Këngëtari i njohur Eduart Dëma ka rrëfyer më shumë detaje nga jeta e tij në muzikë dhe jo vetëm.
I ftuar në emisionin “Vizioni i Pasdites” nën moderimin e Brikena Prifti, Dëma tregoi se ai është mes Londrës dhe Shqipërisë.
Bilbili i muzikës popullore theksoi se muzikën e ka të trashëguar nga nëna e tij.
“Fillimi në muzikë ka qenë i bukur dhe i vështirë njëkohëshisht. Sot akoma më e vështirë se kanë dalë plot talente të reja dhe shumë mirë sepse duhet të ketë konkurrencë. Unë vij gjithmonë në Shqipëri. Greqi kam jetuar 20 vjet, gati 10 vjet në Londër, por vi shpesh edhe në Shqipëri.
Ne nga Vlora të gjithë këndojmë. Këngën e kam të trashëguar nga nëna ime. Kam qenë 20, 21 vjeç kur kam kënduar para publikut. Kisha shumë emocione, kam qenë tip i ndrojtur. Para se të dilja në skenë kisha shumë stres. Ka qenë viti 1995 kur jam larguar për në Greqi. U rrita jashtë shtetit, andej fillova edhe muzikën. Studiova për kanto në Greqi. Më shumë e kam ndjerë dashurinë jashtë vendit, tek emigrantët”, tha Dëma.
Eduart Dëma tha se për të kënga duhet të ketë një mesazh që të përcjellë emocion tek publiku.
“Teksti duhet të ketë fabul, kuptim, mesazh. Nëse nuk përcjellë mesazh për çfarë e dua, per të dal i bukur në televizor? Unë të paktën se mendoj kështu”, tha këngëtari. /vizionplus.tv