Ligji për huamarrje nga Hungaria kaloi filtrin në Komisionin kuvendorë për financa dhe buxhet. Pritet që ai të votohet në seancë plenare të martën, pas çka do të fillojnë procedurat për nënshkrimin e marrëveshjes mes Shkupit dhe Budapestit. Zv.ministri i financave, Nikollçe Jankollovski në Komision shpjegoi se ekziston provizion për mjetet e patërhequra që do të duhet t’i paguhen bankës hungareze, por në këtë rast, siç shtoi, nuk do të humben shumë para.
“Edhe po të ketë provizion, për shkak se nëse ka prolongim, do të jenë vetëm disa ditë – nga momenti i publikimit në Gazetën Zyrtare deri në nënshkrimin e marrëveshjes me Bankën hungareze dhe ministres tonë”, tha Nikollçe Jankullovski – zëvendësministër i Financave.
Me seancën kryesoi Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM-ja, i emëruar nga kryeparlamentari Afrim Gashi. Hapi i tillë vijon pasi që kryetarja e komisionit nga radhët e LSDM-së, Sanja Llukarevska, nuk dëshironte të caktojë seancë. Nga OBRM-PDUKM thonë se kjo ka qenë zgjidhje e sforcuar me të cilën ka dështuar përpjekja e LSDM-së që të bllokojë huamarrjen. Debat nuk pati. Deputetët e LSDM-së të cilët e kritikuan huamarrjen nuk morën pjesë, ndërsa opozitari i vetëm i pranishëm ishte deputeti i BDI-së, Musa Xhaferi.
“Çdokush në Kuvend, sipas Rregullores nëse do dhe nëse ka vërejtje mund t’i përdorë instrumentet dhe ato argumente sot t’i përdorë si kundër-argumente nëse mendon se tjetri nuk ka të drejtë. Venko Filipçe dje tha “u shkruan në ballë se ka korrupsion”, paramendoni këtë e thotë njeri në ballin e të cilit shkruhet provizion”, u shpreh Bojan Stojanovski nga OBRM-PDUKM.
Nga LSDM pa përgjigje nëse do të marrin pjesë në debatin me amendamente për zgjidhjen ligjore e cila paraprakisht hasi në kritika nga kryetari i partisë. Filipçe tha se huamarrja e çon shtetin në robërim politik hungarez dhe të huamarrjes.
“Kur nuk ka një sistem të përcaktuar qartë për kontrollin e shpenzimit të parave, kur nuk ka dispozita të qarta në ligj që e garantojnë atë, kur ka pika ku fshihen kostot e fshehura që nuk shprehen qartë, është e palejueshme dhe jashtëzakonisht e papërgjegjshme për LSDM ta bartë këtë ligj me procedurë të shkurtër”, deklaroi Venko Filipçe – kryetar i LSDM-së.
Partia opozitare këmbëngul që ligji të miratohet me procedurë të rregullt, ndërsa qeveria theksoi se është paradoksale që LSDM-ja kritikon kredinë ndërsa komunat që ata udhëheqin të aplikojnë për thirrjen për grante të mundësuara me paratë hungareze./TV21/
The post Kuvendi i RMV-së: Huamarrja nga Hungaria kalon Komision për Financa dhe Buxhet appeared first on Telegrafi.