
Nga BDI sot thonë se kanë denocuar edhe njëherë skandalin e rëndë të korrupsionit në Ministrinë e Mjedisit, ku pas një kontrolli të Inspektoratit për Administratë, është konfirmuar keqpërdorimi i detyrës zyrtare nga ana e ministrit Izet Mexhiti dhe kabinetit të tij.
“Burime të besueshme nga brenda Ministrisë së Mjedisit raportojnë se shefi i kabinetit të Mexhitit ka qenë figura kyçe në skemën e kushtëzimeve dhe ryshfeteve, duke ushtruar presion ndaj kompanive dhe qytetarëve për çdo shërbim administrativ.
Nga licencat dhe lejet mjedisore deri te procedurat e zakonshme burokratike, asgjë nuk kalonte pa miratimin e tij dhe skemave korruptive të drejtuara nga kabineti i Mexhitit.
Të njëjtët individë kanë qenë të përfshirë në skema të ngjashme korruptive edhe në Komunën e Çairit, duke e shndërruar atë në një makth urbanistik për qytetarët.
Përmes lejeve të dhëna në mënyrë korruptive, ata kanë degraduar hapësirën urbane dhe kanë shkatërruar cilësinë e jetës në këtë zonë.
BDI kërkon nga institucionet hetimore që të zgjerojnë hetimet jo vetëm ndaj Mexhitit, por edhe ndaj personave kyç në kabinetin e tij, përfshirë shefin e tij të kabinetit, i cili për muaj me radhë ka drejtuar një sistem të mirëorganizuar të shantazhit dhe korrupsionit brenda Ministrisë së Mjedisit”, thonë nga BDI.
Nga atje shtojnë se kjo qeveri po fundoset çdo ditë e më shumë në skandale, duke dëshmuar paaftësinë dhe korrupsionin e saj të hapur./Telegrafi/
The post BDI: Thellohet korrupsioni në Ministrinë e Mjedisit appeared first on Telegrafi.