Ambasadorja amerikane në RMV, Angela Aggeler, ka reaguar në lidhje me vendimin e Departamentit Amerikan të Shtetit, për shpallje “non-grata” kryetarin e Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Në një njoftim, Aggeler thotë se qytetarët e RMV-së meritojnë integritet nga zyrtarët publikë dhe sistem që do t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sot Sekretari i Shtetit shpalli kryetarin e Strugës Ramiz Merko dhe familjen e tij, të padëshiruar për hyrje në Shtetet e Bashkuara, bazuar në gjetjet për korrupsion të rëndë. Njerëzit në Maqedoninë e Veriut meritojnë integritet nga zyrtarët e tyre publikë, dhe sistem që do t’i nxjerrë ata para përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të përjashtojnë secilin – pavarësisht pozitës ose partisë politike, i cili minon shtetin e së drejtës, duke rrezikuar progresin dhe stabilitetin e Maqedonisë së Veriut. Kryetari Merko është i pari këtë vit dhe presim tjerë në të ardhmen. Korrupsioni ka pasoja”, ka thënë ambasadorja Aggeler.
Ndryshe, Departament Amerikan i Shtetit shpalli sot non grata Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut.
Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm, njofton Telegrafi Maqedoni.
Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka shpërdoruar fondet dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut./Telegrafi/
The post Aggeler për vendimin e SHBA-ve ndaj Merkos: Korrupsioni ka pasoja, nuk do të kursehet askush appeared first on Telegrafi.