Një ekip psikologësh nga Universiteti i Milano-Bicoça dhe Instituti Shkencor IRÇS E. Medea, në Njësinë e Psikopatologjisë së Fëmijëve në Itali, zbuluan një tregues që mund të zbulojë çrregullimin e spektrit të autizmit te fëmijët deri në moshën shtatëmuajshe.
Në hulumtimin e publikuar në internet në PLoS ONE, ekipi shkencor shqyrtoi fëmijët që ishin në rrezik për zhvillimin e çrregullimit dhe i krahasoi rezultatet me fëmijët që nuk ishin në rrezik. Studiuesit më pas i ndoqën fëmijët për dy vjet për të parë nëse ndonjëri prej tyre e zhvilloi këtë çrregullim.
Vihet re se diagnoza e çrregullimit te fëmijët nën moshën tre vjeç bëhet e vështirë për shkak se nuk kanë zhvilluar ende aftësitë e komunikimit dhe të të folurit, ndaj nuk është e mundur që t’u përgjigjen pyetjeve dhe të “lehtësojnë” diagnozën.
U zgjodhën 19 foshnja më të vogla se 7-muajshe (dhe prindërit e tyre). Të gjitha foshnjat kishin vëllezër e motra më të mëdhenj të diagnostikuar me autizëm, gjë që studiuesit thonë se i vendos ata në një grup me rrezik të lartë. 19 foshnja të tjera (me prindërit e tyre) të cilët nuk ishin në rrezik të zhvillimit të çrregullimit të spektrit të autizmit morën pjesë në hulumtim.
Të gjitha foshnjave iu dhanë teste statistikore të të mësuarit dhe u ndoqën gjatë dy viteve të ardhshme për të parë nëse do të zhvillonin çrregullime të spektrit të autizmit.
Studiuesit kryen një seri testesh që përfshinin shfaqjen e fotografive të secilës foshnjë dhe vëzhgimin se si reagonin ndaj modeleve të ngjashme të fotografive në fotografi të tjera. Kjo është një qasje e bazuar në të mësuarit statistikor, e cila aktualisht përdoret në metodologji të ndryshme diagnostikuese për fëmijët më të rritur.
Studiuesit zbuluan se fëmijët me rrezik të lartë për zhvillimin e çrregullimit kishin një vështirësi më të madhe me testet specifike vizuale, ndërsa ata me rezultatet më të këqija kishin më shumë gjasa të rrezikoheshin nga zhvillimi i çrregullimit të spektrit të autizmit më vonë.
Ekipi hulumtues pranon se gjetjet e tyre janë paraprake, duke vënë në dukje se nevojiten më shumë kërkime për të konfirmuar se ky lloj testimi statistikor mund të përdoret për të diagnostikuar autizmin te foshnjat.