Bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Gaza vijojnë edhe këtë të premte.
Negociatorët takohen sërish në Doha të Katarit për të vijuar përpjekjet për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit në të gjithë rajonin e Lindjes së Mesme.
Një zyrtar amerikan i informuar mbi diskutimet në kryeqytetin e Katarit, tha se bisedimet e ditës së parë ishin konstruktive.
“Kjo është punë jetike. Pengesat e mbetura mund të kapërcehen dhe ne duhet ta mbyllim këtë proces,” u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë zëdhënësi i sigurimit kombëtar të SHBA, John Kirby.
Përpjekjeve ndërkombëtare për të parandaluar përhapjen e luftës do ti bashkohen këtë të premte edhe kryediplomatët nga Britania e Madhe dhe Franca.
Dy ministrat e jashtëm David Lammy dhe Stéphane Séjourné do të bëjnë një udhëtim të përbashkët në Tel Aviv për tu takuar me homologun izraelit, Israel Katz.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit Izraeli ka shtyrë edhe më shumë sulmet në rripin e Gazës. Zyrtarët shëndetësorë palestinezë thanë se të paktën gjashtë palestinezë u vranë të enjten mbrëma në një sulm ajror në një shtëpi në Jabalia në veri të enklavës së pushtuar.
Ndërsa numri total i viktimave palestinezë që nga nisja e luftës, 10 muaj më parë ka shkuar në 40 mijë./vizionplus.tv