Besimtarët e krishterë festojnë sot Krishtlindjen, festën më të rëndësishme në kalendarin e tyre.
Për të kujtuar lindjen e shpëtimtarit Jezu Krisht, katolikët u mblodhën në mesnatë në Katedralen “Shën Pali” në Tiranë, në lutje për njerëzit e dashur dhe miqtë.
Gjatë meshës së shenjtë, që drejtohej nga kreu i Kryedioqezës Mitropolitane Tiranë-Durrës, Arjan Dodaj, u dhanë mesazhe për unitet, ngrohtësi e për të qëndruar pranë familjes.
Imzot Dodaj shfrytëzoi fjalën e tij për të kërkuar nga rinia shqiptare të mos braktisin vendin, ndërsa bëri thirrje që lufta në Ukrainë të marrë fund.
Thirrjet shkuan edhe për një amnisti penale për të burgosurit.
Të ndarë nga besimtarët katolikë, në orët e mëngjesit të 25 dhjetorit lindjen e Krishtit e kujtuan edhe ortodoksët. Mesha e shenjtë e mbajtur në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” bëri bashkë qindra besimtarë, ndërsa thirrjet e Kryepeshkopit Anastas Janullatos shkuan për paqe.
Mesha i lë vendin drekës festive, ku të gjithë besimtarët mblidhen në shtëpitë e tyre me më të dashurit për të ndarë urime dhe shkëmbyer dhurata.