Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, sot realizoi takim me Armen Grigorjan, përfaqësues i përhershëm i Programit Zhvillimor të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në vend, njoftojnë nga qendra për shtyp i Kuvendit.
Në takim, theksojnë nga atje, u bisedua për avancimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit, si dhe për mbështetjen konkrete nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për miratimin dhe për zbatimin e Strategjisë Zhvillimore Nacionale 2024-2044 (SZHN).
“Duke e uruar për zgjedhjen në funksionin e ri, Grigorjan theksoi se Strategjia mbulon disa segmente me të cilat UNDP-ja bashkëpunon me institucionet shtetërore, me propozim që edhe Kuvendi të vazhdojë të jetë aktiv: dezinformimet, politikat rinore (korrelacioni me Strategjinë Nacionale të Rinisë, transparenca e raporteve të revizorit, strategjia arsimore (me fokus në miratimin e ligjeve të përmirësuara për arsimin fillor dhe të mesëm, arsimin e të rriturve, arsimin profesional dhe për nxënësit me aftësi të kufizuara).
Në periudhën e ardhshme, fokus i veçantë do t’u kushtohet çështjeve klimatike dhe drejtësisë ekologjike, përkatësisht institucionalizimit legjislativ të së drejtës për mjedisin e pastër njerëzor si e drejtë themelore e njeriut”, thuhet në njoftim.
Kryetari Gashi i njoftoi të pranishmit se pret që Kuvendi në seancat e para të kësaj përbërjeje parlamentare të miratojë Strategjinë Zhvillimore Nacionale, kompletimin e Këshillit Drejtues dhe planifikimin e aktiviteteve të mëtutjeshme në Kuvend.
Gashi dhe Grigorjan, shtojnë nga atje, konkluduan se edhe në periudhën e ardhshme, bashkëpunimi midis Kuvendit dhe UNDP-së do të mbetet i hapur dhe do të vazhdojë me dinamikë të shtuar, si dhe me institucionet e tjera në vend, me qëllim të garantimit të qëndrueshmërisë së SZHN-së në periudhën e mbuluar prej 20 vite./Telegrafi/
The post Gashi-Grigorjan: Nevojitet mbështetje konkrete për zbatimin e Strategjisë Zhvillimore Nacionale 2024-2044 appeared first on Telegrafi.