Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka zhvilluar sot takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan, i cili ndodhet për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, njoftojnë nga MPJ.
“Maqedonia e Veriut dhe Turqia mbajnë marrëdhënie tradicionalisht të mira dypalëshe. Shpresoj që kjo dinamikë të jetë edhe më e fortë në periudhën e ardhshme. Turqia është një mik dhe aleat i rëndësishëm i Maqedonisë së Veriut. Ne kemi më shumë se 30 vite marrëdhënie diplomatike dhe gjatë kësaj periudhe kemi ndërtuar shumë ura ndërmjet qytetarëve tanë”, tha Osmani.
Osmani theksoi se hapja e fundit e Konsullatës së Nderit në Antali dhe vitin e kaluar në Edrene dhe Amasja do të kontribuojë në pasurimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit me rajonet me fokus në tregti dhe turizëm.
“Krahas mënyrave të shfrytëzimit të potencialit për bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve, temë e bisedës ishte bashkëpunimi multilateral në kuadër të organizatave ndërkombëtare, me fokus të veçantë partneritetin në kuadër të NATO-s”, thonë nga MPJ.
Bashkëbiseduesit, shtojnë nga atje, shkëmbyen mendime edhe për çështje të tjera aktuale të politikës së jashtme./Telegrafi/
The post Osmani-Fidan: Maqedonia e Veriut dhe Turqia kanë marrëdhënie tradicionalisht të mira dypalëshe appeared first on Telegrafi.