Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane, i cili udhëhiqet nga opozita në Kuvend dhe anëtarët e të cilit përfshijnë përfaqësues të qeverisë, organizata të shoqërisë civile dhe ekspertë, përfaqëson një platformë të gjerë, e cila, nëse funksionon siç është planifikuar, është një bazë e mirë për të arritur unitetin kombëtar në lidhje me çështjet kyçe që lidhen me proceset integruese evropiane.
Këtë e theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe pas takimit me presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
“Nëse Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane funksionon në atë mënyrë që Qeveria ta informojë për gjithçka që po ndodh, si po realizohen reformat nga agjenda e reformave, nga plani i rritjes, do të kemi një punë të përbashkët”, tha Filipçe, i cili si deputet është kryetar i Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane.
Kryetari i LSDM-së rikujtoi edhe një herë se e gjithë agjenda e reformave dhe Plani për Rritje janë përgatitur nga Qeveria e LSDM-së dhe se Qeveria aktuale ka bërë ndryshime shumë të vogla para se kryeministri aktual Hristijan Mickoski të nënshkruajë në këto dokumente.
Filipçe theksoi se LSDM-ja do të mbështesë çdo pozicion të përmirësuar, të cilin Qeveria sipas premtimeve do ta sigurojë.
Lidhur me përpjekjet për të mbështetur ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar, Filipçe tha: “E njoftova presidentin se gjatë negociatave, kur LSDM i udhëhoqi ato, ne u përpoqëm që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi me vonesë, por më pas nuk u pranua nga pala bullgare nën udhëheqjen e kryeministrit të atëhershëm Kiril Petkov. Kështu që ne do të mbështesim çdo pozicion të përmirësuar”./Telegrafi/
The post Filipçe: Këshilli Kombëtar për Integrime Evropiane është një bazë e mirë për unitet në vend appeared first on Telegrafi.