Sulmi me raketa në bazën ushtarake në Irak, plagosen anëtarët e personelit amerikan

Pinterest LinkedIn Tumblr +
Sulmi me raketa në bazën ushtarake në Irak, plagosen anëtarët e personelit amerikan

Të paktën pesë persona, anëtarë të personelit amerikan u plagosën pas sulmit në një bazë ushtarake në Irak, kanë thënë zyrtarët amerikanë, mes tensioneve në rritje pas vrasjes javën e kaluar të anëtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut.

Dy raketa u hodhën në bazën ajrore Ain al-Assad në Irakun perëndimor të hënën, thanë dy burime irakiane të sigurisë për agjencinë e lajmeve Reuters.

Një nga burimet irakiane tha se raketat ranë brenda bazës. Ishte e paqartë nëse sulmi ishte i lidhur me kërcënimet e Iranit për t’u hakmarrë për vrasjen e liderit të Hamasit Ismail Haniyeh.

Advertisement

Zyrtarët amerikanë, të cilët folën për Reuters në kushte anonimiteti, thanë se njëri nga amerikanët ishte plagosur rëndë. Ndërkohë, agjencia e lajmeve Associated Press, duke cituar zyrtarë të mbrojtjes amerikane, tha se shtatë ushtarakë dhe civilë u lënduan.

Shtëpia e Bardhë tha se presidenti dhe zëvendëspresidenti ishin informuar për sulmin.

“Personeli i bazës po kryen një vlerësim të dëmeve pas sulmit”, tha një nga zyrtarët për Reuters.

Haniyeh, udhëheqësi politik i grupit palestinez Hamas, u vra në kryeqytetin iranian Teheran javën e kaluar, një sulm që solli kërcënimet për hakmarrje nga Irani. Irani ka fajësuar Izraelin për vrasjen, por Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë.

Advertisement

Një sulm izraelit në Bejrut javën e kaluar vrau gjithashtu Fuad Shukir, komandantin e lartë të grupit libanez Hezbollah.

Irani ka thënë se SHBA është përgjegjëse për vrasjen e Haniyeh për shkak të mbështetjes së saj për Izraelin./vizionplus.tv

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy