
Pak ditë më parë, “Puma” njoftoi emërimin e Arthur Hoeld si CEO i grupit duke filluar nga 1 korriku 2025. Hoeld ka qenë më parë shef i shitjeve në “Adidas”. Kushdo që e njeh rivalitetin historik të këtyre dy markave sportive e ka kuptuar ironinë therëse që qëndron pas kësaj rokade rolesh. Ky është kapitulli i radhës (sigurisht jo i fundit) i një prej sherreve familjare më të famshme në botën e biznesit. Është beteja mes një Dasslers kundër një Dasslers tjetër apo Adidas kundër Puma.
Një sherr prej shumë brezash që “ka ndryshuar biznesin e sportit përgjithmonë”, siç rrëfen gazetarja Barbara Smit në librin e saj të fundit “Sfida e Shekullit”. Historia e vëllezërve armiq që themeluan Adidas dhe Puma, një libër i botuar në Britaninë e Madhe në vitin 2006 dhe që ka parë dritën e botimit së fundmi edhe në Itali. Sipas Smit, rivaliteti i mbushur me urrejtje midis vëllezërve Rudolf (1898-1974) dhe Adolf Dassler (1900-1978) “formësoi biznesin modern të sportit, por duke mos munguar korrupsioni dhe aksionet financiare gjithnjë në rritje”.
Fillimet
Kjo histori plot kthesa (dhe goditje nën brez) fillon në vitet 1920, në një Gjermani që po përgatitej të binte në duart e tmerrit nazist. Nazizmi ishte një nxitje e frikshme për vëllezërit Dassler dhe kompaninë e tyre të parë të këpucëve, Gebrüder Dassler Schuhfabrik. Jemi në Herzogenaurach, një qytet i vogël në Bavari (ndodhet rreth 20 kilometra larg Nurembergut) me një traditë të gjatë këpucarësh.
Edhe Christoph Dassler, babai i protagonistëve të kësaj historie, edhe pse vinte nga një familje sipërmarrësish tekstili dhe bojaxhish, e përqafoi këtë profesion. Gruaja e tij Algirdas, nga ana tjetër, drejtonte një dyqan pastrimi kimik në pjesën e pasme të shtëpisë. Adolf, i njohur si Adi, sipas prindërve duhej të bëhej bukëpjekës, por djali preferonte sportin dhe të mësonte bazat e zanatit nga babai i tij.
Nga e majta, Adolf Dassler dhe Rudolf Dassler
Lufta e Parë Botërore i pushton të gjithë. Rudolfi, i njohur si Rudi, dhe Adi largohen për t’iu bashkuar ushtrisë dhe pas kthimit e gjejnë biznesin e nënës së tyre të mbyllur për shkak të krizës ekonomike që erdhi bashkë me konfliktin. Adi, i cili tashmë është një këpucar vizionar, futet në laborator dhe fillon të prodhojë këpucë sportive të afta të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në performancën atletike të atyre që i veshin.
Ai e hapi kompaninë bashkë me vëllain e tij, i cili kishte një talent të madh për të bërë tregti, duke u bërë shitësi kryesor i kompanisë. Dassler-ët janë të zotë. Ata e dinë se çfarë po bëjnë, por e gjithë kjo nuk mjafton për hapin e madh. Duhej lidhja e duhur, theksi i Hitlerit për sportin dhe mbi të gjitha, mundësia e madhe që iu paraqit kompanisë së tyre të vogël Gebrüder Dassler Schuhfabrik në Lojërave Olimpike të Berlinit të vitit 1936.
Intuita
Intuita është e Adit. Veshja e atleteve të tij nga atletët më të mirë, ata që gjenerojnë më shumë eksitimin në publik, do të nënkuptonte marrjen e publicitetit më të madh të mundshëm. Adi punon shumë për të siguruar që këmbët e sportistëve të përshtaten në këpucët e tij. Dhe ai ia del mbanë. Por ai bëri edhe më shumë. Gjatë Lojërave Olimpike ai arriti të siguronte që ato t’i vishte edhe armiku i Hitlerit, Jesse Owens, sprinteri dhe kërcyesi afrikano-amerikan, i cili fitoi 3 nga 4 medaljet e tij të arta duke veshur këpucët e prodhuara nga Adi Dassler.
