SPAK ka mbyllur hetimet për Inceneratorin e Fierit, ku ka dërguar për gjykim 21 personat e akuzuar për këtë aferë, përfshirë këtu edhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish sekretarin e kësaj ministrie Alqi Bllako.
Mbi ta rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
“Nga aktet e administruara gjatë hetimit të këtij procedimi penal, ka rezultuar se në lidhje me kontratën e koncesionit nr.5553/5 prot., datë 24.10.2016, “Për ndërtimin e administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, lidhur mes Autoritetit Kontraktor Ministria e Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k., me vlerë 32 831 440.85 (tridhjetë e dy milion e tetëqind e tridhjetë e një mijë e katërqind e dyzet) euro, me TVSH, janë evidentuar faktet penale në fazën e ndjekjes së procedurës për dhënien e koncesionit, si dhe në fazën e zbatimit të kësaj kontrate koncesioni”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e SPAK.