Sektori më i rëndësishëm i ekonomisë, bujqësia, për vitin që vjen është më pak i financuar se ky vit që po mbyllim. Nga skema direkte që financohen fermerët janë parashikuar 3.3 mld lekë nga 5.2 në 2023.
Por ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj, duke raportuar në komision tha se do të rishikohet skema e mbështetjes për fermerët. Rishikimi do të bëhet në 6-mujorin e parë të 2024 dhe skema e do të jetë e qëndrueshme për të paktën 3 deri në 5 vite.
6-mujori e parë të vitit që vjen ne do të prezantojmë një skemë, e cila do të jetë edhe më e qëndrueshme. Të paktën të jetë rezistente për 3-5 vite. Brenda këtij harku kohorë ne do të kërkojmë fonde gati trefish më shumë, – tha Anila Denaj.
Rishikimi i skemës vjen në një moment kur Bashkimi Europian ka pezulluar deri në verifikimin e plotë të fondeve të programit “IPARD 2”, që i vijnë në ndihmë fermerëve shqiptarë për shkak të dyshimeve për abuzim. Është kjo arsyeja pse fondet për bujqësinë janë më të ulëta në parashikim.
Ne do të kërkojmë, pas prezantimit të skemës, një buxhet që të arrijë në 8.6 deri në 9 mld lekë, pasi në këtë mënyrë do të mund të mbulojmë nevojat e fermerëve. Pra jemi në një fazë përgatitore, – tha Anila Denaj.
Aktualisht mbështeten me fonde, rreth 65 mijë fermerë ose rreth 70% e atyre që janë të regjistruar. Në çdo rast mbështetja që marrin fermerët shqiptarë është më e ulëta në raport dhe me vendet e rajonit.