Prokuroria e Manhatanit pritet të vendosë brenda disa ditësh nëse do të ngrejë ose jo akuza kundër ish-Presidentit Dondal Trump lidhur me rolin e tij për një pagesë prej 130,000 dollarësh, për ish aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels.
Pagesa u bë nga ish-avokati i tij, Michael Cohen, në vitin 2016, në prag të zgjedhjeve presidenciale, për të blerë heshtjen e aktores, lidhur me një marrëdhënie seksuale me zotin Trump.
Zoti Cohen u rimbursua nga Organizata Trump lidhur me këtë pagesë, e cila më pas u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë.
Në vitin 2018, zoti Cohen u deklarua fajtor për shkelje të ligjit mbi financimin e fushatës dhe dëshmoi se ishte zoti Trump ai që e kishte udhëzuar të paguante zonjën Daniels.
Ish-Presidenti Donald Trump ka qenë nën hetim në nivel federal lidhur me këtë çështje, por prokurorët federalë nuk e paditën, duke ia lënë çështjen prokurorit të qarkut të Manhatanit. Ish-prokurori Cyrus Vance, vendosi të mos ngrejë akuza, por prokurori aktual Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor të vitit 2021, i rihapi hetimet.
Nuk dihet ende nëse prokurori Bragg ka vendosur të ngrejë akuza dhe në se po, për çfarë do ta akuzojë ish presidentin.
Ekspertët ligjorë thonë se ka të ngjarë që akuzat të përqendrohen tek falsifikimi i dokumenteve financiare të kompanisë së zotit Trump, “Organizata Trump”, çka në vetëvete sipas ligjeve të Nju Jorkut, përbën një kundërvatje dhe jo krim penal. Për të ngritur një akuzë penale, zyra e prokurorit të Manhatanit do të duhet të provojë se faksifikimi i dokumenteve financiare u bë për të fshehur një krim tjetër, pra atë të shkeljes së ligjit për financimin e fushatës elektorale.
Pagimi i parave për të garantuar heshtjen e një personi nuk konsiderohet si krim në vetvete, por prokurorët federalë kanë pohuar se pagesat janë bërë për të ndikuar në fushatën presidenciale, duke fshehur marrëdhënie jashtëmartesore, që potencialisht mund të dëmtonin shanset e zotit Trump për t’u zgjedhur president. Ata kanë thënë se paratë duhet të ishin shënuar si shpenzime për fushatë dhe jo si shpenzime ligjore, çka sipas tyre përbën një shkelje të ligjeve federale për financimin e fushatës.
Edhe nëse prokurori Bragg vendos të ngrejë një aktpadi, akuzat nuk do të dihet derisa ish-presidenti të dorëzohet tek autoritetet.
Zoti Trump, i cili e ka shpallur tashmë kandidaturën për garën presidenciale të vitit 2024, e ka quajtur hetimin një gjueti shtrigash, dhe prokurorin Bragg, një afrikano-amerikan, racist.
Një aktakuzë ndaj zotit Trump do të ishte historike, pasi ndaj asnjë ish-presidenti amerikan nuk është ngritur akuzë penale më parë dhe asnjë president nuk është dënuar ndonjëherë për ndonjë vepër penale.
Kushtetuta amerikane nuk e ndalon një person që ka kryer, apo është dënuar për një vepër penale, që të zgjidhet në postin e presidentit.
Ndërkohë ish-presidenti mund të përballet së shpejti me një tjetër sfidë të fortë ligjore. Prokurorët në Xhorxhia po shqyrtojnë ngritjen e akuzave penale lidhur me përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në këtë shtet, ku ai humbi me një diferencë të ngushtë ndaj demokratit Joe Biden.
Departamenti i Drejtësisë, nga ana tjetër, ka ngarkuar prokurorin e posaçëm Jack Smith, për të mbikëqyr hetimet lidhur me rolin e zotit Trump në përpjekjet për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 2020, si dhe trajtimin nga ana e tij, të dokumenteve të klasifikuara, pasi la detyrën./VOA