Kanë nisur ndryshimet në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit.
Pas ndryshimeve të bëra në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, javë më parë ku u largua Skënder Hita dhe në vend të tij erdhi Dhimitraq Ziu, kanë nisur ndryshimet edhe në rang shefash komisariatesh.
Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se këtë të mërkurë është larguar nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Mat, Ervin Hasrama. Nuk dihet nëse kjo lëvizje ka qenë dorëheqje e tij apo është larguar nga lart. Sakaq, emir i përfolur në radhët e policisë për zëvendësimin e Hasramës është Besnik Lila, ish shef Komisariati në Gjirokastër, i pezulluar nga kjo detyrë një vit më parë. Megjithatë, ende nuk ka një informacion zyrtar nga policia e shtetit sa i përket drejtuesit të ri të komisariatit të Policisë së Matit.
Ndryshimet në struktrën drejtuese kanë përfshirë edhe komisariatin e Policisë në Rrëshen. Mësohet se Naim Lala i cili mbante detyrën e shefit të këtij komisariati prej më shumë se 3 vitesh është larguar në një pozicion tjetër në Tiranë. Ndërkohë, shefi i ri i Komisariatit të Rrëshenit mësohet se është emëruar Behar Caka. Ky i fundit ka një karrierë të gjatë në policinë e shtetit, kryesisht në poste drejtuese, si Shef Komisariati në Vlorë, Bulqizë etj.