Deklarata Kushtetuese e Kosovës, e miratuar nga Kuvendi i kohës më 2 korrik 1990, shënon një dokument të rëndësishëm politiko-juridik, që shprehte aspiratën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi në rrethanat e reja që po krijoheshin asokohe për shqiptarët në rajonin e Ballkanit. E shpallur nga 114 delegatë të Kuvendit të atëhershëm të Kosovës, Deklerata zhvlerësoi Rezolutën e Konferencës së Prizrenit, të 10 korrikut 1945, me të cilën Serbia, pasi që kishte anulua me gjak Rezolutën e Bujanit, e aneksoi Kosovën. Edhe pse nuk u njoh ndërkombëtarisht, Deklarata ishte deklarim i fuqishëm i vullnetit kombëtar, politik e demokratik të popullit të Kosovës.
Historia si ndodhi
Në marsin e 1989-ës, qeveria jugosllave në Beograd vendosi të suprimojë autonominë që kishte Kosova deri në atë kohë, si element konstituiv i Federatës me të drejtë vetoje. Autonomi e cila i ishte dhënë me Kushtetutën e vitit 1974. Njëkohësisht, në atë kohë, një deklaratë të ngjashme kushtetuese kishte nxjerrë Parlamenti i Sllovenisë që po ndahej prej Jugosllavisë. E kishin nxjerrë dhe disa parlamente të vendeve Balltike, që ishin në kuadër të Bashkimit Sovjetik, si Lituania dhe Estonia.
Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, i hapi rrugë procesit politik, me rezolutën për pozitën kushtetuese juridike të Kosovës dhe me pozitën e shqiptarëve në kushtet e reja të krijuara. Në rezolutën e ASHAK-ut ishte e formuluar shumë qartë pozicioni politik dhe kushtetues e juridik, që kërkohej për Kosovën dhe për popullin e saj.
Pas shtyrjeve të njëpasnjëshme të punimeve të Kuvendit, më 1 korrik 1990, regjimi i Beogradit synonte organizimin e një referendumi për Kushtetutën e re serbe, të kundërshtuar nga shqiptarët, si dhe shpalljen e shtyrjes së mbledhjes së Kuvendit të Kosovës të paralajmëruar për 2 korrik, e për të cilën delegatët shqiptarë shumicë e delegatë të komuniteteve pakicë kishin bërë të gjitha përgatitjet për shpalljen e Deklaratës Kushtetuese.
Më 2 korrik 1990, intelektualë dhe ligjvënës të parlamentit gjykuan se shuarja e autonomisë po shënonte fillimin e serbizimit të Kosovës dhe në të njëjtën kohë paraqiste hyrje në një periudhë tepër të rëndë për shqiptarët të cilët po trajtoheshin, jo vetëm si qytetarë të rendit të dytë, por edhe po u nënshtroheshin torturave sistematike nga regjimi serb. Duke qenë të vetëdijshëm për momentin historik para të cilit ndodhej Kosova, delegatët e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990, miratuan publikisht (para Kuvendit të Kosovës) Deklaratën Kushtetuese, me të cilën Kosova u shpall njësi e veçantë në kuadër të federatës së atëhershme jugosllave.
Deputetët vendosën se seancën do ta drejtonte delegati Bujar Gjurgjealo nga Prizreni, ndërsa Deklaratën do ta lexonte Muharrem Shabani nga Vushtrria, dhe nëse ata do arrestoheshinin, ishin caktuar edhe zëvendësit e tyre.
Deklarata u miratua në ambjentet e jashtme të Kuvendit, pasi deputetët nuk u lejuan të mblidhen në sallën e Kuvendit. Ata lexuan tekstin e deklaratës para turmës së pranishme, votuan duke ngritur dorën dhe ishin të rrethuar me qytetarë që mbështesnin përmbajtjen dhe miratimin e deklaratës. Sipas dëshmitarëve të kohës, në afërsi të Kuvendit, ishin pozicionuar ushtarë me tanke në të gjitha anët. Dokumentin e nënshkruan 114 delegatë shqiptarë, boshnjakë e turq.
Deklarata e 2 korrikut e shpalli Kosovën njësi të barabartë të Federatës Jugosllave dhe u hapi rrugën veprimeve të mëtutjeshëm me të cilat u rrumbullaksua legjitimiteti i infrastrukturës demokratike të shtetit të pavarur të Kosovës.
