Gjykata e Sarandës ka lënë në burg 41-vjeçarin Klementin Islamaj, i cili dyshohet se ka shtyrë babain e tij Hyso Islamaj 69-vjeç duke i shkaktuar vdekjen, pasi ky i fundit i kishte vrarë më parë nënën, 66 vjeçaren Shano Islamaj
Prokurorja e çështjes, Valbona Maja ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “vrasje e kryer në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, ndërsa avokati Merdan Nora ka kërkuar një masë më të lehtë sigurimi si “garancia pasurore”.
Në fakt kanë qenë vëllai dhe motra e Klementin Islamajt ata që treguan gatishmëri për të paguar garancinë, në mbështetje të vëllait të tyre. Edhe më herët të pyetur vëllai e motra kanë dëshmuar se babai i tyre tërë jetën ka qenë i dhunshëm me nënën e tyre por edhe me ata vetë. Në fund të seancës Gjyqtari Fatmir Ndreu ka pranuar kërkesën e Prokurorisë duke caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”.
Ndërkohë ditën e djeshme është zhvilluar në fshatin Shalës edhe ceremonia mortore e Hysen e Shano Islamaj, 69 dhe 66 vjeç. Trupat fillimisht janë vendosur në banesë e më pas janë përcjellë drejt varrezave nga familjarë dhe miq. Ata nuk janë varrosur bashkë, por në varre të ndara dhe larg njeri tjetrit. Kjo ishte vetë dëshira e fëmijëve. Në ceremoni ka marrë pjesë edhe vetë Klementin Islamaj, i shoqëruar nga efektivë të Komisariatit të Policisë Sarandë./vizionplus.tv