1934/ Kur Ahmet Zogu ngriti një Bord Ushqimi kundër rritjes së çmimeve

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Në tetor të vitit 1930, Ahmet Zogu zgjodhi ta mbajë ndryshe fjalimin e tij vjetor në parlament. Në mesazhin mbretëror drejtuar parlamentit, ai paralajmëronte se një krizë e thellë ekonomike e financiare do ta prekte Shqipërinë. Ky fjalim mbahej në kushtet kur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte ndodhur ajo që njihej si ‘Rënia e Wall Street’ që solli më vonë krizën globale që njihet edhe si ‘Depresioni i Madh’.

Por ndryshe nga liderët e vendeve të tjera, Zogu në fjalimin e tij, paralajmëronte edhe një ‘krizë brenda krizës’ e që lidhej me ndryshimet klimatike. Parashikimi në mesazhin mbretëror të vitit 1930 do të rezultonte i saktë dhe Shqipëria do të përballej jo vetëm me pasojat e krizës globale por edhe me dy vite stinë pa reshje, çka do të sillte probleme me prodhimin bujqësor, e sidomos me prodhimin e misrit, që përbënte edhe bazën ushqimore të popullatës.

Në këtë mënyrë, Shqipëria do të përfshihej në një krizë buke.

Kjo periudhë njihet si krizë mbiprodhimi në shumë vende; pra jo inflacion por deflacion. Produktet bujqësore e industriale u zhvlerësuan në këtë kohë, duke ndikuar direkt në tregtinë e jashtme që u ul ndjeshëm dhe progresivisht në periudhën 1930-1934.

Advertisement

Por duke qenë se në vitet 1929 dhe 1930 u mor një prodhim i pakët misri dhe nga ana tjetër as qeveria nuk kishte planifikuar ende importin e tij për të kompensuar mungesën në tregun vendas, shumë tregtarë që kishin grumbulluar pjesën më të madhe të prodhimit të misrit në treg, e rritën menjëherë çmimin e tij, duke bërë që për këtë produkt të kishte një dalje ‘kundra rrymës’ .

Qeveria u detyrua që në muajt gusht e shtator të vitit 1931 që të importonte misër, por kjo nuk e zgjidhi problematikën edhe për faktin se në këtë periudhë mungonin paratë.

Kartelet e miellit në Shqipërinë e 1932

Përtej mungesës së prodhimit vendas, industria e blojës u prek ndjeshëm nga kriza që shkaktonte diferenca e çmimit mes produktit vendas dhe atij që vinte nga importi. Mielli që vinte nga importi ishte më i lirë.

Advertisement

Tentativa e qeverisë për të forcuar prodhimin vendas përmes vendosjes së një takse mbi importin e drithërave dha efekt të kundërt.

E pas kapërcimit të sfidës që krijoi fillimisht kriza e prodhimit vendas, kompanitë u përfshinë nga një krizë tjetër, ajo e konkurrencës që vinte nga mbiprodhimi i jashtëm. Shumë fabrika dhe mullinj u detyruan që të mbylleshin ose të punonin me ndërprerje duke rënduar edhe më tepër situatën e furnizimit të popullatës me bukë.

Në këto kushte, shumë pronarë fabrikash mielli u bashkua duke krijuar kartele, por që zgjatën pak në kohë. Ashtu si kompanitë e alkoolit në 1930, kompanitë e prodhimit të miellit u bashkuan në vitin 1932 në dy kartele.

Karteli i parë u krijua në Durrës dhe në të bënin pjesë dy fabrikat më të mëdha në vend; Vëllezërit Shijaku dhe Vëllezërit Ekonomi. Ndërsa në Shkodër, karteli u krijua nga 4 fabrikat kryesore të miellit, “Dragusha e shokë”, “Dan Hasani”, “Vëllezërit Salih Mehmeti” dhe “Vëllezërit Rroj”.

Advertisement

Situata e kësaj industrie nisi të ndryshojë pas vitit 1937 kur ekonomia shqiptare dhe ajo botërore nisën të rimëkëmben. Në këtë kontekst, ashtu si degë të tjera të industrisë edhe industria ushqimore nisi të rigjallërohet. Peshën më të madhe në industri e zinte ajo e blojës.

Në këtë periudhë në vend numëroheshin 8 fabrika mielli, 126 mullinj drithi dhe 8 fabrika makaronash. Gjysma e kësaj industrie ishte e përqendruar në Durrës dhe Shkodër.

