ai sigurish që është kundër, ndërsa Serbia ka më shumë sfida dhe gjëra të tjera, sesa t’i hapë temat e vjetra.
Lojërat politike
Shapiqi vetë kritikohet shumë kohët e fundit për drejtimin e keq të Beogradit – për shkak të privatizimeve dhe ndërtimeve pa leje, si dhe kaosit në trafikun e qytetit. “Kur bie rejtingu i partive dhe personave, ata hapin ndonjë temë të tillë për t’u treguar patriotë, por këto tema polarizojnë dhe përçajnë edhe më shumë opinionin dhe elektroratin”, thotë Stefan Radojkoviq në një intervistë për DW.
Muzeu i udhëheqësit të çetnikëve Drazha MihailoviqFotografi: Nemanja Rujevic/DW
Ai kujton se autoritetet e partisë SNS të Vuçiqit po përpiqen që edhe me tema të tilla të përfitojnë në zgjedhje. “Zhvendosjet dhe ngritjet e monumenteve nuk kushtojnë shumë, ndërsa njerëzve u dërgohet mesazhi – shihni, ne po kujdesemi për historinë tonë’”, thotë Radojkoviq.
Por kjo temë me Titon dhe Drazha Miailoviqin është për shumë njerëz në Beograd një temë me interes, sepse fansat e Drazhës mendojnë se ai duhet të zërë një vend më të rëndësishëm në Beograd dhe jo të ketë vetëm një dhomë përkujtimore në një hapësirë të vogël që nuk është në qendër të qytetit.
Hapja e këtij “muzeu” në tetrin e vitit të kaluar tërhoqi rreth dy mijë njerëz që kishin shkuar për të nderuar liderin e çetnikëve. Por kur gazetari i DW-së vizitoi këtë vend këto ditë, atje nuk ishte askush. “Nuk besoj se së shpejti do të ngrihet ndonjë monument publik Drazha Mihailoviqit”, thotë Radojkoviq. Ai mendon se presidenti Vuçiq – pa miratimin e të cilit nuk ka aventura të tilla ideologjike – thjesht nuk ka interes të merret me Titon dhe Mihailoviqin tani.
Muzeu i Jugosllavisë dhe Shtëpia e Luleve janë ndër destinacionet më të shpeshta të turistëve që vijnë në Beograd. Vitin e kaluar u thye një rekord me më shumë se 120 mijë vizitorë.
Nemanja Rujevic, me mjekër, xhaketë dhe bluzë gri, duke parë në drejtim të kamerës.Nemanja Rujevic, me mjekër, xhaketë dhe bluzë gri, duke parë në drejtim të kamerës.
Nemanja Rujevic /DW
The post Debati/ Kryebashkiaku i Beogradit kërkon zhvarrosjen e Titos appeared first on Lapsi.al.