Fitore e vështirë por e çmuar e Milanit kundër Udineses në javën e 21 të kampionatit italian. Sukses me përmbysje vetëm në minutën e 94 për kuqezinjtë të cilët blinduan vendin e tretë në renditje duke shtuar presionin edhe ndaj Juventusit që është 4 pike larg, por sonte luan në transfertë ndaj Leçes. Kuqezinjtë dominuan pjesën e parë në Friuli dhe ia dolën të konkretizojnë përmes një goli të Loftus çik pas një shërbimi të Teo Hernandez nga e majta.
Menjëherë më pas loja u ndërpre pas episodeve të përsëritura të tifozerisë vendase me kore raciste drejt portierit të Milanit Majk Menjon. Kuqezinjtë braktisën fushën dhe u bindën të ktheheshin vetëm pas 5 minutash. Pak më vonë Udinese në gjuajtjen e parë në portë realizoi një gol të bukur me Samarxhiç që barazoi shifrat.
Në pjesën e dytë Milani në momentin më të mirë u godit sërish nga Florent Toven. U duk një ndeshje e mbyllur pasi Milani pati vështirësi në reagim, mirëpo Jovic u tregua edhe njëherë vendimtar, pasi erdhi nga stoli dhe barazoi shifrat në minutën e 83.
Një tjetër lojtar që u fut si zëvendësues, Noah Okafor i dha jetë përmbysjes së rezultatit dhe suksesit të rëndësishëm të skuadrës së Piolit, që hakmerret edhe për humbjen e fazës së parë në San Siro.
Tani kuqezinjtë ndodhen në kuotën e 45 pikëve, 6 me pak sesa Interi kryesues./vizionplus.tv