Anëtarët e Qeverisë majtiste të Spanjës e kanë kritikuar ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke nxitur mosmarrëveshje mes dy vendeve.
Madridi zyrtar i ka hedhur poshtë si “të pavërteta” akuzat e Ambasadës së Izraelit në Spanjës se disa prej anëtarëve të Qeverisë spanjolle janë rreshtuar krah për krah me terrorizmin duke bërë “deklarata të turpshme”.
“Qeveria spanjolle i hedh poshtë kategorikisht të pavërtetat që përmban komunikata e Ambasadës së Izraelit për disa prej anëtarëve të saj”, shkroi Ministria e Jashtme e Spanjës të hënën vonë në X, ish-rrjetin social Twitter.
Ajo shtoi se nuk pranon “asnjë sugjerim të tillë të pabazë”. “Gjendje katastrofike” në spitale: Mjekët në Gazë refuzojnë evakuimin.
Në komunikatën e saj, Ambasada e Izraelit tha se “anëtarë të caktuar të Qeverisë së Spanjës kanë vendosur të rreshtohen në radhët e terrorizmit të ngjashëm me ISIS-in”.
Përveç tjerash, tha ajo, “këto janë deklarata plotësisht të pamoralshme të cilat e rrezikojnë sigurinë e komunitetit hebraik në Spanjë”.
Ambasada izraelite nuk përmendi emra në deklaratën e saj.
Megjithatë, ministrja e Spanjës për të Drejta Shoqërore, Ione Belarra, e cila mori pjesë në tubimet pro-palestineze në Madrid të dielën, i përsëriti kritikat ndaj ofensivës izraelite në Gaza edhe të martën.
Ajo tha se askush nuk e mohon dhimbjen e shkaktuar nga sulmet e Hamasit në Izraelit “por Izraeli po e mohon dhimbjen e palestinezëve”.
“Ne duhet patjetër ta ngremë zërin për t’i dhënë fund përgjithmonë këtij gjenocidi”, tha Belarra në një intervistë për një radio.
Izraeli e ka rrethuar Rripin e Gazës dhe nuk po lejon futjen e ushqimit, ujit, karburantit dhe rrymës që nga sulmi vdekjeprurës i Hamasit më 7 tetor.
Ushtria izraelite e mohon se ka krizë humanitare në Gaza duke ngulur këmbë se ka furnizim me ujë dhe rrymë./REL/