Ushtria izraelite ka depërtuar deri në skajin më jugor të Rripit të Gazës dhe ka marrë kontrollin e pikë kalimit të Rafah.
Në pamjet e publikuara shfaqen tanket, ushtarët dhe flamujt e Izraelit brenda territorit në jug ku po zhvillojnë operacionin të cilin autoritetet në Tel Aviv e kanë quajtur të kufizuar.
“Gjatë natës, trupat tokësore të ushtrisë morën kontrollin në pikë kalimin e Rafah nga ana e Gazës dhe filluan një operacion të saktë kundër terrorizmit. Kjo me qëllim për të eliminuar terroristët e Hamasit dhe për të çmontuar infrastrukturën terroriste brenda zonave specifike të Rafahut lindor”, thanë forcat e mbrojtjes së Izraelit
Të hënën pasdite Hamasi deklaroi se kishte pranuar një propozim armëpushimi që po diskutohej prej javësh por megjithatë, zyra e kryeministrit izraelit
Benjamin Netanyahu, tha se ai nuk përmbushte kërkesat e Izraelit dhe se kabineti i tij i luftës kishte miratuar vazhdimin e operacionit në Rafah.
Pikëkalimi i Rafah me Egjiptin ka shërbyer si një pikë kyçe gjatë 7 muajve luftë duke qenë për një kohë të gjatë porta e vetme për ndihmën humanitare që mbërrinte në Rripin e Gazës.
Ndërhyrja e paralajmëruar e ushtrisë në Rafah ka nxitur kritika të ashpra dhe përçarje mes Izraelit dhe aleatëve të tij perëndimorë.
Në pjesën jugore të Rripit të Gazës janë grumbulluar pjesa më e madhe e palestinezëve të zhvendosur nga banesat e tyre në rreth 7 muaj luftë. /vizionplus.tv