Lufta e Dytë Botërore
Lufta e Dytë Botërore shënoi një tjetër pikë kthese në jetën e vëllezërve Dassler dhe ishte gjatë kësaj periudhe që marrëdhënia tashmë e tensionuar mes të dyve u përkeqësua. Adi dhe Rudi jetonin nën të njëjtën çati me prindërit e tyre, por nuk shkonin mirë që kur Adi u martua me Käthe Martz në vitin 1934, e cila nuk e duronte dot familjen e të shoqit. Rudi e konsideronte atë si shkaktaren e vetme të vërtetë të mosmarrëveshjeve me vëllain e tij.
Gruaja e tij ndërhynte gjithmonë në çështje që lidheshin me kompaninë. Në fakt, Rudi nuk pranonte që vëllai i tij i vogël ishte bërë kryetar de facto i familjes Dassler. Për më tepër, kur u rekrutua përsëri në vitin 1943, ai besonte se nuk do të gjente ndihmë te vëllai i tij, ndihmë që i kishte dhënë një vit më parë, duke ushtruar presion mbi të njohurit e tij në partinë naziste, që të shmangte ushtrinë dhe të qëndronte në fabrikë. Inati i Rudit bëhet urrejtje e hapur kur, pas rënies së Hitlerit, vëllezërit dalin në gjyq nga aleatët për shkak të aderimit të tyre në partinë nazizte. Rudi akuzohet se i përket SS dhe është i bindur se për këtë e spiunuar vëllai i tij.
Lindja e Adidas dhe Puma
Pasi akuzat u rrëzuan, dy Dasslerët e ndanë fabrikën Gebrüder Dassler Schuhfabrik në 1947. Rudi themeloi një kompani konkurruese këpucësh që e quajti “Puma”. Punonjësit më të lidhur me prodhimin mbetën me Adin, i cili themeloi Adidas (një emër që vjen nga bashkimi i Adi me tre shkronjat e para të mbiemrit të tij). Ai regjistroi markën tregtare me tre shirita, tipari teknik që ai kishte filluar të përdorte që nga Olimpiada si një përforcim anësor në këpucët e tij, i theksuara nga një ngjyrë tjetër.
Nga ky moment, rivaliteti mes dy vëllezërve kthehet në një rivalitet korporativ që e ndan qytetin e Herzogenaurach në dy fraksione dhe i jep emrin “qyteti i qafës së përthyer”, për shkak të zakonit të përhapur në popullatë për të parë këpucët që mbante bashkëbiseduesi përpara se të fillonin një bisedë. Vëllezërit Dassler pushuan së foluri me njëri-tjetrin dhe nuk do ta bëjnë më kurrë këtë. Ata nuk do ta shihnin më njëri-tjetrin deri në vdekjen e Rudit më 27 tetor 1974. Adi e ndoqi 4 vjet më vonë, më 6 shtator 1978. Të dy sot janë varrosur në varrezat e Herzogenaurach, por në dy parcela të ndryshme, sa më larg nga njëra – tjetra, sipas amanetit të Adi Dassler.
Trashëgimia
Kur Adi dhe Rudi vdiqën, ata ua lanë perandoritë e tyre, djemve të tyre të pasuar edhe me një trashëgimi urrejtjeje. Kushërinjtë Dassler nuk kanë qenë kurrë në marrëdhënie të mira, pavarësisht nga një lloj pakti jo-sulmues i nënshkruar në fillim të viteve 1970, kur konkurrenca amerikane nga markat si Reebok dhe Nike i detyroi ata të bënin paqe. Marrëveshja në atë kohë ishte që të mos përpiqeshin të nënshkruanin me futbollistin më të madh të kohës, Pelé. Mirëpo, qetësinë e prishi Puma pasi Armini, djali i Rudi kontaktoi futbollistin dhe i ofroi sponsorizim, duke indinjuar kreun e Adidas-it, kushëririn e tij Horst.
