17 maj 1941/ Historia e panjohur e Vasil Laçit, të riut që qëlloi mbi Viktor Emanuel III

Pinterest LinkedIn Tumblr +
17 maj 1941/ Historia e panjohur e Vasil Laçit, të riut që qëlloi mbi Viktor Emanuel III

Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur e atentatit që u krye në Tiranë në 17 maj të vitit 1941 ndaj Mbretit të Italisë dhe Perandorit të Etiopisë, Viktor Emanueli i III-të, teksa ai po largohej nga rruga e Durrësit për në aerodromin e Laprakës pas mbarimit të vizitës së tij në Shqipëri. Dëshmia e rrallë e 90-vjeçarit Genc Koka me banim në SHBA-ës, babai i të cilit, kolonel Sami Koka, ish-shef Shtatmadhorisë së Mbretit Zog, e kishte pranuar djaloshin nga Piqerasi si shërbyes në shtëpinë e tij që ndodhej në fund të Rrugës së Kavajës, pas rekomandimit q ëi kishte bërë miku i tij i ngushtë, Dr. Mokini, që shërbente si mjek pranë Mbretit Zog.

Adhurimi i thellë që kishte Vasil Laçi ndaj Mbretit Zog dhe urrejtja ndaj Italisë fashiste ishin motivet që e shtynë atë të ndërrmerte vendimin e guximshëm për të realizuar atentatin ndaj Mbretit Vktor Emanuelli i III-të, pasi më parë mundi të siguronte një revolver “Bareta” tek shtëpia e kolonel Sami Kokës ku kishte shërbyer deri pak ditë para asaj ngjarje. Qëndrimi burrëror i djaloshit nga Piqerasi gjatë hetuesisë që i bënë autoritetet italiane ku ai nuk tregoi se kush i’a kishte dhënë armën dhe si u mbyll ajo ngjarje pas ndërhyrjes së ministrit, Fejzi Alizoti, te Francesko Jakomoni, dhe kryeministrit, Shefqet Vërlaci deri tek Duçja

79 vite më parë, më 17 maj të vitit 1941, teksa Mbreti i Italisë dhe Perandori i Etiopisë, Viktor Emanueli III (që gjithashtu ishte pagëzuar edhe si Mbret i Shqipërisë pas dorëzimit të Kurorës së Skënderbeut më 14 prill të 1939-ës), kishte mbaruar vizitën e tij shtatëditore në Shqipëri dhe po largohej në drejtim të aeroportit të Laprakës, në Rrugën e Durrësit, u qëllua disa herë me revolver në drejtim të tij nga një djalosh 19-vjeçar, me origjinë nga fshati Piqeras i Sarandës, i cili quhej Vasil Laçi. Ndërsa Mbreti Viktor Emanueli III-të shpëtoi paq pa u vrarë, vetëm në sajë të agjentëve të policisë së fshehtë italiane që atë ditë ndodheshin në gatishmëri të lartë dhe ia kapën menjëherë revolverin djaloshit, i cili shërbente si shegert në një nga hotelet më luksoze të Tiranës së asaj kohe, plumbat e pistoletës së tij fshikulluan lehtë kryeministrin shqiptar, Shefqet Vërlaci, që ndodhej në makinë me Mbretin e Italisë. Po kush ishte Vasil Laçi, ku kishte punuar ai para se të kryente atentatin dhe cilat ishin motivet e vërteta që e shtynë atë të qëllonte ndaj Mbretit të Italisë? Lidhur me këtë ngjarje të bujshme të historisë së Shqipërisë, të cilën historiografia dhe propaganda e regjimit komunist të Enver Hoxhës e manipuloi për afro gjysmë shekulli me radhë, hedh dritë për herë të parë 90-vjeçari Genc Koka, (me banim në SHBA-ës) i biri i ish-shefit të Shtatmadhorisë së Zogut, kolonel Sami Koka, njeriu që i’a dha revolverin e atentatit Vasilit.

Zoti Koka, kur e keni njohur për herë të parë Vasil Laçin?

