Mikroçipi në trurin e njeriut, tashmë jo vetëm fantashkencë, por shumë shpejt edhe realitet. Elon Musk njoftoi se pajisja me valë e zhvilluar nga kompania e tij, Neuralink, pritet që të nisë me testet klinike njerëzore për 6 muaj.
“Kemi punuar shumë fort që të jemi gati për testin e parë njerëzor dhe natyrisht dëshirojmë që të jemi ekstremisht të kujdesshëm dhe të sigurt që do të funksionojë mirë, përpara se të vendosim një pajisje në një njeri”, deklaroi Musk.
Neuralink ka zhvilluar një çip truri që ndërvepron, i cili mund të bëjë që pacientët e paralizuar të mund të lëvizin dhe komunikojnë sërish. E bazuar në Teksas të Shteteve të Bashkuara, kompania e Elon Musk ka zhvilluar një sërë testesh të vazhdueshme tek kafshët dhe kërkon aprovimin nga rregullatori amerikan për të nisur testet klinike njerëzore.
“Në dy aplikimet e parë, ne do të synojmë rikthimin e shikimit. Jemi të bindur se mund ta bëjmë këtë edhe nëse dikush nuk ka parë asnjëherë në jetën e tij, pra që ka lindur i verbër. Besojmë se mund ta bëjmë këtë pasi pjesa vizuale e korteksit është ende aty. Aplikimi tjetër do të bëhet në motorin e korteksit, ku ne do të rikthejmë për dikë aftësinë për të lëvizur muskujt e tyre, pak e shumë siç ishte rasti i Stephen Hawking, dhe të mundësojmë që ata të përdorin telefonin e tyre më shpejt se dikush që ka duar funksionale.”
Musk është i njohur në botë për synimet e tij të mëdha si kolonizimi I planetit Mars dhe shpëtimi I njerëzimit. Me anë të Neuralink, kërkon që të ndihmojë në trajtimin e sëmundjeve të trurit, si Parkinsoni, demenca dhe Alzaimer. Ai gjithashtu ka folu shpesh edhe për përzierjen e trurit njerëzor me inteligjencën artificiale.