Policia e Shkodrës ka zbuluar një krater në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik në të cilin kultivoheshin lëndë narkotike e llojit kanabis.
Policia njofton se janë zbuluar 27 sera brenda të cilave ishin kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë kanabisi të ndodhura 20 metra në thellësi të këtij krateri.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në zbatim të planit të masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në vazhdën e megaoperacioneve të njëpasnjëshme, të zhvilluara muajt e fundit, në të gjithë vendin, me fokus goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe falë inteligjencës informative, se në vendin e quajtur “Badra e Mehajve”, në Koplik, qendër, në një krater që ka shërbyer për marrje inertesh, mund të kultivoheshin bimë narkotike në sera, kanë organizuar dhe zhvilluar megaoperacionin policor antikanabis të koduar “Krateri”, thuhet në njoftim.
Si rezultat i këtij megaoperacioni, 20 metra në thellësi të këtij krateri, janë evidentuar 27 sera, brenda të cilave janë gjetur të kultivuar në kubikë, rreth 8 000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, në proces për t’u kultivuar në tokë.
Në kuadër të këtij operacioni u vu në pranga një 52-vjeçar i dyshuar si përgjegjës për lëndën narkotike që kultivohej në krater.
Gjatë kontrollit të banesës së 52-vjeçarit , policia gjeti 3 armë gjahu, municion luftarak dhe 5 thika që i mbante pa leje.
Gjithashtu janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre 3 punonjës të bashkisë Malësi e Madhe, Drejtori i Shërbimit Pyjor, specialisti i Ujësjellësit dhe hidrauliku i Ujësjellësit.