Teksti i plotë i Deklaratës Kushtetuese
1. Me këtë deklaratë shprehet dhe shpallet qëndrimi burimor kushtetues i popullsisë së Kosovës dhe i këtij Kuvendi si akt i vetëvendosjes politike në kuadër të Jugosllavisë.
2. Ky kuvend duke e shpallur nga ana e tij dhe në nivel të tij Kosovën si njësi të barabartë në Jugosllavi, në bazë të principeve të demokracisë autentike mbi respektimin e vullnetit të njerëzve dhe të kolektiviteteve njerëzore dhe kombëtare, pret konfirmimin e këtij akti konstitutiv të tij në Kushtetutën e Jugosllavisë me mbështetje të plotë të opinionit demokratik në Jugosllavi dhe të opinionit ndërkombëtar.
3. Ky kuvend Kosovën dhe pozitën e re kushtetuese të saj e konfirmon si bashkësi politiko-kushtetuese dhe pozitë politiko-kushtetuese të përbashkët të qytetarëve dhe nacionaliteteve të barabarta të Kosovës, ku shqiptarët si shumicë e popullsisë së Kosovës dhe një ndër popujt më numerikë në Jugosllavi, si dhe serbët dhe të tjerët në Kosovë konsiderohen popull-komb dhe jo kombësi (pakicë kombëtare).
4. Në ndërkohë, deri në aplikimin definitiv juridik të kësaj Deklarate Kushtetuese, Kuvendi dhe organet e pushtetit të Kosovës marrëdhëniet e tyre në rendin kushtetues të Jugosllavisë i mbështesin në Kushtetutën në fuqi të Jugosllavisë dhe jo në amendamentet e Kushtetutës së RS të Serbisë të vitit 1989, me ç’rast bëhet edhe anulimi i vendimit të Kuvendit të Kosovës i datës 23 mars 1989 mbi dhënien e pëlqimit në këto amendamente.
5. Kuvendi i Kosovës deri në nxjerrjen e Kushtetutës së re të Kosovës tash e tutje do të komunikojë publikisht me këtë emërtim, duke e emërtuar njëkohësisht bashkësinë shoqërore-politike organ i së cilës është, vetëm si Kosovë.
Prishtinë, më 2 korrik 1990. Delegatët nënshkrues të Deklaratës.
Kushtetuta e Kaçanikut
Miratimi nga Kuvendi i Deklaratës Kushtetuese, i hapi më pas rrugë konstituimit të Kuvendit të Kaçanikut të 7 shtatorit 1990, kur edhe u shpall si Republika e Kosovës, si dhe Referendumit për Pavarësi të vitit 1991 dhe zgjedhjeve të para parlamentare dhe presidenciale të Kosovës të vitit 1992.
Dy muaj pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese, më 7 shtator të vitit 1990 në Kaçanik, të njëjtët delegatë nxorën aktin më të lartë juridik: Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e njohur ndryshe si Kushtetuta e Kaçanikut, ku Kosova u deklarua formalisht si Republikë.
“Neni 1: Republika e Kosovës është shtet demokratik i Kombit shqiptar dhe i pjesëtarëve të kombeve të tjera dhe i pakicave kombëtare, të shtetasve të vetë; serbëve, muslimanëve, malazezëve, kroatëve, turqëve, romëve e të tjerëve që jetojnë në Kosovë”.
Për shkak të presionit të Serbisë, shumica e delegatëve u detyruan më pas të ikin nga Kosova. Sipas Feride Muratit, ish-nënshkruese e Deklaratës Kushtetuese dhe pjesëmarrëse në Kuvend ishin dhe 18 deputete gra, që morën pjesë në komisione dhe seancat e rëndësishme. Serbia fill pas shpalljes së Deklaratës Kushtetuese vendosi gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë, duke suprimuar me forcën e tankeve të gjitha institucionet e Kosovës, duke filluar nga Kuvendi e Këshilli Ekzekutiv i tij dhe deri tek të gjitha institucionet e tjera shkencore, arsimore e kulturore.
LAPSI.al
The post 2 korrik 1990/ 33 vjet më parë rrethuar nga tanket u shpall Kushtetuta e Kosovës appeared first on Lapsi.al.