Ryshfetet
Pika thelbësore e librit shumë të këndshëm të Barbara Smit është se grindja midis degëve Puma dhe Adidas të familjes Dassler fsheh nga pas edhe ryshfete dhe sponsorizime miliona dollarëshe, të cilat kanë formësuar sportin modern, profesional dhe amator. Që nga Olimpiada e parë e pasluftës, Dassler-ët kanë dërguar zarfe me para për atletët në një kohë kur lëvizja olimpike përpiqej t’i rezistonte komercializimit. Smit, e cila ka shkruar për Financial Times dhe Economist, citon një sprinter amerikan i cili garoi në Lojërat Olimpike të Tokios në vitin 1964.
“Ishte si në një film të James Bond-it apo një thriller. Në Tokio, një oficer shkonte në banjë dhe linte një çantë poshtë derës, dhe unë hyja menjëherë pas tij. Aty merrje nga 700 deri në 10 mijë dollarë”. Atletët, të hidhëruar që nuk paguheshin për përpjekjet e tyre olimpike, nuk thonë jo për të luajtur me Puma kundër Adidas, duke kërkuar gjithnjë e më shumë para nga rivali me kalimin e kohës.
Horst Dassler
Në realitet, sipas Smit, ishte një tjetër grindje familjare që nxiti korrupsionin e lëvizjes olimpike, ajo mes Adit dhe djalit të tij Horst. Pasardhësi u dërgua në Alsace për të krijuar një divizion të Adidas që do të shitej vetëm në Francë. Por Horst, një njeri jashtëzakonisht ambicioz, nuk ishte i kënaqur thjesht të priste radhën dhe e shndërron cepin e tij të kompanisë në një lloj perandorie sekrete që vepron kundër vullnetit të shprehur të prindërve të tij. Horst themelon një kompani në hije për të fshehur disa linja prodhimi prej tyre.
Ai miqësohet me të gjithë zyrtarët e rëndësishëm në botën e sportit, përfshirë ata që janë përgjegjës për Olimpiadën. Megjithatë ai di si t’u shërbejë dhe, mbi të gjitha, si t’i korruptojë. Ai e kuptoi shpejt se zotërimi i të drejtave për ngjarjet sportive mund të ishte një biznes shumëmilionësh. Kur ai vdiq në vitin 1987, vetëm 51 vjeç, zbulimi i sekreteve të tij për pak sa nuk falimentoi Adidas.
Konkurrenca e Nike
Ka dhe një re tjetër të errët që varet mbi këtë histori. Një re që doli nga një kompani e vogël këpucësh vrapimi në Oregon, e themeluar nga Phil Knight, një njeri aq ambicioz sa Horst Dassler. Ajo kompani, e quajtur fillimisht Blue Ribbon Sports, sot njihet si Nike. Shumë më tepër se Adidas apo Puma, Nike ka ndihmuar në transformimin e atleteve në këpucë që i veshin të gjithë, jo vetëm atletët. Ajo e kuptoi marketingun shumë më mirë se rivalët e saj evropianë dhe përfundimisht i parakaloi ata. Kur bëhet fjalë për transformimin e sporteve, pak momente janë më të rëndësishme se vendimi i Nike për të nënshkruar me Michael Jordan, duke i paguar atij miliona për të veshur këpucët e saj dhe për të lançuar një markë me emrin e tij që një ditë do të kushtonte më shumë se 100 dollarë për një palë. Asgjë, shpjegon Smit, nuk ka ndryshuar në biznesin e sportit. Por kjo është një histori tjetër dhe një libër tjetër. ©Përgatiti në shqip LAPSI.al
The post Adidas vs Puma/ Ryshfetet, tradhtitë dhe sherri i vëllezërve që ndryshoi historinë appeared first on Lapsi.al.