Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, thotë se lejimi i Rusisë për të garuar në Lojërat Olimpike 2024 në Paris do të tregonte se “terrori është disi i pranueshëm”.
Ai tha se e kishte ngritur këtë çështje me presidentin francez, Emmanuel Macron.
Moska nuk duhet të lejohet të përdorë Lojërat Olimpike për propagandë, shtoi ai.
Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka thënë se atletët rusë dhe bjellorusë mund të garojnë si neutralë në Lojërat Olimpike.
Por, Ukraina ka kërcënuar se do t’i bojkotojë ato nëse atletët rusë dhe bjellorusë lejohen të garojnë.
Përpjekjet e IOC-së “për të rikthyer atletët rusë në Lojërat Olimpike janë përpjekje për t’i thënë gjithë botës se terrori është disi i pranueshëm”, tha Zelensky në fjalimin e tij të natës me video.
Rusia nuk duhet të lejohet të përdorë lojërat “ose ndonjë ngjarje tjetër sportive si propagandë për agresionin e saj ose shovinizmin e saj shtetëror”, shtoi ai.
IOC tha këtë javë se atletët rusë dhe bjellorusë mund të konkurrojnë si “atletët neutralë”, duke deklaruar se “asnjë atlet nuk duhet të pengohet të garojë vetëm për shkak të pasaportës së tyre”.
Por, Zelensky thotë se nuk mund të ketë neutralitet në sport, ndërkohë që atletët e vendit të tij po vdesin në fushë-betejë.
Lojërat Olimpike Verore të vitit 2024 do të mbahen në kryeqyetin e Francës, Paris./rel