Advertisement

Me Vasilin jam njohur për herë të parë aty nga muaji maj i vitit 1939, kur ai erdhi në shtëpinë tonë. Në atë kohë, familja jonë banonte në një shtëpi dykatëshe dhe me oborr, e cila ndodhet edhe sot, por e rrënuar, diku në fund të Rrugës së Kavajës, fare pranë Muzeut të Shkencave të Natyrës që është prishur tashmë. Ajo shtëpi ishte e Qeramudin Sulos me origjinë nga Libohova dhe ne banonim aty si qiraxhinj që nga viti 1937, kur babai ynë, kolonel Sami Koka, ishte zv/shef i Shtabit të Shtatmadhorisë dhe komandant i kufirit të Mbretërisë së Zogut. Fare pranë shtëpisë sonë banonin edhe disa familje të tjera, si ajo e Minush Shalës, Ollga Plumbit, Bardhyl Pogonit, etj.

Vasil Laçi

Përse erdhi Vasili te ju?

Vasili erdhi te ne për të punuar si shërbyes, pas një rekomandimi që i kishte dhënë miku i ngushtë i babait, Dr. Mokini, i cili e kishte shtëpinë te Rruga e Kavajës, përballë godinës së Institutit të Folklorit. Dr. Mokini ishte shumë i njohur në Tiranë pasi përveçse ishte mjek personal i Mbretit Zog, ai ishte i vetmi në Tiranë që kishte një majmun në shtëpi. Në rekomandimin që Dr. Mokini i kishte dhënë Vasilit për babanë tonë, fliste fjalët më të mira për atë djalë.

Ju e mbani mend ardhjen e Vasilit në shtëpinë tuaj?

Advertisement

E mbaj mend shumë mirë dhe e kujtoj si tani atë moment kur ai trokiti në derën tonë. Vasili kishte një fytyrë fisnike dhe në dorë mbante një valixhe të vjetër. Ai i tregoi nënës sonë letrën që i kishte dhënë Dr. Mokini dhe ndërsa ajo nuk e kishte lexuar ende atë, unë me vëllain e madh, motrën dhe gjyshen tonë, i’u lutëm nënës që ta pranonte brenda atë djalë të panjohur, fytyra e të cilit rrezatonte shumë mirësi. Jo më shumë prej lutjeve tona se sa rekomandimit të doktorit, nëna e futi menjëherë brenda Vasilin, duke i treguar dhomën ku do flinte dhe punët që do të bënte në shtëpinë tonë. Që nga ajo ditë, Vasili u bë si djali i shtëpisë dhe me punën e sjelljen e tij, ai fitoi një besim absolut te prindërit tanë, të cilët i dorëzuan atij të gjitha çelësat, duke i besuar deri edhe disa xhevahire me gur të çmuar të nënës sonë. Madje, kjo gjë shkaktoi në një farë mënyre edhe xhelozinë e njërit prej shërbyesve të tjerë të shtëpisë sonë, Aliut, i cili deri në atë kohë ishte më i besuari?

Pse, kur erdhi Vasili te ju, kishit dhe shërbyes të tjerë në shtëpi?

Para se të vinte Vasili në shtëpinë tonë ishin edhe dy shërbyes të tjerë: Tahir Tola, që punonte si kuzhinier për ushtarakët dhe Aliu me origjinë nga Korça, që s‘ia mbaj mend mbiemrin, i cili ishte edhe njeriu kryesor për punët e shtëpisë. Nuk e di a jetojnë akoma këta njerëz, por Tahir Tola ka qenë deri vonë kryekuzhinier në Turizmin e Lezhës. Përveç këtyre, në shtëpinë tonë jetonte edhe ordinanca e babait, Thimi, me origjinë nga Vlora, i cili pas luftës u bë major i Sigurimit të Shtetit dhe punoi shumë kohë në Elbasan.

81-VEIII-1

Advertisement

A mbani mend ndonjë bisedë të babait tuaj me Vasilin?

Pak ditë pas ardhjes së Vasilit në shtëpinë tonë, babanë e internuan në ishullin e Sardenjës në Itali (qyteti Sasari), duke e akuzuar si antifashist. Por, sipas ligjeve të italianëve, babai ishte atje me uniformën e kolonelit dhe pa i’u hequr beneficet e gradës, si ordinanca, shërbyesit në shtëpi etj. Gjatë atij viti që Vasili qëndroi në shtëpinë tonë, babai erdhi dy-tri herë me leje dhe ato ditë aty i vinin për ta takuar disa nga miqtë e tij, ish-ministra dhe ushtarakë të lartë të Mbretërisë së Zogut. Kur Vasili hynte në dhomën e tyre për t‘u shërbyer me kafe e raki, ata e pushonin bisedën, pasi bënin diskutime politike kundra Italisë fashiste dhe në favor të Zogut. Por, menjëherë babai u thoshte miqve të tij: “Mos e ndërprisni bisedën se ky djalë është si ne, ka bindje të thella zogiste dhe dëshiron kthimin e Mbretërisë së Zogut”.

