Me tanket dhe trupat të vendosura pranë kufirit me Gazën, në pritje të urdhrit për të nisur sulmet nga toka, Izraeli ka intensifikuar sulmet ajrore gjatë natës së kaluar.
Zëdhënësi ushtarak i Izraelit tha se vendi i ka shtuar sulmet ajrore në të gjithë Gazën për të goditur objektiva, që do të reduktonin rrezikun për trupat në fazën tjetër të luftës. Nuk ka ende një afat të caktuar se kur do të nisë ofensiva tokësore.
I pyetur nëse ofensiva tokësore mund të shmangej, zyrtari i ushtrisë izraelite tha se kushti i vetëm është lirimi i të gjitha pengjeve dhe dorëzimi i Hamasit.
JONATHAN CONRICUS
ZËDHËNËS I USHTRISË IZRAELITE
Advertisement
“Qëllimi është të çmontojmë plotësisht Hamasin nga aftësitë e tij ushtarake. Nëse kjo mund të bëhet nga ajri, do të ishte një arritje. Nëse Hamasi do të dilte nga vendet ku fshihet pas civilëve, do të kthente të gjithë pengjet tanë, dhe do të dorëzohej pa kushte, atëherë lufta do të përfundonte. Nëse jo atëherë ne duhet të vazhdojmë.”
Sipas njoftimit të fundit, numri i pengjeve që Hamasi po mban nga nisja e konfliktit ka shkuar në 222.
Ndërkohë rreziku për përhapjen e konfliktit në rajon është rritur pasi avionët luftarakë izraelitë goditën dy aeroporte në Siri dhe një xhami në Bregun perëndimor që dyshohet se përdoreshin nga militantët e Hamasit të dielën.