
Me rritjen e temperaturave gjatë ditëve të fundit, vërehet numër i shtuar i ndërhyrjeve për shuarjen e zjarrit. Vetëm gjatë fundjavës së kaluar janë regjistruar 60 zjarre në ambiente të hapura, njoftoi sot Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK).
Prej atje njoftojnë se deri në mesnatë, nëntë zjarre kanë qenë ende aktivë. Dy janë në komunën e Prilepit, një në territorin e fshatit Krushevicë dhe një në zonën e fshatit Lopaticë.
Zjarri i tretë aktiv është në komunën e Demir Hisarit, në mes të fshatrave Rastojcë dhe Koçishtë.
Aktiv konsiderohet edhe zjarri në komunën e Novo Sellës, në zonën e malit Ograzhden, mbi fshatin Sushicë, afër vendit të quajtur “Çardak”.
Zjarri është aktiv edhe në komunën e Gjevgjelisë, në territorin e fshatit Kovanec.
Një zjarr aktiv ka në komunën e Ohrit, në zonën e fshatit Soshani – Debërcë.
Zjarri i shtatë është në zonën e fshatit Teovo, mes vendeve të quajtura “Begova Çeshma” dhe “Plevenje” në komunën e Çashkës.
Zjarri i tetë është mbi fshatin Grushino në territorin e komunës së Sarajit dhe Zhelinës. Zjarri i fundit aktiv është në komunën e Tetovës, mbi fshatin Veshallë në Malin Sharr.
“QMK apelon për kujdes gjatë lëvizjes në ambiente të hapura, e posaçërisht apelojmë tek të gjithë fermerët që të mos djegin kashtë, si dhe blegtorët kullotat”, theksojnë nga QMK./Telegrafi/
The post QMK: Rritet numri i intervenimeve kundër zjarreve, gjatë fundjavës 60 zjarre në ambiente të hapura appeared first on Telegrafi.