Bordi i Ushqimit i 1934, si kontrolloheshin çmimet

Advertisement

Kriza e furnizimit të popullatës me miell u ndje shumë. Në këto kushte, në prill të vitit 1934 u miratua një ligj “mbi tregtimin e miellnave dhe mbi caktimin e çmimeve të tyne dhe të çmimit të bukës”.

Kjo nismë synonte jo vetëm që të frenonte abuzimet me çmimin e miellit dhe drithit, por edhe të frenonte mundësinë që operatorët e tregut të mos ofronin shërbimin jetik për popullatën.

Sipas këtij ligji, për caktimin e çmimeve dhe të kualiteteve të ndryshme të miellit formohej në qendrat e çdo prefekture dhe nënprefekture një komision që kryesohej nga prefekti ose nënprefekti.

Pjesë e këtij komisioni ishin dy anëtarë të Këshillit të Administratës, dy anëtarë nga Këshilli i Bashkisë me kushtin që të ishin tregtarë si dhe dy anëtarë nga Këshilli i Dhomës përkatëse të tregtisë. Bordi apo komisioni, para se të caktonte çmimin e miellit dëgjonte mendimin këshillues të prodhuesve të miellit.

Advertisement

Ligji ishte i detajuar dhe parashikonte se çmimi i miellit do të caktohej mbi bazën e cilesisë së tyre dhe në bazë të çmimeve të drithërave në treg të lirë duke u lënë mullinjve një shpërblim të arsyeshëm për bluarjen e tyre.

Fabrikat e miellit në vend detyroheshin që të bluanin në çdo rast brenda 24 orësh drithin që dërgonte qeveria ndërsa nga ana tjetër ndaloheshin që të refuzonin bluarjen e drithërave të banorëve të qyteteve.

Ndërkohë, çmimet e bukës caktoheshin nga bashkitë e vendit, duke marrë për bazë çmimin e miellit.

Kontrolli i çmimeve dhe i cilësisë së tyre bëhej nga vetë bashkitë.

Advertisement

“Grumbullimi i drithnave dhe i miellnave dhe mos shitja e tyne nga ana e fabrikatorëve dhe të tregtarëve të këtyne sendeve me çmimet e caktueme me qëllim që të shkaktojnë naltësimin e çmimeve të tyne quhet spekulim dhe dënohen simbas dispozitave të nenit 323 të Kodit Penal” – përcaktohej në vendim.

Po ashtu, vendimi parashikonte se fabrikat e miellit nuk mund të pushonin se punuari pa lajmëruar 3 muaj më parë Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Kundravajtësit, dënoheshin me një gjobë 1 mijë deri në 5 mijë franga ari.

Personeli teknik i fabrikave,përcaktohej në vendim, nuk mund ta ndërpriste shërbimin pa lajmëruar 2 muaj më parë administratën e fabrikës.

Advertisement

Furrxhitë nuk mund të mbyllin furrat e tyre pa lajmëruar bashkitë e vendit të paktën 1 muaj para. Përndryshe, dënoheshin me gjobë 100-500 franga ari.

“Tregtarët, furrxhinjtë dhe çdo tjetër person që shet miell buke tregtie dhe bukë me çmimet ma të nalta ose të nji kualiteti ma të dobët nga ajo që cakton kjo ligjë ndëshkohen me ndëshkimet e parashikueme në nenin 323 të Kodit Penal” – shkruhej më tej.

Ky përcaktim ligjor vinte për faktin se për shkak të urisë së madhe dhe mungesës së lëndës në parë në treg, disa fabrika kishin nisur të prodhonin miell nga lëndë të dëmshme për shëndetin e popullatës.

Advertisement

Gjatë pushtimit italian, çmimi i miellit dhe drithërave u menaxhua përmes “Magazinave të Përgjithshme/ Magazzini Generali” ndërsa gjatë ekonomisë së centralizuar, përmes komisionit të planit të shtetit, që u krijua pas vendosjes së kontrollit të plotë mbi ekonominë dhe përmes sistemit të triskëtimit që u aplikua menjëherë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. /Kreshnik Kuçaj, SCAN

The post 1934/ Kur Ahmet Zogu ngriti një Bord Ushqimi kundër rritjes së çmimeve appeared first on Lapsi.al.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy