Të paktën 14 të vdekur dhe gjashtë të plagosur janë bilanci nga shembja e një pallati në provincën e Asyut, në pjesën jugore të Egjiptit.
Ndërtesa trekatëshe u shemb të hënën në rrethana ende të paqarta dhe ekipet e shpëtimit kërkuan për njerëzit e bllokuar në rrënoja për më shumë se 24 orë.
Guvernatori i provincës, Essam Saad, ka vizituar vendin e tragjedisë dhe ka kërkuar nga agjencitë përkatëse që të bashkërendojnë përpjekjet e tyre për të paguar sa më shpejt dëmshpërblimet dhe për të mbështetur të lënduarit dhe familjet që kanë mbetur pa shtëpi.
Ai siguroi se do të ngrihet një komision i posaçëm për të hedhur dritë mbi shkaqet e shembjes.
“Shtëpitë fqinje u kontrolluan për të vërtetuar sigurinë e tyre”, thuhet në njoftimin e zyrës së tij, në të cilin theksohet se disa objekte që u konstatuan se kishin pësuar dëme të konsiderueshme nga shembja e pallatit trekatësh janë evakuuar. /vizionplus.tv