Një grusht ëmbëlsirash është sinonim i Halloween aq sa edhe një kostum drithërues ose një kungull i çuditshëm. Por më 31 tetor 1858, ishin pikërisht ëmbëlsirat që vranë disa fëmijë dhe duke futur në panik të gjithë qytetin e Bradford në Britaninë e Madhe. Shkak u bë një ngatërresë në një farmaci nga dëshira për të kursyer disa qindarka në blerjen e sheqerit nga një përgatitës ëmbëlsirash.
Kur William Hardacre mbylli dyqanin atë ditë, padyshim e përgëzoi veten për tregtinë e suksesshme që kishte bërë. Shitës me tezgë në treg, jo vetëm që kishte shitur 5 kilogramë me karamele, por i kishte marrë ato me një çmim të ulët në fillim. Kur bleu ëmbëlsirat nga shitësi me shumicë, vuri re se ato ishin më të errëta se zakonisht, kështu që bëri pazar me pastiçierin Joseph Neal dhe ia bleu atij me gjysmë qindarkë më pak. Hardacre nuk e vuri në pikëpyetje cilësinë gjë që rezultoi një gabim i kushtueshëm pasi deri mbrëmjen e së nesërmes, disa nga klientët e tij kishin vdekur.
Fillimisht, kirurgu John Roberts vizitoi 9-vjeçarin Elijah Wright në orët e para të Halloween, por mendoi se djali kishte vdekur nga kolera. Sipas mjekut, simptomat të vjella dhe konvulsione ishin në përputhje me sëmundjen, e cila ishte e përhapur në Angli në atë kohë. Një orë më vonë, babai i Joseph Scott u largua nga shtëpia për të marrë një mjek për djalin e tij 14-vjeçar, i cili u sëmur papritur. Kur u kthye, ishte tepër vonë.
Të dy, siç u zbulua më vonë, kishin blerë ëmbëlsira nga William Hardacre një ditë më parë, por lidhja mes të dyve nuk po bëhej ende. Ishte Dr. John Henry Bell ai që dyshoi për ëmbëlsirat rreth orës 15:00. Orlando Burran, 5 vjeç dhe vëllai i tij John Henry, 3 vjeç, ishin shtrirë të vdekur para tij. Babai i tyre ishte sëmurur atë mëngjes dhe 2 të tjerë në shtëpi ishin gjithashtu të sëmurë. Të gjithë ata kishin ngrënë ëmbëlsira kështu që mjeku dërgoi disa karamele tek kimisti Felix Marsh Rimmington për t’i testuar.
Me kalimin e ditës, nga e gjithë zona filluan të vërshojnë lajme se njerëzit ishin të sëmurë dhe po vdisnin. Pasi mësoi për ëmbëlsirat, policia shkoi në shtëpinë e Hardacre dhe pa se ai jo vetëm që ishte i sëmurë në shtrat nga ngrënia e ëmbëlsirave të tij, por kishte shitur rreth 1000 të tilla një ditë më parë.
“Policia u tmerrua kur zbuloi se kishte [aq shumë] ëmbëlsira në qarkullim” – thotë sot Dr. Lauren Padgett. “Ishte vonë në mbrëmjen e së dielës, kështu që ata dolën në rrugë duke u rënë kambanave për të tërhequr vëmendjen e njerëzve dhe duke thirrur. Shkonin nga një pijetore në tjetrën duke u thënë njerëzve: “Mos i hani ëmbëlsirat, ato janë me helm.” Njoftime paralajmëruese u shtypën me shpejtësi dhe u vendosën në vende publike.
Një listë e atyre që kishin vdekur ose ishin shumë të sëmurë u botua në “Bradford Observer”. Deri më 4 nëntor, numri i viktimave kishte arritur në 18 ku më i vogli ishte vetëm 17 muajsh. Gazeta e përshkroi listën në rritje të viktimave si “fatkeqësia më e tmerrshme që ndoshta kishte ndodhur ndonjëherë në zonë…”.
Detektivët nisën të hetonin se si ishin helmuar ëmbëlsirat. Ata zbuluan se tregtari Hardacre kishte shkuar tek pastiçeri Neal për të marrë ëmbëlsirat. Ky i fundit kishte blerë në farmaci një pluhur të njohur si “daft” që vinte nga Parisi dhe që zëvendësonte sheqerin e shtrenjtë për kohën. Ishte një praktikë e zakonshme në shekullin e 19-të.
