Për të gjitha gratë dhe vajzat, tetori është një muaj ndërgjegjësues për parandalimin e kancerit të gjirit.
Edhe këtë vit, Bashkia e Tiranës, iu bashkua fushatës globale “Fjongoja rozë më kujton”, një marshim që e vendos në qendër të vëmendjes betejën kundër kësaj sëmundje.
“Një qytet ka shumë asete, por unë besoj se ‘aseti’ numër një i një qyteti janë njerëzit. Mund të ketë qytet pa bulevard, mund të ketë qytet pa ndriçim, pa shtylla, mund të ketë qytet edhe pa asfalt e pa pllaka, por nuk ka qytet pa njerëz. Vetë kuptimi i fjalës qytet do të thotë një bashkësi me njerëz. Nëse kuptojmë se aseti numër një i qytetit janë njerëzit, atëherë unë besoj se secili prej nesh ka më shumë për të dhënë në këtë kauzë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku ftoi të gjitha vajzat dhe gratë që të kryejnë kontrolle mjekësore periodike.
“Sot shpresoj që ky marshim të jetë një himn për të gjitha gratë shqiptare, një mënyrë ndërgjegjësimi, të jetë edhe si një mirënjohje për skuadrën fantastike të YWCA, e cila ndër vite, kur nuk ishte e udhës, kur nuk ishte modës, kur konsiderohej tabu të flisje për kancerin e gjirit, i kanë qëndruar besnikë një kauze të jashtëzakonshme”, tha Veliaj.
710 raste të reja me kancer janë diagnostikuar vetëm gjatë vitit 2022, ndërsa ndërsa 197 gra humbën jetën nga kjo sëmundje.