Kur na ndajnë pak orë nga ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Çekisë, ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në fokus të takimit ishin masat për mbarëvajtjen e ndeshjes së rëndësishme për Kombëtaren shqiptare.
Ministri Balla kërkoi të mos ketë asnjë tolerim që mund të cenojë sigurinë e ndeshjes.
“Janë disa problematika që duhet t’i ndajmë me publikun, duke nisur nga kontrolli i biletave që do të bëhet pa hyrë në stadium, kur bëhet kontrolli fizik edhe kontrolli me pajisje e cila verifikon vlefshmërinë e biletës. Policia ka marrë masat për të luftuar falsifikimin e biletave dhe kushdo që do tentojë do të ndiqet nga policia dhe prokuroria. Nisur nga ndeshja me Poloninë, Federata ka marrë vendime për të penguar disa persona të hyjnë në stadium, identitetet e tyre janë publike. Këto shembuj do të ndiqen dhe për ndeshjet e tjera sportive në vend. Nga FSHF na duhet që për personat që ka vendim gjykate, të përjashtohen nga eventet sportive.
Dua të jem i qartë me sportdashësit dhe tifo-grupet, nuk do të tolerohen raste dhune dhe masat do të jenë drastike. Jemi duke studiuar që Policia të rimarrë sigurinë për ndeshjet e mëdha, për mbarëvajtjen e tyre në bashkëpunim me FSHF. Për të gjithë sportdashësit dua të përsëris thirrjen për të mos tentuar të hyjnë me lëndë piroteknike, të cilat sjellin dëmtime të imazhit të vendit. Të rritim vigjilencën para ndeshjes dhe gjatë kontrolleve.
AdvertisementDo të kemi një numër rekord punonjësish policie të angazhuar për sigurinë publike. Kërkoj mirëkuptimin e gjithë tifozëve, qytetarëve dhe atyre që vijnë nga jashtë Shqipërisë, si Presheva, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i zi, apo dhe diaspora, të kuptojnë që mbërritja në stadium të mos jetë orën e fundit, por të jetë e shtrirë në 3 orët që paraprinë eventin për të bërë verifikimet e duhura.
Jam shumë i sigurt që do shkojë mirë”, nënvizoi ministri në takim.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit informoi mbi masat e detajuara, duke nisur nga kontrolli i ambienteve të brendshme të stadiumit.
Policia do të marrë nën kontroll dyert e emergjencave.
Kreu i FSHF Duka u shpreh se qoftë policia apo Federata nuk mund tja dalë pa bashkëpunimin e atyre që do jenë në stadium.
“Uroj të jetë festë me rezultat”, theksoi Duka, duke falënderuar ministrin Balla dhe drejtuesit e Policisë.
Ministri tha se edhe nëse ka një rast, me flakadan në stadium publiku duhet të kuptojë se ndeshja e radhës në 20 nëntor, do zhvillohet në gjysëm apo fare pa tifozë.
“Kush do që t’i bëjë dëm Kombëtares Kuqezi, do jetë ai që vjen me flakadan, ndaj ne do jemi të përgatitur që të reagojmë fort. Nuk mund të dëmtojmë ëndrrën për të shkuar për herë të dytë në Europian me veprime keqdashëse, sepse ato veprime nuk janë më tifozeri, por veprime keqdashëse”, ishte mesazhi i ministrit Balla.