Sekretari i shtetit Mike Pompeo dhe një numër i madh ligjvënësish amerikanë dënuan imponimin e një ligji të ri gjithëpërfshirës të sigurisë nga Kina në Hong Kong të mërkurën.
Ligji i ri nxiti paralajmërime dypartiake nga ligjvënësit se Partia Komuniste Kineze mund të përballet me sanksione të reja për shtypjen e lirisë së fjalës dhe tubimit në një qytet që ligjërisht supozohet të ketë një shkallë të lartë të autonomisë nga Kina.
Arrestimet e para bazuar në ligjin e ri të sigurisë kombëtare që hyri në fuqi në 23 vjetorin e kalimit të Hong Kongut nga kontrolli britanik në atë kinez. Sipas marrëveshjes për këtë çështje, Hong Kongu duhej të funksiononte nën parimin “Një vend, dy sisteme”. Zyrtarët amerikanë thonë se tani ky parim ka përfunduar.
“Hong Kongu i lirë ishte një nga qytetet më të qëndrueshme, të begata dhe dinamike në botë. Tani ai do të jetë një qytet i drejtuar nga komunistët, ku banorët e tij do t’i nënshtrohen tekave të elitave të partisë”, tha Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.
Marshimi i përvitshëm në përvjetorin e kalimit të kontrollit tani ka pasoja të ndryshme për shkak të ligjit të ri, që Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore thonë se kufizon liritë, duke përfshirë të drejtën e tubimit dhe fjalën e lirë.
“Normalisht, ky përvjetor do të shoqërohej me protesta paqësore. Në vend të kësaj, ligji i ri ka sjellë një mori arrestimesh, dhe mburrjet e autoriteteve lokale mbi numrin e protestuesve paqësorë që kanë burgosur. Ndëshkime të reja të ashpra për banorët e Hong Kongut për shkelje të reja dhe të paqarta. Autorizime të reja që mundësojnë Pekinit të ndërhyjë sipas dëshirës së tij”, tha seantori republikan Mitch McConnell, udhëheqës i shumicës në Senat.
Paqartësitë në ligjin, i cili u miratua në fshehtësi pa kontributin e autoriteteve të Hong Kongut kanë shqetësuar ligjvënësit amerikanë.
“A do të zbatohet në mënyrë retroaktive? A do të përdoret për deklarata ose valvitje të flamujve që janë bërë në të kaluarën, apo nga tani e tutje, që edhe kështu do të ishte mjaft e tmerrshme. Por, kjo është frika që kam unë”, tha Nancy Pelos, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.
Ligjvënësit gjithashtu janë të shqetësuar se të dyshuarit në bazë të ligjit të ri mund të detyrohen të dalin në gjyq në territorin e Kinës.
“Ne duhet të ndjekim me shumë kujdes veprimet e ardhshme, veçanërisht kundër grupeve dhe individëve të cilët jam mjaft i sigurt se qeveria kineze do t‘i vë në shenjëstër për të krijuar një shembull në ditët e para pas miratimit të këtij projekt-ligji”, tha senatori republikan Marco Rubio.
Shtrirja e gjërë e ligjit tashmë është një arsye e mjaftueshme për shqetësim, tha një analiste para Kongresit.
“Përfshirja e gjerë e zyrtarëve qendror të sigurisë në Kinë në zbatimin e këtij ligji është veçanërisht shqetësuese, nëse e kombinojmë atë me veprat penale të përcaktuara në një nivel të gjërë”, tha analistja Carole Petersen nga Universiteti i Havait.
Senati amerikan miratoi njëzëri një projektligj javën e kaluar për vendosjen e sanksiononeve ndaj zyrtarëve, bankave dhe entiteteve të tjera që mundësuan miratimin e ligjit të ri në Hong Kong, dhe ekziston mundësia e veprimeve të mëtejshme të këtij lloji.
“Unë mendoj se ju do të shihni reagime shtesë nga Kongresi në lidhje me sanksionet në përpjekje për të bindur Partinë Komuniste Kineze se kostoja e këtij veprimi është shumë e lartë. Ata duhet ta rishqyrtojnë këtë”, tha senatori republikan John Cornyn.
Por ligjvënësit demokratë thonë se aftësia e Shteteve të Bashkuar për të ushtruar presion mbi Kinën është zvogëluar gjatë administratës së Presidentit Trump.
“Në fund, Shtëpia e Bardhë vendos mbi politikën për këtë çështje. Dhe kam frikë se politika jonë është e çoriontuar, dhe ndoshta kjo i ka dhënë guxim Kinës”, tha Eliot Engel, Kryetar i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve
Ligjvënësit thonë se banorët e Hong Kongut mund të llogarisin në mbështetjen e Amerikës.
“Kjo është një betejë mes demokracisë dhe diktaturës, lirisë dhe tiranisë, dhe mes lirisë dhe shtypjes. Kjo është një betejë që bota duhet ta fitojë”, tha ligjvënësi republikan Michael McCaul.
Kongresi po lëvizë me shpejtësi për të miratuar projektligjin për sanksionet.