Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar shifrat mbi përqindjen e pjesëmarrjes të derimëtanishme në zgjedhjet për kreun e ri të Himarës.
Sipas përditësimit më të fundit rezulton se kanë shprehur vullnetin e tyre përmes votës vetëm 6.66% e votuesve.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në Himarë është 23.074.
KQZ bën të ditur se nuk janë shënuar incidente dhe procesi po ecën normalisht.
“Prej orës 7 të mëngjesit ka nisur procesi zgjedhor për kryetarin e Bashkisë Himarë. Të gjithë qendrat e votimit në Bashkinë Himarë janë hapur sipas procedurave të përcaktuara nga Kodi Zgjedhor. Identifikimi i zgjedhësve po bëhet përmes pajisjes elektronike të identifikimit (PEI) dhe nuk janë raportuar problematika.
Procesi i votimit po ecën normalisht dhe pa problematika”, thekson KQZ.
Dy kandidatët për Himarën janë Vangjel Tavo nga Partisë Socialiste dhe kandidati i koalicionit opozitar, Petro Gjikuria.
Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 19:00./vizionplus.tv