Ishte e vërtetë ajo që ju thoshte babai juaj, se Vasili ishte zogist?

Ishte më se e vërtetë. Më kujtohet si tani, se në shtëpinë tonë atëherë ne mbanim të varura në mur me kornizë tri fotografi të mëdha: Ismail Qemalin, Skënderbeun dhe Mbretin Ahmet Zogu. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, mbi foton e Zogut ne vumë atë të Perandorit Oktavjan August dhe për këtë gjë nga të gjithë shërbyesit kishte dijeni vetëm Vasili. Sa herë që ai pastronte atë dhomë ku ishin fotot, e hiqte atë të Augustit dhe duke pastruar atë të Zogut, i thoshte nënës sonë: “Kur do vijë ajo ditë që ta heqim qafe këtë (tregonte me gisht Perandorin August) dhe të kthejmë Mbretin tonë Zog”. Nëna qëndronte serioze dhe i thoshte: “Ah mor bir, ato janë punë të Zotit, vetëm ai i di”. Nëna jonë nuk ia miratonte dëshirat e tij për Mbretin Zog, pasi për atë gjë në atë kohë të fusnin në burg.

Advertisement

Jashtë shtëpisë suaj, me kë takohej Vasili, kush ishin miqtë e tij?

Nuk di të them gjë për këtë, por di ata që vinin në shtëpinë tonë si: Emil Plumbi, Qeramudin Sulo, Hasan Fejzo, Bardhyl Pogoni e ndonjë tjetër. Këta, në atë kohë ishin nga 17 – 18 vjeçarë dhe vinin në shtëpinë tonë se ishin shokët e ngushtë të vëllait tim, Pëllumbit. Ndonëse Vasili ishte tre-katër vjet më i madh se ata, kishte qejf të bënte biseda politike dhe gjithçka flitej aty ishte kundër Italisë dhe fashizmit. Në murin e saj qëndronte një hartë e madhe (botim i shoqërisë gjeografike “De Agostini”) të cilin babai e kishte pasur prej kohësh për punët ushtarake. Para asaj harte, Vasili qëndronte për minuta të tëra duke thënë: “Po çfarë duan italianët këtu, kjo është toka jonë. Ja ku është fshati im. Si iu mbytën anijet Pirros së Epirit kur vajti në Romë dhe nuk iu mbytën gjeneral Guxonit kur erdhi këtu”?!

Kur Vasili bëri atentatin ndaj Mbretit Viktor Emanueli, te ju ishte?

Vasili kërkoi vetë të ikte nga shtëpia jonë, edhe pse nëna nuk donte dhe kjo gjë ndodhi rreth 15 ditë përpara se ai të bënte atentatin. Në atë kohë që u dha lajmi, se Mbreti Viktor Emanueli do vizitonte Shqipërinë, Vasili shkoi dhe bisedoi me pronarin e hotelit “Internacional”, zotin Çano, i cili e pranoi atë në punë pa asnjë lloj rekomandimi. Ajo gjë u bë pas një telefonate të nënës sonë, e cila i tha atij se Vasili ishte xhevahir djalë. Edhe pasi filloi punë aty, Vasili vinte përsëri në shtëpinë tonë dhe tre, katër ditë para ngjarjes, teksa ishim duke qëndruar në oborrin e shtëpisë, ai i kërkoi vëllait tim, Pëllumbit, që t‘i jepte një revolver. Ne në atë kohë kishim disa armë të llojeve të ndryshme, të cilat ishin në gjendje pune dhe gjithashtu një koleksion të vjetër armësh, si ajo e Tafil Buzit, shpata e Marko Boçarit, e gjyshit tonë etj. Pëllumbi i tha Vasilit të zgjidhte këtë të donte se ai i kalonte çdo ditë në duar ato, duke i fshirë nga pluhurat. Vasili kërkoi një “Beretë” që ishte e vogël dhe unë u ngjita sipër e ia solla ashtu siç më tha vëllai im.

Advertisement

Si e mësuat atentatin që kishte bërë Vasili?

Atentatin ne e mësuam kur në shtëpinë tonë erdhën karabinieria me një grup agjentësh të SIMI-t, të cilët kërkonin babanë tonë, Sami Kokën. Ata bënë një kontroll të përciptë dhe pyetën për Vasil Laçin, duke kujtuar se atë e kishte shtyrë babai. Për fat, babai Samiu, ndodhej i internuar në Sardenjë të Italisë dhe nëna që u trondit shumë, mori menjëherë në telefon ministrin Fejzi Alizoti, duke i thënë për gjendjen ku ndodheshim. Fejziu, i cili kishte për grua motrën e babait tonë, ndërhyri deri te Jakomoni dhe ne nuk patëm probleme, e gjithçka u mbyll me aq.

Cili ishte versioni zyrtar që u dha asokohe për atentatin?

Propaganda zyrtare u mundua që të mos e paraqiste atë atentat për motive politike dhe hapi fjalë sikur Vasili kishte qëlluar mbi kryeministrin, Shefqet Vërlacin, për arsye të një hasmërie familjare. Ky ishte versioni zyrtar që u dha nga propaganda zyrtare e qeverisë dhe ajo e Partisë Fashiste Shqiptare, por në të vërtetë, Vasili qëlloi mbi mbretin e Italisë vetëm pse ai i urrente ata dhe donte kthimin e Mbretit Zog.

Advertisement

Gjatë kohës që Vasili u mbajt në qeli, familja juaj pati kontakte me të?

Ne nuk mund të shkonim për ta takuar, pasi komprometonim rëndë babanë tonë, por pa na pyetur ne, Vasilin shkuan për ta takuar në qeli dy shërbyesit, Thimi me Aliun. Italianët i lejuan që të shkonin në takim me të, duke menduar se do zbulonin ndonjë grup të organizuar dhe i arrestuan menjëherë ata, duke i lidhur kokë e këmbë me zinxhirë. Një karabinier shqiptar erdhi dhe i tregoi nënës sonë, e cila tepër e shqetësuar shkoi menjëherë te Fejzi Alizoti, pasi kjo gjë e implikonte shumë babanë. Edhe Fejziu u shqetësua shumë dhe bashkë me Tefik Mborjen shkuan te Jakomoni. Faktikisht, pas atij atentati, italianët donin të bënin masakra në masë, si në Afrikë, ku Graciani kishte djegur fshatra të tërë më benzinë, por pas ndërhyrjes edhe të Shefqet Vërlacit deri te Duçja, ajo gjë u mbyll dhe asgjë nuk ndodhi. Por në mbylljen e atij problem, ndikoi drejtpërdrejtë Vasil Laçi, i cili kur i’a çuan dy shërbyesit tanë në takim, tha se nuk i njihte fare. Edhe Thimi e kuptoi lojën dhe tha se ata kërkonin një Vasil tjetër në takim. Pas kësaj, italianët i’u futën atyre një të rrahur të mirë dhe pastaj i liruan. Italianët u mjaftuan vetëm me ekzekutimin e Vasilit, atij djali vigan që më ka mbetur në kujtesë për trimërinë që tregoi. Dy javë pas ekzekutimit të Vasilit, në shtëpinë tonë u mbajt zi në fshehtësi të madhe dhe nuk u ndez fare radio.

Pas asaj që ndodhi, a keni pasur kontakte me familjen e Vasil Laçit?

Jo, nuk kemi pasur. Gjatë Luftës ishte e vështirë për rrethana që dihen, por edhe pas Luftës ajo nuk mund të ndodhte, pasi familja jonë u shpall reaksionare. Vëllai i madh, Pëllumbi, iku në 1945-ën në Itali, e më pas në SHBA dhe nuk u kthye më, ndërsa babai me motrën time u dënuan me vite të gjata burgu.

Advertisement

Çfarë u shkrua në librin “Yje të pashuar” për djaloshin nga Piqerasi dhe si e paraqiti historiografia komuniste atentatin e Vasilit?

