Gjon Françesk Albani, siç u thirr në Pagëzim, lindi më 23 korrik 1649 në Urbino të Italisë. Si kreu shkollimin e plotë në Romë, falë aftësive të tij, ngjiti shumë shpejt shkallët e karrierës kishtare: së pari si sekretar i kanonikëve (1687), më pas si kardinal (1690) e së fundi si i 261-ti pasardhës i Shën Pjetrit (23 nëntor 1700).
Pati një papni të trazuar nga konflikti i vazhdueshëm ndërmjet Francës e Perandorisë spanjolle, që krijoi rrezikun e një sulmi të armatosur kundër papatit. Përballoi me urtësi këtë konflikt e të tjerë, që u krijuan pas Traktateve të Utrehtit, të Ratsadit e të Badenit (1712- 1714) ku u caktuan normat për ndarjen e Evropës. Më pas iu desh të përballonte një rrezik tjetër: atë të pushtimit turk.
Dha një kontribut të shquar në fushën teologjike, duke luftuar herezitë e kohës; në fushën kanonike e liturgjike, duke kontribuar për përkryerjen e riteve lindore të kinezëve e malabaritëve; në fushën e misionit, duke dendësuar veprimtarinë misionare në Mesdheun Perëndimor, Persi, Indi e Kinë.
Krenar për prejardhjen e tij shqiptare, u interesua nga afër për fatet e vendit të të parëve. Emri i papës Albani mbeti në historinë e Shqipërisë si për organizimin e Kuvendit të Arbënit (1703) e për botimin e Akteve të tij në shqip e latinisht, vepër me rëndësi të dorës së parë për traditën tonë letrare, ashtu edhe për kontributin që dha në përhapjen e gjuhës e të kulturës në trojet shqiptare.
I dha kështu Dheut të të Parëve ndihmesën e tij të çmuar për të hedhur hapin e parë drejt rilindjes shpirtërore e kombëtare të popullit, që rënkonte në errësirën e thellë të pushtimit, një rreze drite, që t’ia ndriçonte shtegun drejt lirisë.
Në historinë shqiptare, si dhe në fusha të tjera studimore albanologjike, emri i Papa Klementit XI- Albani, përmendet si një Papë me “gjak shqiptar” dhe që ka pasur plot merita te tjera për çështjen shqiptare. Familja Albani e ka prejardhjen nga familja fisnike e Mikel Laçit, nga Laçi i Kurbinit. Nga kjo familje rrodhën, përveç Klementit XI, kardinalë të shquar, kontë, diplomatë të mëdhenj dhe burra shteti të nivelit të lartë.
Për Dom Nikë Ukgjinin përfaqësues i kishës katolike në Shqipëri, emri i Papa Klementit XI lidhet edhe me Mërqinë – kishën e Kuvendit të Arbrit, e cila ka një vlerë të pazakontë në të kaluarën dhe sot. “Papa Klementi XI ka mbetur e do të mbetet një papë në panteonin e ndritur të historisë shqiptare e asaj botërore” – e përshkruan atë akademik Shaban Sinani.
Papa Albani ka lënë gjurmë edhe në kujtesën kolektive, në kulturën humane dhe civilizimin e shoqërisë shqiptare. Për studiuesin arbëresh prof. Francesco Altimari, roli i Papa Klementit XI ka qenë i pazvëndësueshëm për kohën për zgjimin e kulturës dhe të identitetit në botën shqiptare. Në një nga librat më të çmuar për historinë tonë kombëtare “Illyricum Sacrum”, ilirët e shenjtë flitet sesi Papa Klementi XI dha kontribute të mëdha për mbledhjen e përpunimin e historisë së Shqipërisë. /LAPSI.al
The post Historia e Papa Albani dhe amanetit të tij: Mbi varr më shkruani që jam shqiptar appeared first on Lapsi.al.