Këshilli Gjyqësor sot në një mbledhje urgjente solli vendim të formohet një Komision që do ta konstatojë gjendjen reale lidhur me vendimet e miratuara nga ana e Gjykatës Themelore Penale Shkup, në lidhje me rastin e Blerim Ramadanit i cili u arratis nga arresti shtëpiak derisa në vijim ishte procedura e ekstradimit.
Kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, në fillim të seancës së sotme emergjente të 495-të, deklaroi se zyrtarisht për asnjërën nga këto raste nuk është njoftuar, por Këshilli Gjyqësor ka për detyrë të reagojë pas informatës së arritur.
“Unë e konsideroj të nevojshme si person i parë i Këshillit Gjyqësor që të formohet një komision dhe të konstatohet sa më parë gjendja faktike lidhur me këtë dhe të dalim me të dhëna konkrete para opinionit. Diçka po ndodhte. Gjykata ka faj, nuk ka faj dhe mos paragjykojmë. Reagimi i Këshillit Gjyqësor në këtë moment, sipas kompetencës së tij, është të hetojë situatën”, tha Dameva.
Komisioni përbëhet nga koordinatori i Gjykatës Themelore Penale Shkup, gjyqtari Aleksandar Kambovski, nënkryetari i Këshillit Gjyqësor Hanif Zendeli dhe anëtarja e Këshillit Gjyqësor Pavlina Cërvenkovska.
“Pas konstatimit të gjendjes detyrohet Komisioni të përgatisë raport të cilin do ta dorëzojë në Këshillin Gjyqësor dhe për të cilin Këshilli Gjyqësor më tutje do të diskutojë dhe vendosë”, deklaroi Dameva.
Ish pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili muajin e kaluar ishte arrestuar në kufirin e Kosovës me Maqedoninë në bazë të urdhër arrestit nga Interpoli të lëshuar me kërkesë të Serbisë, u arratis nga arresti shtëpiak nga shtëpia e familjarëve të tij në vend.
“Autoriteti gjyqësor kompetent ka dorëzuar dokumentacion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për dhënien e fletarrestit qendror për personin B.R. pasi aktualisht është i padisponueshëm për forcat e rendit. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit, konfirmuan nga MPB.
Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, më 17 korrik 2024 u arrestua në pikën kufitare të Jazhincës dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues. Përmbajtja e fletarrestit bazohet në dyshimet e Serbisë se Ramadani, si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes.
Gjykata kompetente e Maqedonisë së Veriut më 1 gusht ia ka ndryshuar dënimin Ramadanit nga “paraburgim” në “arrest shtëpiak” dhe sipas vendimit ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte parashikuar që ai të qëndronte në “arrest shtëpiak” deri më 16 gusht.
The post Rasti i Blerim Ramadanit, Këshilli Gjyqësor i RMV-së formon komision që do të hetojë veprimin e gjykatës appeared first on Telegrafi.