Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i ka bërë thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’i paraprirë përmbytjeve. Peleshi thekson se autoritetet janë në gatishmëri të plotë për çdo emergjenci që mund të vijë si pasojë e reshjeve.
“Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”, njoftoi ministri Peleshi.
Kjo thirrje e Ministrisë së Mbrojtjes vjen pas paralajmërimit të Institutit të Gjeo-Shkencave se duke filluar prej orëve të para të së martës, në vendin tonë priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë. Gjithashtu, në njoftim theksohet se mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.