Edhe pse historiografia zyrtare e regjimit komunist e para viteve ’90-të nuk u kursye asnjëherë për të manipuluar shumë nga ngjarjet e Luftës Antifashiste dhe ato pas saj, për çudi, atentatin e djaloshit Vasil Laçi ndaj Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III, për të cilin ka folur personalisht Enver Hoxha, ajo nuk e përvetësoi dhe nuk e paraqiti si vepër të komunistëve? Në librin Yje të Pashuar, për këtë ngjarje, midis të tjerash, thuhet: “E bëra vetë, për Shqipërinë / Rroftë Shqipëria e Lirë / Poshtë fashizmi”! Atentati i djaloshit shqiptar, që qëlloi Viktor Emanuelin e Tretë në rrugën e Durrësit, – ka thënë shoku Enver Hoxha, – ishte fillimi i një kryengritjeje të madhe që po përgatitej. Hallall i qoftë qumështi! Shqipërisë tani i duhen kurbanë! – tha nëna e Vasil Laçit, ditën që mësoi për vdekjen e djalit të saj. Vasil Laçi lindi në vitin 1923 në Piqeras të Sarandës. Si mbaroi shkollën fillore, e la fshatin dhe shkoi në Tiranë. Donte të vazhdonte shkollën. Po kjo mbeti vetëm një ëndërr për të. Akoma i mitur, i hyri luftës së jetës. Punoi herë shërbëtor e herë argat, gjithnjë nevojtar e i varfër. Në fund shërbeu në një hotel. Vasili ishte mjaft guximtar dhe për këtë kishte dhënë prova. Një herë tregojnë se ai rrahu në oborrin e hotelit, dy milicë, madje njërit prej tyre i’a hodhi revolen në pus. Një natë kishte fjetur në hotel një njeri, që Vasili e njihte si komunist. Dhe kur shoku i tij i kishte thënë Vasil Laçit se ai i kishte kërkuar sapunin për t‘u larë, Vasili e kishte porositur: “Jo sapunin, po edhe shpirtin po të ta kërkojë ai, t‘ia japësh”. Ditën që do largohej Perandori nga Shqipëria, Vasili ishte zgjuar që me natë dhe i kishte thënë një shoku të tij: “Sot e kam radhën unë ta përcjell Perandorin”. Kishte përqafuar shokun fort dhe kishte dalë nga hoteli. Kudo vërtiteshin spiunë, milicë, karabinierë. Pritej nga çasti në çast të kalonte Perandori. “Filloi kortezhi i veturave. Sovrani, në një veturë të hapur, kalonte përmes batalioneve të këmbësorisë, të kalorësisë, të formacioneve fashiste të ndarë më tresh kolonë në të dyja anët e rrugëve, ndërsa sipër fluturonin skuadriljet e aeroplanëve” – kështu shkruante një gazetë e kohës. Në këtë atmosferë pasigurie e frike, rrethuar kudo me helmeta dhe armë, i riu patriot, Vasil Laçi, hyri në mes të turmës dhe priti rastin e volitshëm. Ai ngriti dorën e lidhur me fasho mbi helmetat dhe grykët e armëve fashiste dhe qëlloi pesë herë në drejtim të Perandorit. Populli shqiptar me dorën e njërit prej bijve të tij, e përcolli me plumb Perandorin Viktor Emanuelin e Tretë”.

Kush është Genc Koka, 90 vjeçari që jeton në SHBA?

Genc Koka u lind në qytetin italian të Torinos në vitin 1930, pasi babai i tij, kolonel Sami Koka, një ushtarak i lartë i Monarkisë së Zogut, ndiqte studimet në Institutin e Lartë të Luftës. Genci ishte fëmija i tretë i familjes Koka dhe ai kishte dhe një vëlla e një motër më të mëdhenj se vetja, Pëllumbin dhe Ritën. Që në tetorin e vitit 1944, kur akoma nuk kishte mbaruar lufta, babai i tyre, Sami Koka, u arrestua nga komunistët dhe pasi u mbajt disa kohë në hetuesi, në marsin e 1945-ës, u dënua me 30 vjet burg nga Gjyqi Special. Genci i kaloi fëmijërinë në Tiranë, ku ndër miqtë më të ngushtë kishte Robert Shvarc, Amik Kasaruho, Emil Totozani, Vasil Melon, Milto Dadon etj., me të cilët edhe u arrestua për shpërndarje traktesh kundra regjimit. Pasi mbaroi Shkollën Teknike (7 Nëntori) në degën Elektrike, Gencin e dërguan në Bulqizë, ku punoi për shumë vjet si gjeometër. Pasi arriti të mbaronte natën dhe me shumë peripeci shkollën e lartë për Kimi-Industriale, (si i deklasuar diplomën i’a dhanë vetëm në 1979) atë e emëruan si inxhinier në Fabrikën e Tullave në Vorë. Në tetorin e 1990-ës, me garancinë e të vëllait, Pëllumbit, (punonjës në bazën Atomike të Paqësorit i dekoruar nga Presidenti Regan me flamurin e Kapitolit për merita ndaj SHBA) Genci, së bashku me bashkëshorten, Bora Rexh Meta dhe fëmijët, shkuan në Itali dhe më pas në SHBA, ku dhe jetojnë aktualisht./Memorie.al

Advertisement
Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy