
Skënder dhe Bledar Hajdini, babë e bir janë arrestuar nga policia pasi akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e 72-vjeçarit Faik Hajdini.
Autor i dyshuar i ngjarjes është Berti Kanushi, i cili është shpallur në kërkim.
Skënder Hajdini, 72 vjeç, banues në fshatin Zhapokikë 2, akuzohet për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Ndërsa djali i tij, Bledar Hajdini, 43 vjeç, akuzohet për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se 71-vjeçari ka organizuar dhe ka qenë aktiv në bashkëpunim me autorin tjetër në vrasje si dhe ka ndihmuar autorin e vrasjes, duke i siguruar kushte për të kryer këtë krim, ndërsa 43-vjeçari, duke mos kallëzuar këtë krim për të cilin dyshohet se kishte dijeni, ka përkrahur autorin.
Si ndodhi ngjarja
Faik Hajdini, një 72 vjeçar nga fshati Zhapokikë 2 në Memaliaj është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm (20 gusht) nga familjarët, disa orë pasi kishte humbur kontaktet me ta.
Fillimisht u dyshua se kishte rënë në humnerë, por hetimet zbuluan se bëhej fjalë për vrasje.
Policia arriti të zbulonte se Faik Hajdini ishte vrarë nga fqinji i tij Berti Kanushi dhe më pas me ndihmën e dy kushërinjve Skënder dhe Bledar Hajdini, ishte hedhur në humnerë.
Trupi përfundoi në përroin e fshatit.
Gjithçka dyshohet se ka ndodhur për shkak të konflikteve të vazhdueshme që Faik Hajdini kishte me fqinjin e tij Berti Kanushi, për një gardh që ndante shtëpitë e tyre.
Dhe mesa duket, për këtë gardh i kanë marrë dhe jetën 72-vjeçarit.
Nga plagët që janë konstatuar në kokë dhe në trup, Faik Hajdini dyshohet se është qëlluar për vdekje me sëpatë./vizionplus.tv