Egjipti, Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur një marrëveshje për të lejuar të gjithë të huajt që ndodhen në Gaza të largohen përmes pikës kufitare Rafah drejt Egjiptit.
Lajmin e bënë të ditur zyrtarë egjiptianë, të cilët kanë theksuar po ashtu se Izraeli ka rënë dakord që të ndalë sulmet në zonat, ku do të kalojnë civilët për tu larguar nga Gaza, e cila tashmë është rrethuar.
Po ashtu bëhet e ditur se Katari është përfshirë në negociata, ndërsa pjesëmarrësit kanë marrë miratimin edhe nga grupet militante palestineze Hamas dhe Xhihadi islamik.
Ndërkohë ende po zhvillohen negociata për dërgimin e ndihmës humanitare në Gazë përmes kësaj pike kufitare.
Të dy zyrtarët kanë folur në kushte anonimiteti, sepse nuk kanë qenë të autorizuar për një deklaratë për mediat.
Afati i të huajve për tu larguar është ora 16:00 e kësaj të shtune sipas orës lokale dhe më pas pritet të ketë një ofensivë ushtarake të Izraelit në Gaza.
Përshkallëzimi i konfliktit nisi një javë më parë kur pjesëtarë të Hamasit kryen sulme të befasishme në Izrael, duke lënë të vdekur mbi 1.000 persona.
Një shifër e ngjashme viktimash është regjistruar edhe në Gaza, si pasojë e sulmeve hakmarrëse të Izraelit, i cili i ka shpallur luftë Hamasit dhe është zotuar për ta shkatërruar atë.