Rajoni i Pollogut, mbi 500 semimaturantë të pasistemuar

Pinterest LinkedIn Tumblr +

Edhe kësaj radhe, sipas drejtuesve të departamentit të arsimit në Tetovë, ka vazhduar trendi i mbajtjes së kritereve të larta për regjistrim në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në gjimnazin e Tetovës.

Gjithsej 502 semimaturantë nga rajoni i Pollogut ende nuk janë regjistruar në shkollat e mesme komunale dhe shtetërore të Tetovës. Deri më tani, sipas informacioneve të Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës, gjithsej 1433 semimaturantë janë regjistruar në shkollat e mesme të Komunës së Tetovës. Si edhe në të kaluarën, edhe këtë vit pjesa dërmuese e semimaturantëve kanë zgjedhur të vijojnë shkollimin e mesëm në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” dhe në shkollën e mesme të mjekësisë. Nga Sektori i arsimit në Tetovë thonë se regjistrimet vazhdojnë deri në fillim të vitit shkollor.

“Në të tre afatet e regjistrimit në shkollat e mesme gjithsej janë regjistruar 1433 nxënës, apo 73 për qind nga numri i përgjithshëm i semimaturantëve. Prej tyre, 1120 semimaturantë janë shqiptarë, apo 70.5 për qind nga numri i përgjithshëm i semimaturantëve shqiptarë, 313 janë maqedonas dhe 23 janë turq”, thotë Ahmet Qazimi, udhëheqës i Sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës. Sipas tij, në gjimnaz dhe në mjekësi janë plotësuar të gjitha vendet e lira. “Në shkollën e mesme të mjekësisë janë plotësuar të gjitha vendet e lira, po ashtu edhe në gjimnaz, ndërsa në shkollat tjera ka ende vende të lira. Nga numri i përgjithshëm i semimaturantëve në rajonin e Tetovës dhe komunave rurale mbeten të pa sistemuar edhe 502 semimatrantë. Regjistrimet do të vazhdojnë deri në fillim të vitit shkollor dhe këto semimaturantë, mund të drejtohen ku ka vende të lira dhe i plotësojnë kushtet për regjistrim”. sqaroi më tej Qazimi.

Nga regjistrimet e deritanishme, interesimi i semimaturantëve vazhdon të jetë i lartë për shkollën e mesme të mjekësisë, ku janë regjistruar rreth 500 semimaturantë. Në gjimnazin “Kiril Pejçinoviq” janë pranuar rreth 300 semimaturantë, kurse në shkollën e mesme të bujqësisë rreth 250. Në shkollën e mesme ekonomike janë regjistruar rreth 100 nxënës, kurse në shkollën tekstile rreth 200 semimaturantë. Në gjimnazin e dytë në Tetovë – “7 Marsi”, janë regjistruar rreth 100 semimaturantë. Edhe kësaj radhe, sipas drejtuesve të departamentit të arsimit në Komunën e Tetovës, ka vazhduar trendi i mbajtjes së kritereve të larta për regjistrim në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në gjimnazin e Tetovës.

Advertisement

“Nëse dëshirojmë të kemi arsim cilësor, patjetër që duhet të kemi edhe kritere të larta për regjistrim në shkollën e mesme të mjekësisë dhe në gjimnazin e Tetovës. Në këto dy shkolla gjithmonë ka interesim më të madh për regjistrim, prandaj edhe kriteret janë të larta dhe nuk bëjmë tolerancë sa i përket regjistrimit”, shprehet më tej Qazimi. Në ndërkohë , ai apelon që nxënësit sa më shumë të drejtohen në drejtimet profesionale. “Ka shumë drejtime që janë atraktive dhe kanë perspektivë në të ardhmen, sidomos në shkollën e mesme të bujqësisë dhe në shkollën e mesme tekstile. Në këto dy shkolla pothuajse janë të gjitha drejtimet që janë kompatibile me nevojat e tregut të punës, prandaj edhe nxënësit duhet që sa më shumë të orientohen në këto drejtime që në të ardhmen të kenë punë të sigurt. Duhet që edhe prindërit sa më shumë të angazhohen që fëmijët e tyre ti orientojnë në këto shkolla, sepse kanë një të ardhme më të sigurt”, nënvizon udhëheqësi i Sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, Ahmet Qazimi. (koha.mk)

The post Rajoni i Pollogut, mbi 500 semimaturantë të pasistemuar appeared first on Telegrafi.

Share.

Comments are closed.

Copyright © 2024 Struga.info | Privacy policy