Një nga emrat më të njohur të artit dhe muzikës në Shqipëri, maestro Zhani Ciko ishte i ftuar në studion e “Quo Vadis” në Vizion Plus me moderatoren Pranvera Borakaj. Zhani Ciko kujtoi kohën kur nëna e tij ishte drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës. Ai e kujton nënën si një njeri të dhimbsur dhe thotë se shtëpia e tyre ishte dhe shtëpia e vogëlushëve që rriteshin në Shtëpinë e Fëmijës.
Zhani Ciko: Babai im ishte profesor i kantos, përveç të tjerave nxori nga emrat më të mëdhenj të kantos operistike në Shqipëri. Me ata sillej gjithashtu me rreptësi, ishte një natyrë shumë e dashur, me një horizont dhe që kishte besim se Shqipëria do të bëhej në fushën e artit. Kur unë pësova atë deziluzionin e madh në vitet ’70 që ndryshoi kursi dhe pësova një rënie, ai më thoshte mua “Studio se çdo gjë tre ditë e ka këtu te ne, pastaj gjërat nuk dihet si ndryshojnë.” Mirëpo njeriu nuk e beson kur është në vështirësi. Ndërsa nëna nuk ishte një nënë që i përgëzonte fëmijët, që t’i ledhatonte apo të mbante krahun e njërit apo tjetrit, por kishte një filozofi tjetër në jetë. Ishte e dashur, shumë e dhimbshme, dhe asaj veçanërisht në atë kohë kur ishte drejtoreshë e Shtëpisë së Fëmijës…kishte 200 e ca fëmijë atje. Shtëpia jonë ishte shtëpia e atyre fëmijëve. Ata vinin shpesh herë. Unë kthehesha, atëherë kur isha në Patos ose diku tjetër, dhe e gjeja krevatin të zënë se kishin rënë dy nga këta fëmijët, që një drejtor i egër i kishte përjashtuar nga shkolla dhe nuk dinin ku të shkonin. Dikush kishte mbaruar shkollën, s’kishin strehim atëherë.
Pranvera Borakaj: E pranonit ju lehtësisht këtë gjë në familje? Apo nuk e kundërshtonit fjalën e nënës?
Zhani Ciko: Absolutisht! Jo pse nuk e kundërshtonim fjalën, se dhe unë ndjeja dhembshuri. Ka pasur dhe këngëtarë që vinin nga kjo shtresë e fëmijëve dhe unë nuk i kam favorizuar që të heq këngën e një këngëtari shumë të mirë dhe t’ia jap këtij tjetrit. Por kujdesesha që të kishte përgatitje, të ishin prezentë këta njerëz, në kushtet në të cilat meritonin të futeshin në garë. Pastaj si përfundonte gara nuk ka qenë asnjëherë detyra ime./vizionplus.tv