Ajo që Neal nuk e dinte ishte se kur dërgoi kolegun e tij për marrë pluhurin me makinë, farmacisti Charles Hodgson ishte i sëmurë dhe i kishte thënë nxënësit të tij të patrajnuar William Goddard se ku ta gjente. Fatkeqësisht, në dhomë kishte dy fuçi të pashënuara me pluhur të bardhë. Njëra përmbante lëng të padëmshëm dhe tjetra arsenik helmues.
“Goddard pa tek njëra fuçi që ai mendonte se përmbante pluhurin dhe mori 12 kilogramë prej saj. Ia dha djalit të ri që e çoi në pastiçeri, ku një punonjës tjetër filloi të bënte karamele” – thotë Dr. Padgett. “Ai vetë u sëmur shumë nga ekspozimi ndaj arsenikut, por në vend që t’u binte kambanave të alarmit, vazhdoi t’i prodhojë ëmbëlsira.”
Seria katastrofike e ngjarjeve vazhdoi kur William Hardacre mori porosinë e tij dhe thjesht negocioi një tarifë më të ulët për ëmbëlsirat me pamje të çuditshme përpara se t’i shiste në tezgën e tij. Kur kimisti Rimmington i analizoi ato, tha se kishte gjetur “arsenik me bollëk, në sasi të mjaftueshme për të shkatërruar jetën”. Vetëm në një karamele, ai gjeti 16 kokrra arseniku, 4 herë më shumë se sasia e konsideruar e një doze helmuese dhe e mjaftueshme për të vrarë dikë.
“Kjo ishte një sasi mjaft e madhe arseniku” – thotë historiani Alex Hutchinson. “Për ne si konsumatorë të shekullit të 21-të na duket e çmendur që kjo lëndë çuditërisht helmuese që ishte pa erë, që nuk kishte asnjë shije, që mund të ruhej në një fuçi pranë diçkaje tjetër që nuk ishte etiketuar dhe thjesht mund t’i dorëzohej kujtdo në banak.”
Helmimet shkaktuan një protestë dhe gazetat në të gjithë vendin e raportuan çështjen. Artisti John Leech u bë po aq i njohur për vizatimin e tij në revistën “Punch” të një skeleti duke që përzien sheqerin në një dyqan ëmbëlsirash. Zyrtarisht, 20 njerëz, shumë prej tyre fëmijë vdiqën dhe 200 të tjerë u sëmurën rëndë. Dr. Padgett dyshon se shifrat ishin ndoshta shumë më të larta sepse ëmbëlsira u gjetën gjithashtu në Leeds dhe deri në Bolton.
“Ishte mjaft pikëlluese për të gjithë”, thotë ajo. “Bradford ishte shumë i lidhur, kështu që kur diçka ndodhte në komunitet, të gjithë prekeshin prej saj, gjë që ndodhi në këtë rast. Ka të ngjarë që njerëzit të njihnin dikë që ishte prekur.” Në fund të fundit, helmimet në Bradford theksuan rëndësinë e garantimit të sigurisë së ilaçeve dhe produkteve të konsumit.
Kjo ndikoi në futjen e Aktit të Farmacisë të vitit 1868, i cili jo vetëm kufizoi shitjet e helmeve dhe barnave të rrezikshme për farmacistët, por vendosi një kuadër rregullator për shitjen e ilaçeve që edhe sot e kësaj dite kërkon që barnat të etiketohen siç duhet.
William Hardacre nuk u arrestua kurrë, por mbeti i paralizuar nga efektet e ngrënies së ëmbëlsirave të tij të kontaminuara. Neal, Goddard dhe Hodgson u arrestuan për vrasje nga pakujdesia dhe hetimi arriti në përfundimin se ky i fundit ishte fajtor, megjithëse pranoi se “arseniku ishte shitur aksidentalisht”. Të tre u liruan përfundimisht në dhjetor 1858. Juria e madhe hodhi poshtë paditë kundër Neal dhe Goddard dhe gjyqtari ndaloi ndjekjen penale kundër Hodgson.
Zinxhiri i ngjarjeve që çuan në helmimet e Bradford ishte “paaftësia”, – shton Hutchinson. “Por si një histori Halloween, është e tmerrshme.” ©BBC, LAPSI.al
The post 1858/ Si u helmua me karamele i gjithë Bradford ditën e Halloween appeared first on Lapsi.al.