Ish kryeministri Sali Berisha ka dorëzuar kërkesë në sekretariatin e Gjykatës së Posaçme, ku kërkon përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, nga procesi gjyqësor që po zhvillohet ndaj tij.
Dy avokatët e tij mbrojtës, Genc Gjokutaj dhe Sokol Mëngjesi kanë deklaruar më parë se është kërkuar përjashtimi i Gjokës, ndërsa sot kjo kërkesë e tyre është depozituar zyrtarisht me shkrim.
Kërkesa e Berishës i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares Flora Hajredinaj.
Në kryesekretarine e GJKKO-së, ditën e sotme, datë 26.10.2023, ora 09:45, është paraqitur kërkesa e kërkuesit Sali Berisha, me objekt: “Kërkohet përjashtimi i gjyqtares Irena Gjoka”, nga gjykimi i kërkesës penale të paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, me objekt marrjen në pyetje të shtetasit nën hetim Sali Berisha, me bazë ligjore nenet 17, 18, 19, 21, 22, 23 të Kodit të Procedurës Penale. Duke qenë se gatishmëria për javën 23.10.2023-29.10.2023, referuar urdhërit të gatishmërisë të zv.Kryetares së gjykatës, i takon gjyqtares Irena Gjoka, kjo kërkesë i ka kaluar për shqyrtim gjyqtares pasardhëse të gatishmërisë, Flora Hajredinaj.