Skena muzikore botërore është tronditur pas lajmit për vdekjen e Liam Payne, ish-këngëtari i grupit “One Direction”, i cili humbi jetën pasi u rrëzua nga ballkoni i një hoteli në Argjentinë.
Deri më tani, rrethanat në të cilat këngëtari 31-vjeçar është rrëzuar janë të paqarta.
Siç raporton TMZ, Payne po sillej në mënyrë të çuditshme në hollin e hotelit. Publikimi raporton gjithashtu se këngëtari kishte thyer laptopin dhe ishte tërhequr zvarrë në dhomën e tij.
Nga ana e saj, New York Post raporton, duke cituar një burim të afërt me ish-anëtarin e “One Direction”, se Payne i kaloi vitet e fundit të jetës së tij në krizë.
Videoja e fundit
Një orë para se të bëhej i ditur lajmi për vdekjen e tij, Payne kishte postuar në rrjetet sociale një video të udhëtimit në Buenos Aires me të dashurën e tij Kate Cassidy.
Në videon, e cila megjithatë është realizuar ditë më parë, këngëtari 31-vjeçar dëgjohej duke thënë “një ditë e bukur në Argjentinë”, ndërsa partnerja e tij shijonte mëngjesin.
“Ne thjesht po shijojmë kafen dhe mëngjesin edhe pse është ora 1 pasdite,” shtoi Payne.
Postimi i fundit i Payne në Snapchat ishte ai duke pozuar para një pasqyre me partneren e tij, të dy të veshur me rroba banje.
Sipas gazetës argjentinase La Nación, përpara incidentit, stafi i Hotel Casa Sur thirri policinë për të raportuar “sjelljen eagresive të një burri i cili mund të ishte nën ndikimin e drogës apo alkoolit.”
Sipas mediave argjentinase, Payne ishte në Buenos Aires për të ndjekur koncertin e Niall Horan, me të cilin ishte në One Direction./vizionplus.tv