Pacientët në Angli do të bëhen të parët në botë që do të përfitojnë nga një mjekim që trajton kancerin në shtatë minuta.
Pas marrjes së miratimit nga Agjencia Rregullatore e Barnave dhe Produkteve të Kujdesit Shëndetësor (MHRA), NHS do të jetë sistemi i parë shëndetësor që do të shpërndajë injeksionin për qindra pacientë çdo vit.
Kohët e trajtimit me ilaçe për disa pacientë me kancer të NHS do të shkurtohen deri në tre të katërtat.
Atezolizumab zakonisht u jepet pacientëve në mënyrë intravenoze nëpërmjet një pike IV, por shumë prej tyre tani do t’i jepet imunoterapia nëpërmjet një injeksioni.
Ilaçi, i njohur gjithashtu si Tecentriq, trajton lloje të ndryshme të kancerit, duke përfshirë kancerin e mushkërive, gjirit, mëlçisë dhe fshikëzës. Ai u jepet rreth 3600 pacientëve në Angli çdo vit.
Pritet që shumica e këtyre njerëzve ta marrin ilaçin nëpërmjet një injeksioni shtatë-minutësh në vend të intravenozës, e cila zakonisht zgjat 30 minuta deri në një orë.
Pacientëve që marrin atezolizumab së bashku me kimioterapinë mund t’u jepet ende ilaçi në mënyrë intravenoze.
Ilaçi njihet si një frenues i pikës së kontrollit dhe funksionon duke ndihmuar sistemin imunitar të gjejë dhe të vrasë qelizat e kancerit.
Prof Peter Johnson, drejtori kombëtar i NHS Angli për kancerin, theksoi se si një shërbim shëndetësor i drejtuar nga inovacioni po siguronte trajtimet më të avancuara të kancerit për pacientët.
“Pranimi i parë në botë i këtij trajtimi do të thotë që qindra pacientë mund të kalojnë më pak kohë në spital dhe do të çlirojnë kohë të vlefshme në njësitë e kimioterapisë NHS,” tha ai.
“Ruajtja e cilësisë më të mirë të mundshme të jetës për pacientët me kancer është jetike, kështu që futja e injeksioneve më të shpejta nën lëkurë do të bëjë një ndryshim të rëndësishëm.”
Mijëra pacientë me kancer në Angli kanë përfituar nga forma IV e atezolizumabit, e cila mund të zvogëlojë ndjeshëm rrezikun e rikthimit të kancerit.
Në pacientët me kancer të mushkërive me qeliza jo të vogla në fazën e hershme, provat klinike kanë treguar se atezolizumab mund të zvogëlojë rrezikun e përsëritjes së kancerit ose vdekjes me 34%, pas operacionit dhe kimioterapisë.
Trajtimi inovativ funksionon duke bllokuar një proteinë që ndalon sistemin imunitar të sulmojë qelizat e kancerit, duke i bërë qelizat e kancerit më të dukshme për sistemin imunitar./ theguardian